Besmir Lupi 32 vjeç u arrestua sot në Vlorë nga uniformat blu pas një urdhri të nxjerrë nga Gjykata e Krimeve të Rënda, e cila ka vendosur “arrest me burg” në mungesë.
32-vjeçari, pjesë e bandës së Met Kananit, u arrestua në Turqi në Mars 2018. Po kështu, në pranga ra edhe vet Met Kanani, kreu i grupit të trafikut ndërkombëtar të drogës.
Sipas informacioneve të tvklan.al, Besmir Lupi qëndroi 3 muaj në burg në Turqi dhe më pas u la i lirë për mungesë provash. Pas operacionit të zhvilluar në Mars në Turqi, në Maj 2018 në vendin tonë u arrestuan 18 persona si pjesë e bandës së Met Kananit, apo siç njihej ndryshe në Turqi “Met shqiptari”.
Pavarësisht se ishte arrestuar në shtetin turk, autoritetet shqiptare e shpallën në kërkim Besmir Lupin, i akuzuar për të njëjtat vepra penale edhe në vendin tonë. Më 11 Maj, Gjykata e Krimeve të Rënda dha masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë ndaj 32-vjeçarit Lupi për trafik droge dhe krijim të grupit të struktuar kriminal. Është e paqartë se si Besmir Lupi ka hyrë në vendin tonë dhe kur ka hyrë, pasi ndaj tij kishte një urdhër-arresti.
Burime nga policia thanë se 32-vjeçari Lupi kërkohej në Shqipëri pikërisht në kuadër të hetimeve për të njëjtin grup kriminal, atë të Met Kananit, që vepronte në vendin tonë dhe në Turqi. Ai kishte rolin e transportuesit të drogës, konkretisht të skafistit.
Ky rrjet ndërkombëtar i trafikut të drogës trafikonte kanabis në drejtim të Turqisë dhe më pas lënda narkotike shpërndahej nëpër shtetet e BE-së./tvklan.al
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/