BUJAR NISHANI/ Kur ligji degradon në karikaturë!

BUJAR NISHANI/ Kur ligji degradon në karikaturë!

121
0
Shares

Qeveria aktuale e ka degraduar imazhin e Shqipërisë në pikën më të ulët që nga ngjarjet e dhunshme të vitit të mbrapshtë 1997.

Por jo vetëm imazhin por edhe sistemin tonë politik dhe në tërësi komponentët e një shteti.

Mediat prestigjioze ndërkombëtare, kryesisht ato evropiane përcjellin në mënyrë frekuente tek opinioni ndërkombëtar dhe tek institucionet vendimmarrëse modelin e një narkoshteti dhe bashkëqeverisje me krimin e organizuar.

Për fatin e keq të të gjithë neve ky konstatim i tyre nuk mbart thjesht një imazh të keq por një realitet shumë të hidhur në Shqipëri të cilin nuk duhet ta pranojmë.

Qendra Europiane e Drogave dhe Varësisë nga Drogat (EMCDDA) deklaronte para pak ditësh se ; “Grupet kriminale shqiptare po marrin drejtimin e shpërndarjes së narkotikëve në tregjet e BE-së, duke shqetësuar dukshëm Europën…, dyshimet janë se bosët e krimit në Shqipëri janë të mbrojtur dhe nuk i gjen gjë”.

Kjo e vërtetë e hidhur përtej pasojave kriminale për sigurinë në hapësirën europiane ka një ndikim edhe më kriminal brenda Shqipërisë. Prej kohësh tashmë opinioni njeh mirë identitetin dhe veprimtarinë komplekse të disa familjeve mafioze dhe të një duzine grupesh të krimit të organizuar që kanë pleksur veprimtarinë e mirëfilltë kriminale me politikën dhe pushtetin vendimmarrës në vend. Trafiku i drogave që nga kanibisi te heroina e deri kokaina duke pasur të hapura të gjitha kanalet e lehtësimit të tij, ju ka mundësuar pasuri të shumta të patundshme dhe miliarda në kesh. Me to lehtësisht blejnë zgjedhjet politike në interes të garantuesve të tyre politik, financojnë media dhe punësojnë individë të krimit ordiner për të terrorizuar qytetarët. Ky është cikli i një mekanizmi okult “krim-politik-krim” i cili prodhon pushtet pa mbarim.

Propaganda qeveritare flet brenda vendit dhe përballë ndërkombëtarëve për “ligj” dhe “forcën e ligjit”. Por askush nga këto grupe mafioze nuk është prekur deri më sot. Asnjë fije e pasurisë së tyre kriminale dhe e pushtetshme nuk është cenuar, goditur apo sekuestruar.

Në Tiranë këto grupe mafioze kontrollojnë zhvillim urban dhe përcaktojnë se kush duhet të ndërtoj dhe pastrojë paratë në ndërtim.

Si shpërblim vota për të garantuar mbajtjen e pushtetit.

Qyteti i Durrësit (deri pak kohë më parë simboli i qytetarisë dhe civilizimit), tashmë është totalisht nën kontrollin e grupeve të njohura mafioze. Ata vendosin deri se kush do jetë drejtor, kontrollor, firmëtar, e çdo gjë tjetër. Një qytet ku frika ka ndrydhur zemrën e çdo njeriu në këtë vend simbol i të qenurit i lirë.

Vlora e antikonformizmit dhe nervit kombëtar është kthyer totalisht në mexhilisin e dispeçerëve të narkotikëve që njihen mirë për lidhjet dhe shërbimet e tyre politike.

Fieri, ky qytet i njerëzve të punës tashmë strehon vrasësit me pagesat më të lira.

Të gjitha dihen, gjithkush njihet.

Askush nuk vepron!

Ndaj dhe mekanizmi obskur kriminal çelikoset më shumë.

Ja pra që edhe pse ligji ekziston, asgjë nuk ndryshon.

Ka një arsye shumë të fortë dhe po aq të thjeshtë.

Ata duhen për të mbajtur pushtetin.

Ata e dinë gjithashtu se duhet pushteti që të vijojnë punën e tyre.

Ligji kthehet në një karikaturë që përqesh.

Qendra Europiane e Drogave dhe Varësisë nga Drogat (EMCDDA) vijon në analizën e saj; “Europa ka qenë e butë me Shqipërinë për historinë e kanabisit, pasi ai nuk konsiderohet si drogë shumë e dëmshme dhe është në proces legalizimi në shumë vende. Por, tani kanabisi është rikthyer sërish si prioritet, pasi ai gjeneron para për kriminelët, të cilët i investojnë pastaj këto para dhe shtrembërojnë ekonominë, shtrembërojnë shoqërinë, korruptojnë zyrtarët lokalë, sektorin privat etj. Ata janë të lidhur me bosët e krimit, që janë në Shqipëri dhe me sa duket janë të mbrojtur dhe asgjë nuk i gjen ata atje dhe ata organizojnë operacione dhe marrin paratë nga operacione që kryhen jashtë vendit, si trafikimi i kokainës dhe heroinës”.

Tani mbetet për tu parë se pas këtij reflektimi evropian a do vazhdoj të jetë e butë Evropa me këtë model kriminaliteti në Shqipëri???

Po ndaj korrupsionit të ngritur në sistem dhe pothuajse gati të legjitimuar në Shqipëri a do jetë e butë Europa???

Para pak ditësh pamë një show policesk të arrestimeve kolektive “për shpërdorim detyre” në Bashkinë e Lezhës.

Por nuk kemi parë në këto pesë vite të kësaj qeverie asnjë arrestim për shpërdorim detyre të denoncuar nga dhjetëra raporte zyrtare të Kontrollit të Lartë të Shtetit!!!

Miliarda lek të shpërdoruara, procedura të denoncuara, zyrtarë të identifikuar por asnjë hetim nga krimi ekonomik i policisë, asnjë referim prej tyre në prokurori !!! Pse???

Kryeministria dhe Ministria e Brendshme e kanë në dispozicion ligjin dhe procedurën. Por e kanë injoruar totalisht atë.

Kështu pra, ai ka degraduar edhe në këtë rast.

Arsyeja është e qartë dhe e thjeshtë.

Ata zyrtarë, me ato para duhen për të blerë votat në zgjedhjet e radhës.

Zgjedhjet e radhës po vijnë.

Pas një viti janë tek porta.

E gjithë rrjeta e zezë e ngritur deri tani mesa duket nuk po i mjafton pushtetit për ti grabitur ato përsëri.

Karikatura e zgjedhjeve për pushtetin lokal nisi me ligjin e njëanshëm dhe totalisht partiak të ndarjes së re territoriale.

Koha tregoj që ajo vetëm reformë nuk ishte. Qasje drejt monizmit po!

Vetëm me një shikim të shpejtë konstaton se njësitë administrative më të vogla (duke marrë ato me më pak se 20 000 votues) të fituara nga PS janë 12 (dymbëdhjetë) bashki, ndërsa të fituara nga PD janë vetëm 2 (dy). I tillë ishte dizenjimi i tyre.

Ai vijonte partizançe dhe më tej.

Zona me e vogël e fituar nga PS ishte me 5 700 votues (Libohova), ndërsa ajo më e vogël e fituar nga PD me 15 500 votues (Klos). Abuzimi nuk ndalej as këtu.

Një kryetar bashkie edhe pse mund të fitonte me fare pak vota emëronte njëanshmërisht të gjithë drejtuesit e njësive që deri më parë zgjidheshin nga qytetarët. Këta caktojnë kryepleqtë, ata të tjerët e kështu vendosej kontrolli i plotë mbi çdo familje e qytetar.

Në funksion të votave normalisht.

Më karikaturë se kaq nuk ka se ku të gjesh model tjetër ligji.

Por dukshëm që edhe të gjitha këto nuk po mjaftojnë për të kapur zgjedhjet e radhës, ndaj investimi i pushtetit tashmë është drejtuar tek asgjësimi i opozitës. Paratë e trafikut të drogë janë në dispozicion të kësaj lufte. Njerëzit e korruptuar dhe peng të drejtësisë janë në koalicion. Ligjet kanë degraduar në karikaturë të vet pushtetit në këtë luftë të pushtetit kundër opozitës.

Një luftë krejt e pabarabartë por që nuk mund të dorëzohet. Për më tepër kur dhe ligji ka degraduar në një karikaturë.

Po Evropa, a do të tregohet e butë me këtë luftë në Shqipëri?

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY