Të gjitha portalet elektronike që nuk janë të regjistruara dhe nuk njihen nga bordi i monitorimit të mediave, nuk do lejohen të bëjnë fushatë elektorale. Ato do të mbyllen nga shteti nëse bëjnë propagandë elektorale, gjatë 1 mujorëshit të fushatës.
Ky është një ndër propozimet e Partisë Socialiste dorëzuar në komisionin e reformës zgjedhore, në një tentativë për të disiplinuar portalet .
“Ndalohet përdorimi i portaleve elektronike të pakontrolluara nga Bordi i Monitorimit të Mediave për propagandë zgjedhore. Autoritet shtetërore të marrin masa për mbylljen gjatë fushatës zgjedhore të portaleve elektronike të paregjistruara të cilat përhapin propagandë zgjedhore, zhvillojnë sondazhe pa respektuar rregullat e këtij kodi, apo kalojnë kufirin e informimit dhe konsiderohen propagandë zgjedhore”, thuhet në nenin 10 të amendamenteve të dorëzuara nga bashkëkryetari i komisionit të reformës Taulant Balla.





