Banka Botërore deklaron se sistemi i taksave në Shqipëri ka zhytur në varfëri mijëra qytetarë, pasi qeveria ja ka ngarkuar barrën fiskale qytetarëve të zakonshëm dhe shtresave të varfra ndërkohë që të pasurit nuk taksohen sa duhet.
Përfundimi tronditës, që rrëzon të gjithë propagandën e qeverisë shqiptare është bërë publik në një raport të posaçëm, i cili ka studiuar efektin e sistemit fiskal në treguesit e varfërisë.
“Vetëm si pasojë e taksave, popullsia shqiptare që jeton me më pak se 4 dollarë në ditë, rritet nga 22.6 për qind në 29.1 për qind,” thotë Banka Botërore.
Sipas raportit, në shumicën e vendeve të tjera sistemi i taksave e ul varfërinë, pasi rishpërndan të ardhurat nga të pasurit tek të varfërit. Por në Shqipëri politika fiskale punon në krahun e kundërt, pasi takson më fort të varfrit, ndërkohë që oligarkët vazhdojnë të shtojnë pasurinë.
“Në vende si Kili, Meksika, Rusia dhe Kolumbia sistemi i taksave e ul varfërinë. Ndërsa Shqipëria është një nga vendet ku taksat sjellin rritjen më të lartë të varfërisë,” thuhet në raport.
Sipas raportit, qeveria ja ka ngarkuar barrën fiskale qytetarëve të zakonshëm dhe shtresës së varfër të popullsisë, ndërkohë që të pasurit nuk taksohen aq sa duhet të paguajnë. Kjo bën që taksat të rrisin varfërinë, kur duhet të ishte e kundërta, sistemi fiskal duhet ta zbuste varfërinë përmes taksimit të të pasurve dhe dhënies së transfertave për të varfrit.
“Taksat indirekte, veçanërisht Tatimi mbi Vlerën e Shtuar është ai që shkakton rritjen më të madhe të varfërisë në Shqipëri,” thuhet në raport.
Prej vitesh qeveria shqiptare trumbeton vendosjen e taksës progresive si një politikë, e cila ka ndihmuar qytetarët e zakonshëm dhe shtresat me të ardhura të pakta. Por raporti i Bankës Botërore demaskon propagandën qeveritare duke e klasifikuar Shqipërinë si vendin ku sistemi i taksave ka sjellë rritjen më të lartë të varfërisë.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/