Vazhdojnë masakrat mjedisore, Gjiknuri jep leje për gurore

Vazhdojnë masakrat mjedisore, Gjiknuri jep leje për gurore

172
0
Shares

Masakra mjedisore në Malin e Tomorrit vazhdon nga shtetarët. Pikërisht janë ata që po e zhvasin këtë zonë.

Një tjetër masakër mjedisore duket se po ndodh me planet e qeverisë. Pak muaj më parë, mediat denoncuan shkatërrimin e Malit të Tomorrit.Në një aksion të beftë, Ministria e Mjedisit mbylli guroret e pllakave dekorativë, ndërsa pezulloi edhe guroret e mermerit.

Së fundmi, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë e cila drejtohet nga Damian Gjiknuri, ka hapur procedurën e konkurrimit për leje minerare pikërisht në Malin e Tomorrit.

Në këtë njoftim thuhet se ministria, në bazë të ligjeve dhe rregulloreve, ndër të tjera ka vendosur të nxjerrë në ankand edhe zonën minerare konkurruese me nr. 148, të miratuar në planin vjetor minerar të vitit 2013, i ndryshuar, që shpallet në procedurë konkurruese për të drejtën e aplikimit për një leje minerare.

Mësohet se zona minerare me nr.148 është në zonën e quajtur Leshnje, në qarkun Berat, e cila është shpallur në planin vjetor minerar të vitit 2013, të miratuar me urdhrin e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, e përfshirë në qarkun Berat.

Ministri aktual Gjiknuri mund të justifikohet se plani është miratuar në vitin 2013, para se Partia Socialiste të vinte në pushtet. Por, kryeministri i tij, Edi Rama, erdhi në pushtet me zotimin se do të mbyllë këto gurore.

Madje, ministri Blendi Klosi, shkoi personalisht në Malin e Tomorrit dhe ndërmori një aksion për mbylljen e tyre ose pezullimin. Por, gjithçka duket se është bërë provizorisht. Nga dokumentet rezulton se mbyllja është bërë selektive, me qëllim dhënien e këtyre lejeve “klientëve” të qeverisë, ashtu siç ka ndodhur edhe me burime të tjera natyrore të Shqipërisë.

Në lidhje me zonën në fjalë, mësohet se firma që do të fitojë ankandin do të gërmojë në afërsi të fshatit Leshnje, në Skrapar. Firma do të gërmojë me një sipërfaqe prej 0.426 kilometra katrorë, ku janë dhënë edhe koordinatat. Tashmë na ngelet për të parë si do të vijojë masakra në Malin e Tomorit, kësaj herë me leje nga lart, ashtu siç ka ndodhur edhe nga qeveritë e mëparshme.

Me leje dhe pa leje, firmat që operojnë në Malin e Tomorrit janë të lidhura ngushtë me pushtetin lokal por edhe atë qendror. Banorët e zonës e dinë mjaft mirë se kush deputet i ka ato gurore. Dhe, janë nga të gjitha krahët: PD, PS dhe LSI.

Sipas të dhënave, lejet për shfrytëzimin e mermerit në Malin e Tomorrit janë dhënë në vitin 2005, ndërsa deri më sot janë dhënë 12 leje. Megjithëse Mali i Tomorrit është shpallur Park Kombëtar me një vendim të Këshillit të Ministrave më datë 18 korrik 2012, qeveria vijon të japë leje përbri kësaj zone./TPZ.al

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY