Ne do të marrim përgjegjësitë e plota për zbatimin e ligjit të Vetingut dhe Reformës në Drejtësi sipas përcaktimeve kushtetuese, për largimin e kriminelëve nga politika sipas ligjit të dekriminalizimit, për luftë pa kompromis kundër drogës, krimit dhe korrupsionit, dhe për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme për shqiptarët.
Shuplakë qeverisë së Ramës gjashtë muaj para zgjedhjeve e ka quajtur kreu i PD-së, Lulzim Basha opinionin e Këshillit të ministrave të Jashtëm të BE duke lënë pa datë e afat negociatat mes vendit tonë dhe BE-së.
Në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së grupit parlamentar, Basha tha se kjo është një provë e fortë se gjendja në vend është shumë e rëndë dhe provë se as populli e askush nuk gënjehet me mashtrime boshe.
“Gjendja në vend është e rëndë, siç e shohin dhe prekin qytetarët dhe jo siç e interpreton qeveria.
Lajmi i mirë është se duke mos lënë shteg për interpretim çmonton spekulimet e deritanishme mbi problemet e rënda që po përballet vendi, i hap rrugën për marrjen e përgjegjësive. Duke mohuar problemet me drogë, korrupsion dhe mosmarrje përgjegjësive për zgjedhjet, 6 muaj para zgjedhjeve BE i jep shuplakë qeverisë se nuk ka plotësuar kriteret, se ka probleme me drogën, korrupsionin dhe krimin dhe zgjedhjet e lira. Është turp që në fund të vitit shqiptarët mos të marrin një lajm të mirë për integrimin në Europë” tha Basha.
Ai theksoi se ai vetë dhe PD do marrë përgjegjësitë e plota për Vettingun dhe reformën sipas kushtetutës dhe largimin e kriminelëve nga politika.
“Unë dhe PD do të marrim përgjegjësitë për integrimin e vendit. Do i heqim pengesat për integrimin që janë edhe pengesat për mirëqenien e shqiptarëve”, tha Basha.
Deklarata e plotë e Lulzim Bashës
Europa foli, krimi, droga, korrupsioni, dekriminalizimi, zgjedhjet e lira, qeveria të marrë përgjegjësitë
Këshilli Europian i ka publikuar tashmë konkluzionet e veta. Konkluzionet e Këshillit Europian tashmë nuk lënë shteg për interpretime. Gjendja në vend është shumë e rëndë, siç e njohin, siç e prekin shqiptarët dhe jo siç është përpjekur ta shesë qeveria, kryeministri. Është një provë për fat të keq se as populli dhe as Europa nuk gënjehet me lugën bosh të propagandës dhe të mashtrimeve.
Lajmi i mirë këtu është se Europa, duke mos lënë asnjë shteg për interpretim, çmonton spekulimet dhe mashtrimet e deritanishme mbi problemet e rënda me të cilat po përballet Shqipëria dhe shqiptarët, dhe hap rrugën për marrjen e përgjegjësive.
Duke mohuar problemet e rënda; me drogën, me krimin, me korrupsionin, me moszbatimin e ligjit për dekriminalizimin, dhe mos marrjen e përgjegjësive për zgjedhje të lira dhe të ndershme, qeveria, Rama faktikisht kanë refuzuar të marrin përgjegjësitë për daljen nga kjo situatë.
Është turp për Shqipërinë dhe për shqiptarët, që në fund të vitit 2016, në vend të lajmit pozitiv për hapjen e negociatave, të marrin një vlerësim të denjë për vende diktatoriale të Afrikës.
Asnjëherë në 26 vite, dhe për herë të parë në këto 26 vite, gjashtë muaj para zgjedhjeve, Bashkimi Europian i jep këtë shuplakë qeverisjes duke e kujtuar se nuk ka plotësuar asnjë nga 5 prioritetet kyçe dhe se ka probleme të rënda me zgjedhjet e lira dhe të ndershme, me zbatimin e ligjit të dekriminalizimit, me luftën kundër krimit dhe drogës në veçanti, dhe me luftën kundër korrupsionit.
Nga njëra anë kemi kryeministrin, i cili edhe mbrëmë refuzoi të pranojë këtë të vërtetë, që tashmë nuk e thotë vetëm qytetari shqiptar, media shqiptare, por e thotë institucionalisht Bashkimi Europian.
Nga ana tjetër dua t’i siguroj shqiptarët se unë dhe Partia Demokratike do të marrim përgjegjësitë e plota për zbatimin e ligjit të Vetingut dhe Reformës në Drejtësi sipas përcaktimeve kushtetuese, për largimin e kriminelëve nga politika sipas ligjit të dekriminalizimit, për luftë pa kompromis kundër drogës, krimit dhe korrupsionit, dhe për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme për shqiptarët.
Ne do t’i heqim këto pengesa për integrimin e vendit, që janë njëkohësisht edhe pengesa kryesore për mirëqenien e shqiptarëve sot.





