LULZIM BASHA* / Rama t’i lërë përrallat me rusë dhe të shohë...

LULZIM BASHA* / Rama t’i lërë përrallat me rusë dhe të shohë faktet me kolumbianë, sëmundja e përbashkët me Tahirin është kokaina

127
0
Shares
• Braktisja e debatit me opozitën nga Edi Rama për 30 mijë familjet që u ka hequr bukën e fëmijëve ka një arsye: njerëzit e thjeshtë nuk janë prioritet i kryeministrit, sepse ai qëndron në pushtet me paratë e krimit.
• Banka Botërore konfirmon se 70% e familjeve më të varfra janë të përjashtuara nga ndihma ekonomike. Janë 30 mijë familje që vuajnë masakrën sociale me autor Edi Ramën.
• Refuzimi i Ramës për të pranuar realitetin e 30 mijë familjeve të përjashtuara padrejtësisht vjen nga izolimi i Ramës me një grup oligarkësh dhe banditësh, duke humbur kontaktet me qytetarët.
• Skema politike e Ramës është përdorimi si mish për top i të pamundurve për t’i mbajtur të nënshtruar e të përbuzur me qëllim që t’i blejë në zgjedhjet e ardhshme lokale.
• Për të varfrin qeveria Rama s’ka as punë, as drejtësi! Asgjë!. I përdor, i tall i shtyp, i fut në burg për një faturë, sepse i varfëri nuk ka pushtet. Kurse para të pasurve, para banditëve, para oligarkëve, Rama qëndron gatitu!
• PD kërkon rikthimin e menjëhershëm të familjeve në skemën e ndihmës! Paratë janë! 25 milionë USD që paguhen për inceneratorët e Ramës dhe Ahmetajt mjaftojnë për njerëzit në nevojë!
• Edi Rama duhet t’i lërë përrallat me rusë dhe të shohë faktet me kolumbianë. Sëmundja e përbashkët e Ramës dhe Tahirit është kokaina.

Zonja dhe zotërinj,

Të nderuar qytetarë,

Të nderuar mijëra familje që jeni larguar me të padrejtë dhe pa e ditur se pse nga skema e ndihmës ekonomike, ju është hequr buka e fëmijëve nga njeriu që qëndron prapa meje.

Tani e kuptoni fare mirë se pse mocioni me debat që opozita kërkoi që në momentin e bërjes publike të largimit abuziv të 30 mijë familjeve shqiptare nga skema e ndihmës ekonomike u shty dhe u vonua. Për një arsye të thjeshtë që besoj se nuk ka shqiptarë që nuk e ka kuptuar sot.

Preokupimi dhe mbrojtja e vetme e Edi Ramës, njeriut që me një të rënë të lapsit pa asnjë transparencë, pa asnjë shpjegim i ka hequr bukën e fëmijëve 30 mijë familjeve në nevojë ekstreme, nuk ishte të korrigjonte masën e pashpirt dhe kriminale, nuk ishte të kontrollonte realisht si është gjendja e këtyre familjeve, por ishte të bridhte pas kryetarit të opozitës, të ndiqte kryetarin e opozitës ku do shkonte, në cilat familje do të shkonte dhe pastaj të pretendonte se po zgjidhte hallin e atyre 10, 15, 20, 30 apo 50 familjeve që vizitova unë.

E kuptoni dhe nuk ka shqiptarë të mos e kuptojë që papunësia në Shqipëri nuk mund të zgjidhet kurrë duke pritur që kryetari i opozitës të dalë në fotografi me ta dhe as masakra sociale e largimit të dhjetëra, qindra mijëra familjeve nga skema e ndihmës ekonomike nuk mund të zgjidhet si kacafytje me opozitën, si sundim antiopozitar që në fakt është e vetmja gjë që Edi Rama mund të bëjë dhe di të bëjë. Jo të qeverisë, jo të reformojë, jo të zhvillojë ekonominë, por ta zhysë atë gjithmonë e më shumë në krizë e në kolaps, duke asgjësuar mijëra vende pune, t’i nisë shqiptarët në emigracion dhe këtë ta quajë luftë kundër papunësisë. Se normalisht, po ta zbrazësh Shqipërinë nga shqiptarët, papunësia do të shkojë në zero, do të mbetet vetëm Edi Rama dhe pesë oligarkët e tij që marrin të gjithë tenderat, gjithë koncesionet dhe me dy tre bandat që sjellin 180 milionë euro për kontenier bananesh.

Preokupimi i tij nuk është ta zgjidhë problemin, por si gjithmonë nga dita e parë publike ta hedhë fajin diku tjetër. Dhe tani fajin për dhjetëra, mijëra familje pa ndihmë ekonomike, pa bukën e gojës dhe pa asnjë shpjegim pse janë hequr nga ndihma ekonomike e ka përsëri opozita.

Fajin për heqjen e ndihmës ekonomike nuk e ka ky që i hoqi nga ndihma ekonomike, por e ka opozita. Vendi ndodhet në një krizë të thellë ekonomike, sociale dhe psikologjike. Vendi ndodhet në një krizë të thellë morale.

Është e vërtetë që reforma e ndihmës ekonomike nisi nga qeverisja jonë, por një nga kriteret kryesore të skemës tonë ishte transparenca e sistemit të pikëzimit, që do t’u tregonte qartësisht shqiptarëve se cilat janë kriteret mbi bazën e të cilave vendoset, nëse një familje e përfiton apo jo ndihmën ekonomike.

Është pikërisht mbajtja sekret e kësaj skeme nga Edi Rama dhe me urdhër të Edi Ramës që ka çuar në këtë masakër të vërtetë sociale, në një krim të shëmtuar të drejtuar nga dhjetëra mijëra vogëlushëve të Shqipërisë.

Unë kam patur mundësinë të vizitoj shumë pak prej tyre, por i kam parë nga afër çfarë ti refuzon ta bësh. Ti refuzon të shkosh dhe t’i shohësh ata që ke hequr nga ndihma ekonomike, ti refuzon të përballesh me krimin tënd. Ti refuzon të shkosh dhe të shohësh se si ushqehen që në mëngjes me qepë e me lakra turshi. Sepse kjo të nxjerr blof. Kjo të prish atë pak stabilitetet që të ka mbetur dhe që të buron nga fakti që je i izoluar me një grup oligarkësh dhe manditësh, dhe ke humbur çdo kontakt me popullin tënd, të cilën e përbuz, e urren dhe e godet nga mëngjesi deri në darkë.

Reforma e nisur në vitin 2012 tani është marrë peng nga synimi yt për t’i përdorur si mish për top, për t’iu hequr ndihmën ekonomike, për t’i nënshtruar, për t’i përbuzur me qëllim që t’i blesh në zgjedhjet e ardhshme lokale. Kjo është skema politike që po përdor. Por ne nuk jemi këtu sot për të treguar motivet e mbrapshta të këtij akti kriminal. Ne jemi këtu për të konstatuar bashkë të vërtetën ashtu siç është, jo ashtu siç do që ta thuash ti.

Banka Botërore, autore dhe bashkëautore, mbështetëse e kësaj reforme vetëm një javë më parë deklaroi se 70% e familjeve më të varfra në Shqipëri janë përjashtuara nga ndihma ekonomike.E pe këtë raport? Të ra ndonjë zile? Ndjeve ndonjë përgjegjësi apo ishe i zënë duke urdhëruar sejmenët e tu që të shkonin tek familjet që kisha vizituar unë dhe t’i gjenin arsyen përse nuk janë në ndihmë ekonomike apo t’i nxirrje para kamerave për t’u gjetur një vend pune.A thua se vendet e punës janë me bollëk dhe këta nuk duan të punojnë. 70% e familjeve më të varfra janë të përjashtuara nga ndihma ekonomike. Vetëm 1/3 janë të mbuluar nga ndihma ekonomike, thotë Banka Botërore. Kjo është e vërteta. Dhe para se të vije këtu dje dy raporte të tjera të kanë treguar gjendjen e vërtetë të vendit. Shqipëria rendet në vendin e 112 nga 156 shtete, për sa i përket gjendjes shpirtërore të njerëzve apo jo që njihet si Indeksi i Lumturisë për vitin 2018; e fundit në Europë, lidhet natyrisht me gjendjen ekonomike të njerëzve.

Treguesit marrin për bazë të ardhurat për frymë, pritshmërinë për një jetë të shëndetshme, mbështetjen, të dhënat për bamirësi, lirinë për të bërë zgjedhje në jetë, nivelet e përceptuara të korrupsionit, tregues për të cilën shqiptarët janë më të pakënaqurit në Europë. Në tre vitet e fundit Shqipëria ka rënë me 22 vende. Tre vite ku qeverisje ti dhe jo opozita. Në grafikun e ndryshimit jemi në 9 vende në botë ku kemi shënuar përkeqësimin më të madh.

E di ku e renditur Shqipërinë në këto vite që po qeveris? Me Madagaskarin, me Botzvanën, Turkmenistanin, Ukrainën e luftës civile, Jemenin, Sirinë, Malaiun dhe Venezuelën e Cavezit dhe Madures. Po në të njëjtën ditë Indeksi i Institutit të Vjenës tregoi se Shqipëria është vendi me portofolin më të zbrazët të qytetarëve të saj; më keq se shqiptarët paraqiten vetëm qytetarët e Kosovës dhe Ukrainës.

Ky është realiteti.

Ti në këto tre javë je përpjekur t’u thuash shqiptarëve se ka punë por nuk duan të punojnë, se ka vende pune, por këta nuk duan të punojnë prandaj iu hiqet ndihma ekonomike.

Unë kam qenë familje më familje ata kanë kërkuar dhe nuk kanë gjetur vend pune, derisa dolën në fotografi me mua dhe ti nise pastaj ushtrinë e servilëve tu për t’u papritur para kamerave vendin e punës. Ti flet për mijëra vende të reja pune. Më thuaj cila fabrikë i ofron këto vende pune? Ku janë shtuar këto vende pune, në cilën industri qenkan këto vende pune gati që shqiptarët nuk i marrin? Në cilat uzina, cilat biznese, cilat organizata i kanë hapur këto vende pune? Sepse të flasësh në ajër është e thjeshtë. Meqë flet në ajër thuaj se ka 300 mijë vende pune, mos thuaj 2 mijë, 3 mijë. Pse thua 2 mijë, 3 mijë? Gënjen, që gënjen bëje gënjeshtrën më të madhe.

E vërteta nuk është kështu, e vërteta është që ti e ke futur ekonominë në kolaps. Se vetëm dy muajt e parë të janë mbyllur 3 mijë biznese të vogla sipas të dhënave të QKR-së.

Ju kujton shqiptarëve gjithmonë se janë dembelë.

Kam një pyetje: këta të Koncesionarit të Fierit e të Elbasanit, Tiranës, që marrin para pa punuar fare, çfarë janë ? Shikoni cfarë bën ky, u jep para koncesionarëve tëFieri 6 milion pa bërë punë fare, i jep lekët Vilma Nushit pa i bërë kontrollet fare . Ky është mbështetësi më  madh i dembelizmit dhe i parazitizmit në Shqipëri. Ka bërë kontrata për miqtë e tij. Ka dhënë miliona për miqtë e tij, pa punuar fare dhe nga ana tjetër akuzon shqiptarëtse janë dembelë , se nuk kërkojnë punë, se punë ka. U merr shpirtin njerëzve të varfër, i heq nga ndihma ekonomike, se kanë televizior, ky që financoi blerjen e dekodareve me paratë e taksapeguesve, ky që harxhoi dy milion euro për të blerë dekodera dhe pastaj thotë dekoderat I bleva me lekët e taksapguesve, por tani që keni dekodera, do t’ju heq nga ndihma ekonomike.

Ne e dimë që Edi Rama nuk merr vesh nga ekonomia. Nuk ka as këshilltarë ekonomikë. Ka një ministër edhe më injorant se vetja në cështjet e ekonomisë dhe kjo është një nga arsyet pse e ka bërë ekonominë katastrofë . e trajtojnë si përrallë, nuk merren me ekonomi, merren vetëm me përralla. Nuk ndërtojnë ekonomi, por vetëm fasada, me përralla dhe betonizime dhe kulla në hapësirave publike si ajo që po bëjnë gati në Teatrin Kombëtar.

Ka një tjetër të vërtetë të dhimbshme në raportin e kësaj qeverie me të varfërit e cila spikat më shumë se kudo tjetër në rastin e dhimbshëm të Ardit Gjoklaj . Ka një ministër prapa inceneratorëve, të denoncuar me emër dhe mbiemër nga opozita, por për Arditin nuk ka një të dënuar. Për të varfërin s’ka asgjë, as punë, as drejtësi, asgjë. E përdorin, e shtypin, e tallin, e qeshin, e vrasin, e fshehin, e flakin tutje, ky tallet me të varfërit. I fut në burg për një faturë, për një gjobë, sepse i varfëri nuk ka pushtetKurse para të pasurve, para banditëve, para oligarkëve, ky rri sus, gatitu. Krenohet kur fut shqiptarët në burg, për një faturë të papaguar. Për 613 kg kokainë nuk është kapur akoma askush. 180 milionë euro, siç nuk u kap asnjë njeri për Xibrakën. Keni dëgjuar të kapet ndonjë trafikant i madh droge në Shqipëri? Ky mburret këtu, se këta që ishin në ndihmë ekonomike nuk e meritonin se e kishin shtëpinë me suva. Ju them se një pjesë e madhe e tyre, as suva nuk kishin në shtëpitë e tyre. Problemi është se kjo që ky ka ngritur është një ekonomi që nuk gjeneron. Sepse është e përqendruar e gjitha në pak duar, nuk ka konkurrucë, nuk prodhon më asgjë, nuk hap vende pune. nuk ka zhvillim, nuk ka mirëqenie, nuk ka teknologji. Asnjë ekonomi nuk zhvillohet po nuk pati konkurrencë. Ky ka zgjedhur këtë model në mënyrë të qëllimshme. Ulet në tavolinë me miqtë e tij dhe ndan pasuritë dhe fondet me ta, në varësi të interesit ndan paratë, ndan kullën, ndan drogën, ndan kontratën, ndan koncesionin dhe kjo nuk sjell asgjë për vendin, asgjë për njerëzit e thjeshtë.

Tani na mburret se po ul përqindjen e papunësisë. E dini pse ulet përqindja e papunësinë në mënyrë absolute? Sepse largohen shqiptarët, qindra mijëra shqiptarë largohen vit pas viti. Do të vijë dita kur Shqipëria do të ketë zero papunësi sepse vendi do të jetë braktisur, nëse vazhdohet kështu siç e ka nisur dhe do ta bitisë ky do të ngelet vetëm ky dhe banditët e tij, dhe oligarkët e tij; gjithë shqiptarët i do në rrugët e botës me çanta refugjatësh në duar.

Zonja dhe zotërinj

Rastet që kam parë me sytë e mi flasin vetë. Nuk ka tallje më të madhe dhe tregues më të madh të pashpirtësisë, të shpirtkazmërisë, që demonstron kryeministri sesa recitimi këtu i pseudofakteve ku realiteti flet vetë.

Shpresa Arapi me gjashtë anëtarë të tjera, tre prej të cilëve të mitur, më i vogli pak muajsh, iu është hequr ndihma ekonomike pa asnjë shpjegim. Frigoriferin bosh, gjysëm thesi me miell, asnjë të ardhur.

Pranvera Tetova me të ëmën të paralizuar, në kushte skandaloze, nuk blen dot ilaçet dhe nuk ka as tavan mbi kokë. Në 6 m² ja ku ëhstë me të ëmën e vet.

Marie Gjoka jeton e vetme, pasi i ka vdekur bashkëshorti i sëmurë pasi nuk mori dot asnjë ndihmë, asnjë ilaç në shtratin e vdekjes u mundua të marrë lekët e Kempit por as atë nuk i dhanë dhe i dhanë në fund fare 50 mijë lekë të vjetra për ta varrosur. I kanë hequr ndihmën ekonomike, pa i shpjeguar se pse, me fëmijë jetim, me gjysëm thesi me miell. Dhe kjo është gjendja e frigoriferit të saj. Asnjë të ardhur.

Artur Rungo jeton bashkë me bashkëshorten e tij me një listë të gjatë në dyqane, asnjë arsye se përse e kanë hequr nga ndihma ekonomike që nuk i mjaftonte. Prandaj e ka listën në dyqane, as punë, as pension, as të ardhura. Kërkon punë dhe nuk gjen punë. Shko gjeja ti.

Por në qoftë se mendon se do të ndërtosh shtet duke detyruar kryetarin e opozitës të vizitojë 20 mijë familje për të treguar të vërtetën e këtyre familjeve që ti pastaj të çohesh dhe vetëm për të kundërshtuar kryetarin e opozitës përpiqesh t’u gjesh punë? Dije se ke dështuar dhe i dështuar je.

Gezim Ukdashi, pa ndihmë ekonomike, pa ujë, se nuk e paguan dot më, pa energji elektrike, një thes miell, nuk ka me çfarë ta blejë, bashkë me fëmijët e tij.

Donika Shetën, pa ndihmë ekonomike, i thanë nuk i plotëson kushtet, vrapove, e çove në zyrë pune dhe thua se i ke gjetur vend pune, por nuk është zgjidhje t’i gjesh vend pune njerëzve, vetëm sepse dalin në fotografi me kryetarin e opozitës, por politika jote e punësimit, nuk mund të jetë fotografia me kryetarin e opozitës.

Drita Mema, të sëmurë, në pamundësi për të punuar të dy, djali 27 vjeç i aksidentuar. Jetojnë duke mbledhur kanaçe, jetojnë në Bregun e Lumit në një dhomë, nuk kanë ndihmë prej tre muajsh, me arsyetimin nuk plotësojnë pikët dhe askush nuk i thotë se cilat janë pikët dhe cilat nga këto pikë nuk plotësojnë. Ky është realiteti ( tregon foton e Drita Memës dhe kushteve skandaloze).

Hyrije Berisha që përmende në Lezhë,  e vërteta është ajo që kam parë unë, jo ajo që të thonë ty, apo që dëshiron ta shpikësh ti. Jeton në varfëri ekstreme. Nuk jam mjaftuar me kronikën e televizionit të Lezhës, kam shkuar dhe e kam parë me sytë e mi. Siguron jetesën duke kërkuar lëmoshë, duke lypur. Vajzën e ka invalide sepse ka humbur një këmbë në aksident dhe një mbesë në moshë të mitur, të braktisur nga prindërit e saj. Kjo është e vërteta e saj, jo ajo që thua ti.

Dorina 22 vjeçare e divorcuar, jeton në 10m2 me tre fëmijë.

Bashkim Mekrizvani bashkë me bashkëshorten Luljetën dhe vajzën Xhoana 14 vjeç, jetojnë në një barakë. Xhoana vuan nga një sëmundje e rëndë e pashërueshme, u ke hequr ndihmën. Përse u ke hequr ndihmën? Janë pa punë.

Agentina Bacaj, kryefamiljare, e divorcuar rrit 3 fëmijët e saj në 12 m2 me qera. Të katërt jetojnë me qera. kishte ndihmë ekonomike. Ia hoqe ndihmën ekonomike sepse vajza bëri dy muaj praktikë. E detyrove të thotë para të gjithë shqiptarëve të thotë “S’kam ku të shkoj, të mbytem në det”. Kjo është e vërteta, e kanë parë shqiptarët. Kjo është vajza e saj (tregohen foto) që qante, sepse nëna donte të vriste veten dhe e merrte si përgjegjësinë e saj. Përse? Sepse bëri 2 muaj praktikë.

Ardian Dani, e ke detyruar të shesë gjakun e trupit, jo vetëm me të, por me qindra kryefamiljarë je sjellur në këtë mënyrë. I ke detyruar të shesin gjakun e trupit për një pako makarona. Përse ia hoqe ndihmën ekonomike. Me vajzën e sëmurë, me tre fëmijë, gruaja sapo i vdiq. Përse ia hoqe ndihmën ekonomike? E panë shqiptarët të vërtetën drithëruese, ti jo, se ti jeton me kufjet e oligarkëve dhe banditëve në vesh. Ja vajza e sëmurë (tregon foton e vajzës së sëmurë rëndë).

Afërdita Lugja, nënë e dhunuar e tre fëmijëve, Nikoletës 13 vjeç, Eduardit 1 vjeç dhe Erikës 8 vjeç, e dhunuar dhe e trajtuar me urdhër mbrojtje. Përse ia hoqe ndihmën ekonomike? Ja frigoriferi i saj (tregon foton e frigoriferit bosh).

Thelbi i çështjes është ky. 30 mijë familje jan hequr pa e ditur se përse. Midis tyre, Edi Rama ka qëmtuar disa se qenkan me vila apo me makina. Nëse ata janë në skemë, ata duhej të ishin larguar nga skema jo sot, por një vit, dy vjet, tre vjet, katër vjet, pesë vjet më parë, se ky njeri ka pesë vjet që qeveris dhe nëse ata janë në skemë, është përgjegjësia e tij që të largoheshin nga skema, por Edi Rama nuk ka përgjigje për dhjetëramijëra të tjerë, të cilët si këto raste që lexova dhe si këto që nuk do të më lejoni me rregullore t’i bëj publike para shqiptarëve, por do t’i bëj publike para medias. Këta njerëz që janë hequr, u është hequr buka e fëmijëve, për këta mban përgjegjësi Edi Rama, i cili ka bërë një akt kriminal. Nuk jam këtu thjesht për ta treguar me gisht si përgjegjës, por jam këtu për t’i kërkuar, t’i heqë kufjet, ato që vendos në parlament dhe ato të tjerat që i kanë bllokuar veshët dhe sytë për të parë Shqipërinë e vërtetë, t’i rikthejë menjëherë ndihmën ekonomike njerëzve në nevojë! Të ndalë gënjeshtrën se këta mund të ndihmohen me 6% e bashkisë!

Nëse nuk ia kanë thënë, se e dimë që njohuritë i ka shumë të cekëta për ligjet, shtetin dhe ekonominë, po ia them sot, se ai 6% nuk mjafton për të mbuluar as një të njëmijëtën të atyre që ke hequr nga ndihma ekonomike dhe jo vetëm kaq. Nëqoftëse aplikohet për ato 10 apo 15 familje nga qindra të tjera që e meritojnë, zgjidhet vetëm tre muaj dhe pas tre muajsh ata janë përsëri në mes të rrugëve. Ndale këtë akt kriminal, rikthe në skemë familjet në nevojë ekonomike! Paratë i ke, mjafton mos i japësh Arben Ahmetajt 25 milionë dollarë për inceneratorë këtë vit dhe t’i çosh këto para aty ku njerëzit kanë nevojë!

Ndërhyrja për procedurë e Kryetarit të PD, Lulzim Basha.

Zonja dhe zotërinj

Largimi i Edi Ramës nga kjo sallë flet më mirë se çdo gjë tjetër. Edi Rama e braktis seancën, kur është kërkuar mocioni me debat me kryeministrin, për familjet në gjendje të mjerueshme ekonomike, të cilëve u ka hequr bukën e fëmijëve, për një arsye fare të thjeshtë, sepse nuk i ka prioritet ata njerëz, sepse kur vjen në pushtet me paratë e krimit, nuk të bëhet vonë për njerëzit e thjeshtë.Kjo është arsyeja përse janë hequr, me urdhër të Edi Ramës, nga lista e ndihmës ekonomike.

Ku ka shkuar tani, të takojë prapë Sajmir Tahirin, që nuk ka burrërinë ta takojë as në kafe, por shkon dhe e takon vjedhurazi si minj nëpër skutat e spitaleve. Shpikin edhe sëmundje të paqena. Sepse kanë një sëmundje, të madhe dhe të përbashkët. Kokainën. Jo atë që konsumojnë të dy, siç e dini të gjithë ju, po atë që e sjellin me kontenierë, me 180 milionë euro ngarkesë.

I kanë të dyja këmbët në një këpucë.

Lërini përrallat me rusë, shikoni faktet me kolumbianë.

Dhe sot këtu jemi për ekonominë. Sot këtu jemi përmbi 30 mijë familje që ishin dhe nuk janë më në skemën e ndihmës ekonomike, që sot nuk kanë asnjë grusht miell për fëmijët e tyre. Që sot shkojnë të shesin gjakun e trupit për të siguruar drekën apo darkën apo vaktin e vetëm, për një apo dy ditë, për fëmijët e parritur, të deformuar në trup dhe në shpirt nga hallet dhe mjerimi që imponon varfëria.

Edi Rama që largohet që këtej tregon fare qartë se çfarë prioritetesh ka, siç ia tregon qartë buxheti i shtetit.

25 milionë dollarë për Arben Ahmetaj dhe inceneratorët e tij do të ishin baraz me 47 pagesa mesatare të ndihmës ekonomike. Që të mos japë përgjigje, zhduket dhe ulet skutave me Sajmir Tahirin, apo pronarin e vërtetë, të kokainës së Maminasit dhe Xibrakës.

Blerje zyrash, 13 mijë pagesa vjetore mund të kryheshin me ato 687 milionë lek.

Rikonstruksione dhe ndërtime zyrash, 17 mijë familje mund të merrnin ndihmën ekonomike me ato 871 milionë lek të reja.

Blerje makinash, 6 mijë ndihma ekonomike vjetore mund të jepeshin.

Për këto të vijë të japë përgjigje këtu. (I drejtohet Gramoz Ruçit) prandaj është thirrur këtu, pezullo seancën, thirre prapë Edi Ramën këtu, thuaji ta ndërpresë kafen me Sajmir Tahirin, apo me bosin e kokainës.

* Fjala e kryetarit të PD dhe ndërhyrja për procedurë, sot në Parlament

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY