Deklarata e deputetit gjerman, Kokëdhima: Pa reformë zgjedhore, s’ka negociata me BE-në

Deklarata e deputetit gjerman, Kokëdhima: Pa reformë zgjedhore, s’ka negociata me BE-në

90
0
Shares

Një ditë pas intervistës së deputetit gjerman Gunther Krichbaum, ka reaguar kryetari i partisë Zgjidhja Koço Kokëdhima.

Kujtojmë që deputeti gjerman u shpreh se BE nuk ka marrë një vendim për fillimin e negociatave të pranimit me Shqipërinë. Kjo do të thotë që as vitin e ardhshëm negociatat nuk hapen, kjo varësisht ecurisë së Shqipërisë në realizimin e kushteve që i janë vendosur qeverisë shqiptare.

Kokëdhima në reagimin e tij thotë se deputeti gjerman kërkoi të kryhen reformat e nevojshme, ku pas reformës në drejtësi, e dyta shumë e rëndësishme është reforma zgjedhore.

”Nëse zgjedhjet vendore të vitit 2019 do të zhvillohen sipas ligjit të vjetër zgjedhor, nuk shoh ndonjë shans real për hapjen e negociatave për anëtarësim në 2019”. shprehet Kokëdhima.

Deklarata e plotë

Pa reformë zgjedhore, s’ka negociata me BE-në

Koço Kokëdhima

Kreu i Komisionit për BE-në në Bundestagun gjerman, Gunther Krichbaum, deklaroi se sheh pak përparim sa u takon kushteve që Shqipëria duhet të plotësojë për çeljen e negociatave me BE-në. “Negociatat mund të fillojnë vetëm pasi Shqipëria të ketë kryer reformat e nevojshme. Këtu duhet të përmendim krahas verifikimit të plotë të gjyqtarëve dhe prokurorëve, edhe Reformën Zgjedhore, e cila është po aq e rëndësishme edhe për OSBE-në. Nëse zgjedhjet vendore të vitit 2019 do të zhvillohen sipas ligjit të vjetër zgjedhor, nuk shoh ndonjë shans real për hapjen e negociatave për anëtarësim në 2019”.
ZGJIDHJA e falenderon deputetin gjerman për qëndrimin pa ekuivok për një reformë të vërtetë zgjedhore në Shqipëri.

Qeveria shqiptare nuk mund të shmanget nga kushtet e vëna nga vendet anëtare të BE-së që të marrë miratimin për hapjen e negociatave qershorin e ardhshëm. Rilindja dhe SHQUP-i duan ta bëjnë këtë reformë sa për sy e faqe, që të ruajnë dominimin e tyre politik mbi procesin zgjedhor. Kryetari i Kuvendit deklaroi se reforma zgjedhore është parashikuar në axhendën parlamentare. Por axhenda e partive të vjetra është e mbrapshtë. Ato duan të shesin ca retushime në ligjin zgjedhor si reformë për zgjedhjet vendore të vitit 2019. Ato janë marrë vesh të mos e ndryshojnë Kodin Zgjedhor.

ZGJIDHJA apelon gazetarët dhe mediat e Shqipërisë, inteligjencën, partitē e reja, qytetarët e përgjegjshëm dhe përfaqësuesit e tjerë të vendeve mike që të reagojnë në bllok dhe të diktojnë një reformë zgjedhore të vërtetë dhe gjithëpërfshirëse. Vetëm kështu Shqipëria do të shpëtojë nga thonjtë e partive të vjetra. Vetëm atëhere vendi do të vijojë rrugën drejt BE-së.

Rama, Berisha e të tjerë kanë sakrifikuar interesat e larta të kombit tonë dhe perspektivën europiane të Shqipërisë duke shkatërruar zgjedhjet e lira e të barabarta dhe themelet e shtetit shqiptar. Ata nuk mund t’i reformojnë zgjedhjet sepse kur të reformohen zgjedhjet shqiptare ata do të shkojnë nëpër burgje. Do të përgjigjen përpara drejtësisë. Reformimi i vërtetë i zgjedhjeve tona do të ndodhë vetëm me imponim, me pahir, me forcë ose me presionin e koordinuar të të gjithë faktorëve të brendshëm e të jashtëm.

Është koha për reagim.
#ZgjidhjaPërShqipërinë

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY