BESNIK MUSTAFAJ/Rama nuk di gjermanisht

BESNIK MUSTAFAJ/Rama nuk di gjermanisht

198
0
Shares

Ka 72 orë që në mediat tona tradicionale dhe po aq në mediat e reja, portalet e shumta në gjuhën shqipe, shtrohet me një këmbëngulje të ankthshme pyetja nëse vizita e Kryeministrit Rama në Berlin ishte e suksesshme apo e dështuar. Dhe përgjigjet janë të pafundme, por të thjeshta për t’u grupuar, sepse janë krejt të polarizuara. Një palë thonë se kjo vizitë ishte shumë e suksesshme e një palë thonë të kundërtën, që kjo vizitë ishte e gjitha një dështim. Në përgjithësi nuk shoh ndonjë seriozitet të madh për të argumentuar njërin variant apo tjetrin, gjë që ndikon për ta shtuar konfuzionin në opinionin publik. Varësisht nga pika e vështrimit, kjo vizitë mund të vlerësohet e suksesshme ose e dështuar. Bie fjala, po ta shohim nga ana protokollare, ajo ishte e suksesshme. Kryeministri i vendit tonë u prit me të gjitha nderet që i takojnë një mysafiri të atij rangu. Ai pati takime me Kancelaren Merkel, me Kryetarin e Bundestagut dhe zhvilloi një bashkëbisedim në Komisionin Parlamentar të Punëve të Jashtme. Nuk mungonte asgjë. Spektakli ishte i paqortueshëm. Parë nga rezultati, domethënë lidhur me qëllimin pse kjo vizitë u zhvillua, ajo ishte një dështim i plotë. Sipas Kryeministrit tonë, ai nuk kishte shkuar atje për të marrë një po publike nga Gjermania lidhur me miratimin për çeljen e negociatave në Këshillin Europian. Po për çfarë tjetër e mori ai atëherë rrugën për në Berlin?

Sigurisht jo për të dëgjuar me veshët e vet atë që dëgjoi. Deri edhe miti më i madh i sukseseve të tij qeveritare, Reforma në Drejtësi, iu rrëzua. Vetë ministri gjerman për Çështjet Europiane, një socialdemokrat ky, anëtar i familjes politike të kryeministrit tonë pra, i kujtoi se mbrojtja që po i bënte Saimir Tahirit përballë drejtësisë përbënte një akt të papajtueshëm me shtetin e së drejtës dhe demokracinë europiane dhe zhvlerësonte Reformën në Drejtësi. Duhet t’i jenë thënë edhe shumë gjëra të tjera të hidhura Kryeministrit tonë e që ai vetë, në daljen e parë publike me të mbërritur në Aeroportin e Rinasit, i përmblodhi sipas mënyrës së tij: “Gjithçka zien në kazanin e Tiranës e dëgjova të përkthyer në gjermanisht”. Vetëm Edi Rama mund ta bënte një deklaratë të tillë aq të padenjë. “Kazani”, sipas tij, siç dihet janë opozita, mediat dhe të gjithë ata, që e kritikojnë në gjuhën amtare.

Në gjykimin tim, e parë nga interesi i Shqipërisë për të çelur sa më shpejt negociatat me Bashkimin Europian për anëtarësim, kjo vizitë nuk duhej ndërmarrë në këtë moment. Edi Rama tregoi kështu një paaftësi të plotë për ta kuptuar drejt dhe zbatuar këshillën e Mogherinit për të zhvilluar një lobim intensiv me vendet skeptike deri në mbledhjen e Këshillit Europian më 28 qershor, kur do të shqyrtohet rekomandimi i Komisionit Europian dhe do të merret vendimi.

Nuk besoj se Kryeministri ynë është zënë në befasi nga paralajmërimi i Zonjës Mogherini se disa nga vendet anëtare të Bashkimit Europian janë skeptike lidhur me plotësimin e standardeve nga Shqipëria për çeljen e këtyre negociatave. Ai i ka të gjitha kushtet për ta njohur në dinamikë vlerësimin e secilit nga këto vende mbi zhvillimet në vendin tonë. E kundërta, që Kryeministri ynë mbahet larg së vërtetës nga institucionet shtetërore që ekzistojnë për ta ushqyer me informacion, do të ishte dëshpëruese për ne, qytetarët e këtij vendi. Pra, unë kam prirjen e plotë për të besuar se ai ishte qysh para daljes së raportit të Komisionit Europian në dijeni si të vendeve skeptike ashtu edhe të argumenteve, mbi të cilat mbështetej skepticizmi i secilit nga këto vende. Me sa duket, në krye të kësaj liste ishte Gjermania.

Këtu qëndron edhe e keqja e madhe. Kryeministri ynë është i paaftë për ta kuptuar këshillën dashamirëse të Mogherinit për të zhvilluar një lobim intensiv me këto vende. Sepse ai nuk di dhe as do që të më- sojë si zhvillohet një lobim i tillë. I dashuruar thellësisht me vetveten siç është, ai ka bindjen se ky hall zgjidhet me oratorinë dhe sharmin e tij. Ai i mendon udhëheqësit e vendeve perëndimore të ngjashëm me veten. Provë është fjalimi i mbushur me lajka deri në neveri për Kancelaren Merkel, që ai mbajti në prani të saj në mjediset e kancelarisë gjermane.

Lobimi, që do të bënte sadopak punë në këto rrethana specifike, është një gjë krejt tjetër. Rama i humbi dy javë të çmuara. Në dy muajt e mbetur, ai duhet të ngrejë urgjent një grup të posaçëm pune, i cili të marrë në shqyrtim me imtësi të gjitha argumentet që ka secili vend, të përcaktojë masat e duhura për të korrigjuar ato, që mund të korrigjohen dhe të vendosë një dialog pune të pandërprerë me secilin nga këto vende, për ta informuar në vazhdimësi dhe me sinqeritet për ç’po bëhet, duke u zotuar për t’i kryer me afate ato që nuk do të kryhen dot brenda kësaj periudhe. Nuk ka rrugë tjetër veç bindjes se partnerëve eurupianë se ai vetë dhe shumica qeverisëse, bashkë me administratën publike, i marrin seriozisht dhe me ndershmëri vërejtjet e tyre dhe bëjnë të mundurën për t’i korrigjuar. Ai duhet të ecë me bindjen se partnerët europianë i duan të mirën Shqipërisë dhe se vërejtjet e tyre nuk janë shprehje e ndonjë komploti të kurdisur kundër tij nga armiku i brendshëm në bashkëpunim me armikun e jashtëm. Miqtë tanë eurpoianë i përkasin asaj kulture politike dhe atyre vlerave demokratike, që u mundë- sojnë t’i nxjerrin përfundimet mbështetur mbi faktet e realitetit dhe jo mbi fjalët e ëmbla. Edi Rama ta harrojë se mund t’i gënjejë partnerët e Shqipërisë me tepsinë e tij, siç i gënjeu shqiptarët në zgjedhjet e fundit.

“Shkuam në Berlin për të shkëmbyer opinione me Kancelaren Merkel mbi raportin e fundit të Komisionit Europian”, tha Rama në kthim. Amatorizëm trishtues! I kushtueshëm për financat e shtetit dhe pa asnjë dobi për qëllimin e shqiptarëve për ta parë veten të afrohen një hap drejt Bashkimit Europian.

Për ata lexues që nuk e dinë si bëhen këto punë, është ndoshta me vend t’u kujtoj se Komisioni Europian, para se ta miratojë progres-raportin, ia përcjell çdo herë qeverisë shqiptare për të dhënë opinionin dhe vërejtjet e saj. Kështu ka ndodhur medoemos edhe me raportin e fundit. Pra, presupozohet se “shkëmbimi i opinioneve” është kryer.

Unë nuk kam besim që Rama do t’i përdorë për së mbari dy muajt e mbetur deri në mbledhjen e radhës së Këshillit Europian. Ai as nuk di dhe as nuk do të mësojë si bëhet puna në marrëdhëniet ndërkombëtare, me kancelaritë ku fatmirësisht nuk shihet ERTV. Në konferencën e parë për shtyp që dha me t’u kthyer në Tiranë, ai bëri një skandal tjetër. E paraqiti Kancelaren Merkel, qeverinë gjermane, Kryetarin e Parlamentit gjerman dhe Komisionin e Jashtëm të këtij Parlamenti si të manipuluar nga opozita dhe mediat shqiptare, kur tha se kishte dëgjuar gjithandej në Berlin të përkthyer në gjermanisht “llumin e kazanit” të Tiranës. Ambasada gjermane të paktën është në Tiranë edhe për të raportuar në qeverinë e vet çfarë tha Kryeministri ynë lidhur me këtë vizitë aq të përkorë nga ana protokollare. Narcizimi i tij bezdisës për ne dhe injoranca e thellë lidhur me funksionimin e marrëdhënieve ndërkombëtare nuk e lejojnë ta rrudhë të paktën gjuhën në këtë rast. Ata që e pritën me aq bujari në Berlin, përfshirë edhe Kancelaren Merkel, sigurisht që do të duan të dinë çfarë reflektimesh pati Kryeministri shqiptar pas bisedimeve me ta. Duke synuar ta dhunojë edhe njëherë opozitën dhe mediat e vendit të tij, Rama e përkeqësoi më tej perspektiven e çeljes së negociatave. Gjermanët nuk mund ta pranojnë t’i fyejë në këtë masë njeriu, që e pritën si mik.

Në një intervistë në një gazetë gjermane gjatë qëndrimit në Berlin, Rama tentoi edhe një nga armët e tij të parapëlqyera: shantazhin. Ai tha se po nuk na hapët derën e Europës, ne do t’u hapim derën islamikëve ose rusëve. Ky, sipas tij, është një arsyetim mbi rëndësinë gjeopolitike të Shqipërisë për Europën. Edhe ky është një shembull flagrant i injorancës së tij për gjuhën, që duhet përdorur me partnerët tanë europianë. Ai nuk e kupton se Bashkimit Europian nuk mund t’i bëjë askush shantazh. Por edhe nuk është aspak realist. Në delirin e tij, Edi Rama ndoshta vërtet beson se është në dorën e tij për të mbjellë në mendjen e shqiptarëve radikalizmin islamik apo për të mbjellë në zemrën e zgjedhësve të tij shqiptarë dashurinë për Rusinë e Putinit. Gabohet. Dhe në Europë të paktën kaq gjë e dinë mirë shqiptarët.

Ne jemi të pafuqishëm ta ndihmojmë Kryeministrin tonë me qëllim që këto dy muaj, të paktën, ai t’i përdorë në dobi të vendit tonë. Siç e tha edhe vetë, ai nuk di gjermanisht. Pra, nuk është në gjendje ta kuptojë gjuhën europiane të gjermanëve.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY