Besnik Mustafaj sulmon Thaçin: Je në gjëndje të rëndë psiqike. Shpifës i...

Besnik Mustafaj sulmon Thaçin: Je në gjëndje të rëndë psiqike. Shpifës i madh…

165
0
Shares

Ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, deklaron se me qëndrimet që Presidenti i Kosovës po mban për korrigjim të kufijve me Serbinë po mbron interesat e Beogradit.

Mustafaj kujton se pretendimin për të korrigjuar kufijtë mes Kosovës dhe Serbisë e ka dëgjuar që 15 vite më parë, në kohën kur ishte ministër i Jashtëm. Por, sipas Mustafajt, pretendime të tilla kanë ardhur gjithmonë nga zyrtarë të lartë të Beogradit dhe asnjëherë nga përfaqësues të politikës shqiptare.

Ish-ministri i Jashtëm thekson se Presidenti kosovar, Hashim Thaçi, pas deklaratave për korrigjim të kufijve me Serbinë, duke përfshirë në territorin e Kosovës Luginën e Preshevës, gjendet përballë një presioni shumë të madh politik dhe publik.

Sipas Mustafajt, ka qenë pikërisht kjo gjendje e rënduar psikike që ka shtyrë Thaçin të artikulojë shumë të pavërteta në drejtim të ishKryeministrit Sali Berisha.

Si e vlerësoni propozimin e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për korrigjim kufijsh mes Serbisë dhe Kosovës dhe më konkretisht për Luginën e Preshevës?

Është një propozim që kam të paktën 15 vjet që e dëgjoj. Por më konkretisht gjatë periudhës 2005-2007, kur kam mbajtur detyrën e ministrit të Jashtëm, më është thënë edhe zyrtarisht nga përfaqësues shumë të lartë të shtetit dhe të qeverisë serbe. Në thelbin e tij, ky propozim është përsëritur në mënyrë insistuese gjatë vitit të fundit nga ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç dhe tani së fundmi edhe nga Presidenti serb Aleksandër Vuçiç. Pra, nuk është një propozim i ri dhe nuk është një propozim i lindur në mendjen e Presidentit Thaçi dhe kjo e bën edhe më shqetësues propozimin. Sepse nuk ka asnjë mundësi të besohet se mund të vijë nga Serbia një propozim që është në interesin e Kosovës. Nuk mund të vijë nga Beogradi një ide që synon zmadhimin e Kosovës, ndërkohë që e kundërta ka gjasë të ndodhë. Nga ana tjetër, është një propozim që përmban guximin e faktorit sepse ka brenda premisat për të ngjallur ide të tjera edhe te shtete të tjera të Ballkanit që kanë me njëri-tjetrin problematika të ngjashme.

A ka tagër Presidenti i Kosovës të bëjë një propozim për korrigjim kufijsh?

Ky është një propozim që nuk mund të lejohet. Një propozim i tillë nuk mund të vijë nga një njeri i vetëm, qoftë ky edhe Presidenti i Republikës së Kosovës. Nuk mund të vijë nga asnjë njeri sepse nuk ka mandat kushtetues askush në Kosovë të flasë për ndryshim kufijsh, për dhënie apo për marrje territoresh me një shtet tjetër. Kjo e Thaçit është një ide antikushtetuese dhe për më tepër është një sjellje antikushtetuese nga Presidenti i Kosovës. Fakti që ky lloj propozimi ekziston prej kohësh si një zgjidhje përfundimtare nga ana e Serbisë dhe tani vjen si një artikulim nga Presidenti Thaçi, tregon se kreu i shtetit të Kosovës po artikulon diçka që është në interes të Serbisë.

Sipas jush, pas këtyre deklaratave të Thaçit, pritet të ketë një reagim nga ana e Serbisë për të kërkuar territore të banuara nga popullsi serbe, siç është Mitrovica?

Ky është prapamendimi, ndonëse i pathënë në mënyrë të qartë nga ministri i Jashtëm Daçiç apo edhe Presidenti serb Vuçiç. Synimi i tyre është të marrin tri komunat me shumicë të ndjeshme të popullsisë serbe në veri të Kosovës. Sigurisht që kjo do të çojë pastaj në një zvogëlim të Kosovës si territor, në një varfërim të resurseve të saj nëntokësore, përfshirë edhe ujin. Në këtë mënyrë, do të jetë e vështirë, në mos e pamundur mbijetesa funksionale e shtetit të Kosovës. Synimi kryesor i Beogradit në këtë rast është ta bëjë Kosovën jo funksionale dhe të pamundur për të jetuar në sovranitetin e saj.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka artikuluar akuza shumë të forta dhe një gjuhë aspak diplomatike ndaj ish-Kryeministrit Berisha, pas qëndrimeve të këtij të fundit kundër ndarjes së Kosovës. Si i komentoni ju deklaratat e Thaçit?

Unë e kam parë reagimin e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit. Kam vënë re një gjendje shumë të rënduar psikologjike nga z.Thaçi. Me sa duket, psikologjikisht ai nuk po e përballon dot ngarkesën që i vjen nga reagimet e gjëra të opinionit publik, të klasës politike, të shoqërisë civile, personaliteteve të ndryshme të Kosovës në lidhje me këtë propozim të tijin. Duke qenë se ka reaguar në një gjendje psikike të rënduar, sigurisht artikulon edhe shumë gjëra jo etike. E dyta, në reagimin e Thaçit një pjesë e madhe e deklaratave që lidhen me periudhën ‘92- ‘97 kur Berisha ishte President, janë shpifje tërësisht. Në atë periudhë, Shqipëria është monitoruar në mënyrë shumë strikte nga përfaqësuesit e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, sepse lidhej drejtpërdrejt me respektimin e embargos së vendosur nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së. Raportet për atë periudhë ekzistojnë. Në asnjë prej atyre raporteve nuk vënë në dukje thyerje të embargos. Ky është një thashethem dhe një shpifje e përsëritur prej shumë vitesh në mjediset shqiptare dhe që tani përvetësohet për herë të parë nga Presidenti i Kosovës, si një mënyrë për të larguar vëmendjen negative që ka mbi vete brenda dhe jashtë Kosovës. Panorama

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY