Edhe pse qeveria rishikoi në ulje të ardhurat në buxhet në muajin shtator, sërish nuk ia ka dalë të realizojë planin. Deri në fund të muajit tetor arkës së shtetit i mungojnë 4 miliardë lekë. Vështirësitë më të mëdha janë shfaqur në mbledhjen e të ardhurave nga taksa më e rëndësishme, TVSH-ja.
Mbledhja e të ardhurave nga Tatimet dhe Doganat duket se po bëhet më e vështirë në pjesën e dytë të vitit. Ndonëse në buxhetin e rishikuar në muajin shtator qeveria uli pritshmëritë në të hyrat në arkën e shtetit nga tatimet dhe taksat sërish nuk ia ka arritur qëllimit.
Sipas të dhënave fiskale ende të papublikuara zyrtarisht nga Ministria e Financave vërehet se për periudhën 10 mujore, të ardhurat kanë shënuar një ulje me 4 miliardë lekë krahasuar me planin. Administrata Tatimore dhe Doganore për periudhën janar-tetor 2016 ka dështuar në realizimin e të ardhurave me 3,6 miliardë lekë kundrejt pritshmërive.
Performancën më të dobët e ka shënuar TVSH-ja me një deficit prej 4,7 miliardë lekësh krahasuar me planin. Në rënie kanë rezultuar për këtë periudhë edhe Akciza dhe të ardhurat jo tatimore.
Në analizën e bërë nga ministria e Financave mbi pritshmëritë e të ardhurave në buxhetin e këtij viti, theksohet se në këtë performancë të dobët kanë ndikuar kryesisht faktorët e jashtëm, ku çmimet e mallrave bazë në tregjet ndërkombëtare, si ai I naftës, vijojnë të mbeten të ulëta.
Megjithatë të krahasuara me një vit më parë të ardhurat e mbledhura në total si dhjetëmujor rezultojnë në rritje me 7%.
Një ecuri pozitive kanë shënuar të ardhurat nga Tatimi mbi fitimin me rreth 4 miliardë lekë, falë kontributit të kompanive të energjetikës. Deri në fund të shtatorit vetëm OSHEE ka paguar mbi 1,3 miliardë lekë tatim fitim. BalkanWeb
MBLEDHJA E TË ARDHURAVE JANAR –TETOR 2016
TË ARDHURAT REALIZIMI NDAJ PLANIT
Nga tatimet e doganat -3,6 miliardë lekë
Nga TVSH-ja -4,7 miliardë lekë
Nga Akciza -1,2 miliardë lekë
Nga Tatimi mbi Fitimin + 4 miliardë lekë
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/