Taksa e qarkullimit të karburanteve, ARMO la gropë në buxhet 4.2 miliardë...

Taksa e qarkullimit të karburanteve, ARMO la gropë në buxhet 4.2 miliardë lekë vetëm për vitin 2017

114
0
Shares

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve (DPT) kishte planifikuar të grumbullonte gjatë vitit të kaluar 19.3 miliardë lekë nga taksa e qarkullimit mbi karburantet (rreth 150 mln euro), por në të vërtetë ka arkëtuar 15.1 miliardë lekë (rreth 116 milionë euro) ose 21 për qind më pak. Thënë ndryshe, 4.2 miliardë lekë më pak në vlerë absolute.

Diferenca përkon me detyrimiin e taksës së qarkullimit prej rreth 4.3 miliardë lekësh, që krijoi kompania IRTC, e cila shfrytëzoi rafinerinë e naftës ARMO në vitin 2017. Pak kohë më parë Kryetari i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë Erion Brace publikoi një shkresë të tatimeve në të cilën specifikohej borxhi tatimor i kompanisë IRTC, që shfrytëzoi gjatë vitit 2017 rafinerinë ARMO-s, ku vetëm për taksën e qarkullimit detyrimi ishte 4,3 miliardë lekë.

Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave kanë bërë të ditur se në vitin 2017, importet e karburanteve ranë me 21% në 400 mijë ton, ose rreth 100 mjë tonë naftë më pak se viti i mëparshëm, teksa nafta vendase, e prodhuar nga ARMO zuri gati 30% të tregut.

DPT ka publikuar të dhëna të detajuara për përformancën e tatimeve, taksave dhe tarifave për vitin 2017, prej të cilave shihet se të ardhurat nga taksa e qarkullimit janë të katërtat në listë për nga pesha që zënë në të ardhurat tatimore.

Struktura e të ardhurave tatimore tregon se, TVSH-ja vazhdon të jetë kontribuesi kryesor në të hyrat publike me 34% të të ardhurave tatimore, Tatimi mbi të ardhurat personale përbën 22 % të të ardhurave tatimore, Tatimi mbi fitimin zë 22 % të të ardhurave tatimore dhe Taksa e qarkullimit mbi karburantin zë 10% të të ardhurave tatimore.

Të ardhurat e nga taksa e qarkullimit do të kishin një peshë edhe më të madhe në të ardhurat tatimore nëse, ARMO do të paguante detyrimin për këtë tatim.

Një muaj më parë opinioni publik u përfshi në debatin se barra fiskale me destinacion mirëmbajtjen e rrugëve ishte e lartë, teksa qeveria po tenton të vjelë taksa direkte në rrugët kombëtare, duke nisur me rrugën e Kombit. Grupet e interesit llogaritën se taksa e nga qarkullimi ishte katër herët më e lartë se shpenzimet për mirëmbajtjen e rrugëve, teksa qeveria dhe përfaqësuesit e saj kundërshtuan këtë konkluzion.

Mirëpo të dhënat zyrtare të tatimeve tregojnë se në vitin 2017 u grumbulluan 15.1 miliardë lekë të ardhura nga taksa e qarkullimit. Nëse ARMO do të paguante taksen ne fjale, të ardhurat do të ishin 19.4 miliardë lekë.

Ndërkohë fondet që akordoi buxheti i shtetit për mirëmbajtjen e rrugëve në vend vitin e kaluar, duke përfshirë edhe Rrugën e Kombit ishin rreth 3 miliardë lekë ose 22 milionë euro. Kjo shumë është 5 herë më e ulët se të ardhurat e taksës nga qarkullimi.

Të ardhurat nga taksa e qarkullimit më 2017 ishin 112 milionë euro. Kjo shumë është e barabartë me fondin që qeveria pritet të vërë në dispozicion për mirëmbajtjen e rrugëve të paktën në 4 vitet në vijim.

Tatimi që parimisht ka për destinacion mirëmbajtjen e rrugëve dhe që paguhet nga përdoruesit e automjeteve te çmimi i karburantit kalon disa fish nevojat e mirëmbajtjes që kërkon infrastruktura rrugore.

Shqipëria ka nivelin e taksimit më të lartë në rajon për naftën, për rrjedhojë vendi ka edhe e çmimin më të lartë të produktit në tregjet e pakicës. Monitor

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY