Qindra banorë të Korçës kanë protestuar për grabitjen që, sipas tyre, po u bëhet pronave nga qeveria dhe deputetët e mazhorancës, në zonën e Porodinës. Banorët akuzojnë se Niko Peleshi dhe Olta Xhaçka qëndrojnë pas kësaj skeme, që u heq atyre qindra hektarë tokë, pronë e tyre e njohur, në emër të një projekti për ndërtimin e një aeroporti.
Sipas banorëve dhe të dhënave, mësohet se me ndikimin e Peleshit dhe Xhaçkës e gjithë kjo zonë i ka kaluar në pronësi një personi, i afërt me ta, dhe ndërkohë janë zhveshur nga pasuria e tyre të gjithë banorët e zonës.
Qytetarët e zonës tregojnë dokumentet që kanë, dhe akuzojnë qeverinë, ndërsa aeroporti i pretenduar, nuk duket gjëkundi, por prona u është grabitur banorëve duke iu nënshtruar këtij projekti.
Sipas banorëve, kjo është një tokë bujqësore, por me këtë projekt ajo bëhet tokë truall duke iu pesëfishuar vlera, po sigurisht për plaçkitësit e saj.
Partia Demokratike është rreshtuar në krah të banorëve dhe kërkesave të tyre. Ervin Salianji, sekretari i aksionit qytetar në PD, u shpreh se kjo padrejtësi bëhet në kurriz të qytetarëve për interesa klienteliste.
“Jemi këtu për t’ju mbështetur për tjetërsimin e pronës, për vjedhjen që po ju bën qeveria, bashkia e Korçës, zëvendëskryeministri. Mos e kërkoni në asnjë vend. Ju e keni bashkëfshatare deputeten e zonës, ju ka ardhur t’ju marrë votat, pasi ka ardhur për t’ju marrë votat tani po ju merr edhe pronën. Keni 26 vjet që e posedoni, keni edhe certifikata pronësie, nuk mundet për një aferë të pisët korruptive të kalojnë para në një dorë të vetme e t’u merret prona bashkëfshatarëve e t’i kalojë prona një njeriu të vetëm. E bëjnë vetëm për një arsye, sepse e kanë kaluar me vendim të Këshillit Bashkiak për të miratuar aeroportin. Projekt që nuk ju shërben ju, nuk ju trajton ashtu siç duhet, për të cilin nuk ju kanë marrë asnjë mendim”, tha Salianji.





