Komiteti për Punë të Jashtme i Parlamentit Evropian (AFET), në mbledhjen e mbajtur me 9 tetor të këtij viti, ka miratuar me shumicë votash Raportin e për Republikën e Kosovës.
Pas votimit të këtij raporti, ka folur raportuesi i Parlamentit Evropian për Kosovë, Igor Sholtes, i cili ka përmendur shansin e madh që ka Kosova për të marrë liberalizimin e vizave.
Megjithatë ai ka përmendur edhe disa çështje për të cilat janë dhënë vërejtje në këtë raport, ku kryesisht kërkohet përmbushja e marrëveshjeve bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe përparimi në fushën e arsimit, ambientit dhe çështjeve të cilat lidhen me pakicat.
Në këtë raport gjithashtu është përmendur edhe ideja për korrigjim të kufijve ndërmjet Republikës së Serbisë, gjë për të cilën presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në një reagim të publikuar në profilin e tij në ‘facebook’ ka thënë se ky Komitet e konsideron si “plotësisht të mundshme idenë për korrigjimin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.
Gazeta Express ka kontaktuar me zyrtaren e Komitetit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian (AFET), Katarina Kosak, dhe ka siguruar raportin e plotë dhe final të votuar nga Parlamenti Evropian, dhe askund në këtë raport nuk konstatohet një gjë e tillë, përkundrazi thuhet se të dy shtetet duhet të ruajnë multietnicitetin dhe se nuk duhet të kenë synim krijimin e shteteve etnikisht të pastra.
“Për debatin e vazhdueshëm dhe deklaratat publike në lidhje me ndryshimet e mundshme të kufirit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, duke përfshirë shkëmbimin e territoreve: Nënvizohet natyra multietnike e Kosovës dhe Serbisë, dhe konstatohet se shtetet etnikisht homogjene nuk duhet të jenë objektiv në këtë rajon”, thuhet në raportin final të Komitetit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian (AFET), shkruan Gazeta Express.
Ndër të tjera thuhet se ky Komitet, mbështet dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga BE-ja, për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, dhe konstaton se mbështet vetëm ato marrëveshje të cilat ndikojnë në stabilitetin e përgjithshëm të rajonit dhe që janë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.
Gjithashtu një pikë tjetër që është miratuar nga ky Komitet i Parlamentit Evropian, e për të cilën presidenti Hashim Thaçi, nuk ka dashur të flas, është ajo ku i kërkohet atij që të jetë transparent dhe të konsultohet me Kuvendin e Republikës së Kosovës për çdo detaj të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel. Gjë të cilën presidenti Hashim Thaçi deri sot nuk e ka bërë , dhe askush në Kosovë nuk e di saktësisht se çfarë për çfarë po diskutohet në Bruksel.
Përveç kësaj në mbledhjen e këtij Komiteti në muajin shtator, anëtari kroat në Parlamentin Evropian, Tonino Picula, kishte propozuar një amendament në të cilin kërkohej që marrëveshja finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk duhet të bazohet në ndryshim të kufijve.
“Dialogu i ndërmjetësuar nga Federica Mogherini, ofron një kornizë rreth dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kur përfshihet vetëm ato marrëveshje për normalizimin e raporteve ndërmjet dy vendeve, e të cilat nuk bazohen në zgjidhje të cilat mund të dërgojnë në prekje të kufijve dhe marrëveshje të cilat e kërcënojnë stabilitetin e rajoni”, thuhet në amendamentin me numër 184 të propozuar nga deputeti kroat.
Nga ideja për korrigjim të kufijve dalëngadalë është distancuar edhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq. Megjithatë presidenti Thaçi vazhdon që mbaj në aktualitet idenë e tij personale për ndryshim të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ide për të cilën i ka dalë kundër edhe kancelarja gjermane Angela Merkel, Britania e Madhe, Kroacia. Gjithashtu edhe shumë ish-diplomat të Bashkimit Evropian të cilët kanë qenë të angazhuar në Ballkan gjatë viteve të 90-ta kanë dalë kundër kësaj ideje, duke thënë se krijimi i shteteve etnikisht të pastra do të nxisë konflikte të reja në rajonin e Ballkanit.
Ideja për prekje të kufijve Thaçit i ka kushtuar edhe me largimin e këshilltarit amerikan, David Philips, i cili është dorëhequr pas pakënaqësive të shumta rreth ideve të Thaçit. Thaçi ka thënë se Philips është paguar nga Qeveria.
Kundër nismës personale të Thaçit për korrigjim të kufijve ka dalë edhe i gjithë faktori politik në Republikën e Kosovës. Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se një ide e tillë nënkupton luftë, ndërsa partitë opozitare kundërshtimin e tyre përveç në Kuvend, e kanë shprehur edhe përmes të organizimit të një proteste në Prishtinë me sloganin “Një popull nuk i nënshtrohet një njeriu”.
Aktualisht dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është futur në një bllokadë totale pas dështimit të takimit të fundit ndërmjet Thaçit dhe Vuçiqit në Bruksel. Zëdhënësja e Federica Mogherinit, Maja Kocijancic, ditë më parë në një prononcim për Gazetën Express, kishte thënë se BE-ja ende nuk e di se kur mund të ketë një takim tjetër të nivelit të lartë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ndërkohë partitë në pushtet në Republikën e Kosovës, po provojnë që përmes një rezolutë për dialogun, ta nxjerrin presidentin jashtë dialogut, duke e propozuar Limajn si udhëheqës të bisedimeve të palës kosovare në Bruksel. Një nismë e tillë nuk e ka gjetur përkrahjen e dy partive më të mëdha në vend, Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilat nuk po pranojnë të inkuadrohen në dialogun e Brukselit dhe po kërkojnë me ngulm zgjedhje të reja.
/Gazeta Express/
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/