Betonizimi i Tiranës, Rama e Veliaj kullë 85 metra në Sheshin Skënderbej

Betonizimi i Tiranës, Rama e Veliaj kullë 85 metra në Sheshin Skënderbej

156
0
Shares

Një kullë tjetër e lartë do të ndërtohet në Sheshin Skënderbej, në krah të Hotel Tiranës, në buzë të fillimit të Rrugës së Dibrës. Kulla, e quajtur Tirana’s Rock, do të jetë 85 metra e lartë dhe do të ketë 25 kate.

Siç raporton portal Exit.al, leja për kullën është miratuar më 20 qershor 2018. Ajo është projektuar nga Winy Maas i firmës hollandeze MVRDV, i njohur në Shqipëri si një nga arkitektët-klientë të rrethit të ngushtë të Kryeministrit Edi Rama.

Kulla që do të ndërtohet nga Ana shpk, do të shërbejë si qendër tregtare, biznesi dhe banimi. Dokumenti sqarues i projektit, i siguruar nga Exit.al, shpjegon:

Zyrat dhe ambjentet e tjera tregtare do të jetë të aksesueshme nga ana e Sheshit Skënderbej dhe përmes një hyrjeje të dytë krijohet një lidhje ndërmjet Sheshit Skënderbej, hapësirës së gjelbër pranë Tirana Rock’s dhe Unazës së Re.

Objekti 85 metra i lartë perifrazon temën e peizazhit të mrekullueshëm kodrinor në sfond, ndërsa fasadat e ndryshme mundësojnë krijimin e apartamenteve individuale me hapësira të jashtme të bollshme.

Kulla do të jetë e katërta e planifikuar në anë të Sheshit Skënderbej. Ajo do t’i shtohet kullës 34-katëshe si vazhdim i Hotel Tiranës (ngjitur me fasadën veriore të Hotel Tiranës); kullës 26-katëshe në anën perëndimore të Sheshit, në fillimin e rrugëve të Kavajës dhe të Durrësit, e titulluar Sytë e Tiranës; dhe kullës 20-25-katëshe Book Building, menjëherë pas Kullës së Sahatit dhe ndërtesës së Bashkisë.

Ndërkohë, sikurse dihet, është planifikuar një bllok i madh ndërtimesh të larta në gjithë bllokun pas Ministrisë së Brendshme, duke filluar nga trualli aktual i Teatrit Kombëtar, deri në kufi më Qendrën Toptani. Është duke u bërë plani, gjithashtu, për ndërtime të larta në lulishten pas Pallatit të Kulturës, truall i cili së fundmi është blerë nga ndërtues të afërt të kryeministrit Rama.

Në këtë mënyrë po realizohet plani i tij i vjetër i fillimit të viteve 2000 për rrethimin e Sheshit Skënderbej me kulla të larta dhe shtrirjen e tyre përgjatë Bulevardit Dëshmorët e Kombit.

Sikurse dihet, në anën e stadiumit të ri kombëtar po përfundon një ndërtesë 25-katëshe, ndërkohë që në anën tjetër të stadiumit, ngjitur me ndërtesën 23-katëshe Ambasador 3, sapo ka filluar ndërtimi i një ndërtese 21-katëshe, imitim i pyllit vertikal të Stefano Boerit, imituar nga vetë Boeri.

I gjithë ky betonizim i qendrës së Tiranës fshihet përmes propagandës dhe manipulimit të opinionit publik, ndërkohë që planet ndërtimore nuk bëhen asnjëherë publike. Asnjë nga kullat e mësipërme nuk është njoftuar nga Bashkia Tiranë.

Të gjitha janë miratuar në shkelje të ligjeve dhe standardeve, në rradhë të parë në shkelje së të drejtës së informimit dhe konsultimit publik. Të gjitha këto ndërtime kanë ndikime të mëdha në mjedis, por nuk është bërë publik asnjë studim i detyrueshëm i vlerësimit të këtyre ndikimeve. Pjesë e miratimit të lejeve mjedisore duhet të ishin konsultimet publike, të detyrueshme për t’u realizuar nga qeveria dhe Bashkia Tiranë. Nuk dihet nëse kjo procedurë është falsifikuar, siç ndodh rëndom, duke organizuar dëgjesa false, apo është shpërfillur krejtësisht.

Mungesa e transparencës në miratimin e këtyre lejeve ndërtimore mbushet me propagandë nga Bashkia e Tiranës. Rasti më i fundit është domethënës. Për t’i hapur vend ndërtimit të Kullës Tirana’s Rock, Bashkia Tiranë prishi dy javë më pare ndërtesën e Hotel Vjosës, e ndodhur në anë të Sheshit Skënderbej, midis Hotel Tiranës dhe Teatrit të Operas dhe Baletit. Me prishjen e saj lirohet hapësira përpara Kullës, ndërkohë që fillimisht kulla ka qenë e planifikuar pikërisht në truallin e Hotel Vjosës, por diçka ka ndryshuar rrugës.

Pavarësisht se ka miratuar një ndërtesë gjigande betoni në fshehtësi, propaganda e Kryebashkiakut Veliaj u lëshua ashpër mbi ndërtesën e Hotel Vjosës, sikur ekzistenca e saj të ishte një akt kriminal (në të kundërt, mund të argumentohet lehtë se ndërtesa mbart vlera historike të cilat mund të dilnin në pah duke e rindërtuar atë).

Veliaj e quajti ndërtesën tashmë të prishur “çiban” dhe “karakatinë” dhe e lëvdoi shembjen e saj si një akt të madh çlirimtar të Tiranës, nën gjurmët historike të shefit të tij Edi Rama, kur ky i fundit ishte kryebashkiak i Tiranës. Në një postim në Twitter, Veliaj u shpreh se në vend të saj do të ndërtohet një stacion autobusësh: “Çibani i fundit! Kur Edi Rama nisi pastrimin e Tiranës, qendra e kryeqytetit, Lana dhe Parku Rinia kishin 1,000 + ndërtime pa leje!  Pas 15 viteve pastrim (pa mandatin e gjumit) sot largohet dhe karakatina e fundit nga Sheshi Skenderbej për t’i hapur rrugë stacionit të autobusit.”

Arkitekti i kullës, Winy Maas, e lajmëroi ndërtimin e një “kulle të lartë në formën e fytyrës” që para më shumë se një viti. Ai shpjegoi se në qendër të Tiranës, në krah të Teatrit të Operas dhe Baletit, do të ndërtohet një kullë e lartë në formën e një koke njeriu. Sipas vetë arkitektit, ai e projektoi ndërtesën me kërkesë personale nga Kryeministri Edi Rama, edhe pse zyrtarisht nuk është hapur asnjë konkurs arkitekture për këtë zonë. Maas u shpreh: “Edi më tha: ‘dua të bëj diçka me historinë’. Më tregoi zonën, në qendër, në njërën anë të sheshit të ri të sapondërtuar nga belgët”, shkruan Exit.al.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY