Qiriazi: Shqipëria një muze i madh i trashëgimisë natyrore

Qiriazi: Shqipëria një muze i madh i trashëgimisë natyrore

1393
1
Shares

Në një kohë kur librat e mirëfilltë studimor i hasim rrallë e më rrallë nëpër librari studiuesi Perikli Qiriazi na dhuron një vepër me vlera të veçanta mbi trashëgiminë natyrore.

“Trashëgimia natyrore e Shqipërisë” (Vlerat, rreziqet dhe menaxhimi) quhet libri i Prof. Dr. Perikli Qiriazi, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Trashëgimia përfshin në vetvete vlera natyrore e kulturore që përcillen brez pas brezi.

Sipas studiuesit Qiriazi kur pjesë e saj janë vlera të mjedisit natyror, kemi të bëjmë me trashëgimi natyrore, ndërsa kur bëhet fjalë për vlera materiale e shpirtërore të shoqërisë, kemi trashëgimi kulturore. Ndërsa kur trashëgimia natyrore është vlerë e rrallë në shkallë ndërkombëtare, cilësohet “trashëgimi botërore”.

Perikli Qiriazi

“Si e tillë së bashku me trashëgiminë e veçantë kulturore të popujve, radhitet në Listën e Trashëgimisë Botërore, që mbrohet nga Konventa e Trashëgimisë Botërore. Midis 1073 siteve (korrik 2017) të kësaj liste me dinjitet të plotë dhe vlera unike, qëndrojnë sitet nga vendi ynë dhe nga hapësira gjeografike shqiptare jashtë kufijve tanë politikë:Rajca dhe gashi me pyje primarë dhe të vjetra ahu të Karpateve dhe rajoneve të tjera të Europës; Butrinti; Gjirokastra; Berati;rajoni i liqenit të Ohrit dhe kompleksi i manastireve dhe i kishave mesjetare në Kosovë. Krahas tyre janë shpallur :Rezerva Ndërkufitare e Biosferës Prespë – Ohër, e para rezervë biosfere ndërkufitare Shqipëri-Maqedoni që iu bashkua rrjetit Botëror të Rezervave të Biosferës dhe katër ligatina të kategorisë ndërkombëtare Ramsar: Laguna Karavasta – Pisha e Divjakës, Liqeni i Shkodrës – Lumi Buna; kanali i Cukës – Butrint – Kepi i Stilit dhe kompleksi natyror i liqeneve të Prespave, me sipërfaqe të përgjithshme 98180 ha (2013)”, shkruan studiuesi Qiriazi në parathënien e këtij botimi.

Sipas tij, në regjistrin e UNESCO-s “Kujtesa e Botës” janë regjistruar si vlera të kulturës sonë dokumentare kodikët e Beratit dhe Isopolifonia shqiptare. Edhe për Eposin e Kreshnikëve është përfunduar studimi dhe propozimi për statusin “Kujtesa e Botës”.

Çdo vend i kulturuar e cilëson dhe e trajton si të shenjtë trashëgiminë natyrore dhe kulturore, ndaj ky studim i prof Qiriazit është i një rëndësie jo vetëm në informacionin e hollësishëm që jep mbi këtë pasuri, por dhe hulumtimin e kujdesshëm që i bën kësaj trashëgimie. Ai e sheh Shqipërinë si një muze të madh natyror me resurse të jashtëzakonshme, çka e bëjnë atë një vend të rëndësishëm krahas vendeve të tjera që e posedojnë këtë lloj trashëgimie. Ruajtja e kësaj trashëgimie është një detyrë kombëtare.

Libri i Prof. Dr. Qiriazit e ngre shkencën shqiptare në të njëjtin nivel bashkëkohor me libra të këtij karakteri që botohen sot në botë, duke na treguar profilin e një shkencëtari par exelence.

“Do ishte kënaqësi e veçantë nëse do të ndihmonim në zgjimin e interesit për këta tempuj të natyrës ; për njohjen;mbrojtjen;dhe shfrytëzimin shkencor të tyre për qëllime shkencore , turistike, kulturore, didaktike, për edukimin ekologjik atdhetar,dhe për tua përcjellë brezave këto vlera natyrore e kulturore të trashëgimisë sonë dhe të vlerësuara shkencërisht”, shprehet studiuesi, duke vënë theksin në rëndësinë e ruajtjes së kësaj pasurie kombëtare.

Prof. Dr. Perikli Qiriazi ka marrë gradën shkencore “Kandidat i Shkencave” (1983) dhe “Doktor i shkencave gjeografike”(1993) titullin “Docent” 1986 dhe “Profesor” 1995. Ka kryer disa specializime shkencore në Universitetin e Bukureshtit 1975 Paris VII 1987 dhe të Angerit 1998. Është titullar i disa disiplinave universitare e pasuniversitare: Gjeografia Fizike dhe Regjionale e Shqipërisë Metodika e Studimeve Fiziko-Gjeografike Trashëgimia Natyrore e Shqipërisë, Degradimi dhe Dezertifikimi i Peisazheve, Hyrje në Gjeografinë Regjionale për të cilat përgatiti programe e tekste dhe mbajti ligjërata në disa universitete të vendit dhe të huaja.

Qiriazi është autor dhe bashkautor në 7 monografi shkencore e vazhdon të kontribuojë në aplikimin e drejtimeve bashkëkohore në gjeografi. Njëherazi ai ka iniciuar studimin gjeografik të trashëgimisë natyrore të Shqipërisë dhe përfshirjen e saj në kurrikulat e arsimit parauniversitar universitar e pasuniversitar. Ai bashkëdrejtoi projektin “Monumentet e Natyrës së Shqipërisë” që u kurorëzua me Listën Kombëtare të Monumenteve të Natyrës. Drejton Shoqatën Didaktike Shkencore Speleologjike Shqiptare e cila inicioi speleologjinë shqiptare dhe në bashkëpunim me disa shoqata simotra evropiane zbuloi dhe eksploroi shumë shpella karstike;ndihmoi në mbështetjen e tyre ligjore e institucionale dhe për kthimin e shpellave në hapësira turistike.

Qiriazi është dekoruar nga Kuvendi i Shqipërisë me urdhrin “Naim Frashëri III”.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

1 COMMENT

  1. Respekte Prof. Perikliut per Librin dhe gjithe Vepren e Tij per evidentimin e vlerave te natyres sone! Respekte dhe Akademise se Shkencave per mbeshtetjen e shtypit! Per te gjithe skeptiket, kritizeret dhe pseudoshkencetaret qe nuk lene gje pa thene per shkencen shiptare! Por me shume per vendimmarrjen dhe politikeberjen sot qe e ka shperfillur ne skaj shkencen ne Shqiperi, dhe per me keq akoma gjithe vlerat e natyres sone, duke i nxjerre ato ne ankand!

LEAVE A REPLY