DOKUMENTET & KRITERET/ Kushtet që duhen plotësuar për të përfituar pension nga...

DOKUMENTET & KRITERET/ Kushtet që duhen plotësuar për të përfituar pension nga Italia

383
0
Shares

Të gjithë shqiptarët që kanë jetuar e punuar në Itali mund të përfitojnë pension nga shteti fqinj, në momentin që plotësojnë kriteret e nevojshme. Sipas ligjit italian, në momentin kur personi merr vendimin për t’u riatdhesuar përfundimisht në Shqipëri, atëherë mund të marrë pension, bazuar në dy mënyrat e përllogaritjes sipas sistemit kontributiv dhe atij retributiv.

Mosha 66 vjeç e 7 muaj është kushti i parë për të përfituar pension, ndërsa kriteri i dytë është minimum 5 vite kontribute. Ndërkaq, punonjësit e siguruar deri në datën 31.12.1995, kanë të drejtën e daljes në pension në qoftë se mund të plotësojnë të paktën 20 vjet kontribute dhe punonjësit e siguruar pas datës 31.12.1995, kanë të drejtën e daljes në pension në qoftë se ata mund të kenë jo më pak se 5 vjet kontribute dhe e përfitojnë pensionin në moshën 70 vjeç.

Por në rast se kandidati është regjistruar pranë INPS dhe ka paguar kontribute mbas datës 01.01.1996, në rast se merr statusin e të riatdhesuarit, përfiton pension me moshat zyrtare të daljes në pension në Itali, pa qenë domosdoshmëria e plotësimit të moshës 70 vjeç, me jo më pak se 5 vite kontributive. Aktualisht, mosha e daljes në pension për burrat është 66 vite e 7 muaj.

Aktualisht janë rreth mbi 500 mijë emigrantë në Itali. Nënshkrimi i një marrëveshjeje bilaterale me shtetin fqinj do të sillte edhe më shumë përfitime për emigrantët shqiptarë, sepse do të mundësonte llogaritjen e viteve të kontributeve në të dy vendet. Ndërkaq po punohet për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje në mënyrë që edhe ata emigrantë që kanë punuar në të dyja vendet, e jetojnë në Itali, të mund të përfitojnë pension, pa qenë e nevojshme të riatdhesohen. Së shpejti pritet që Shqipëria të finalizojë marrëveshjet me Italinë dhe Greqinë pasi në këto dy vende jeton dhe punon numri më i madh i emigrantëve shqiptarë.

Përllogaritja
Sistemi i ri i pensioneve italiane parashikon dy mënyra llogaritjesh për pensionin: sistemi kontributiv sipas kontributeve që ka derdhur gjatë jetës dhe sistemi retributiv sipas rrogave që ka marrë. Për punonjëset femra të punësuara në sektorin privat filloi një rritje graduale e moshës që arriti deri në 63 vite e 9 muaj. Po kështu mosha e daljes në pension të burrave u bë 66 vjeç. Në rastin e pensionit që llogaritet mbi bazën e sistemit kontributiv punonjësve ekstrakomunitarë, të punësuar pas 1 janarit 1996, mund të përfshihen për pension pleqërie në rast riatdhesimi, me plotësimin e 66 viteve e 7 muaj, edhe nëse nuk kanë plotësuar 20 vite kontribute. Ndërsa në rastin ku pensioni që llogaritet sipas sistemit retributiv punonjësit ekstrakomunitarë, punësuar para periudhës 01.01. 1996, mund të përfshihen, në rast riatdhesimi, me pension pleqërie, vetëm kur plotësojnë jo më pak se 20 vite kontribute.

Pension invaliditeti
Pensionin e invaliditetit, e përfitojnë punonjësit që rezultojnë me paaftësi të përhershme për të kryer ndonjë punë për shkak të një sëmundjes apo defekti fizike ose mendor, me humbjen e mbi 74 për qind të aftësisë për punë, të cilët duhet të kenë jo më pak se pesë vite kontribute nga të cilat tre vite kontribute në pesë vitet që i paraprinë datës se paraqitjes së aplikimit. Kushti themelor për të riatdhesuarit është që ata të çregjistrohen nga listat e rezidencës në komunat përkatëse italiane, për të dëshmuar kthimin e tyre përfundimtar në Shqipëri. Për ata që riatdhesohen përfundimisht ka disa lehtësira. Personat e punësuar pas 1 janarit 1996, mund të përfshihen për pension pleqërie në sistemin kontributiv, me plotësimin e moshës (66 vjeç e 7 muaj) edhe në qoftë se nuk kanë plotësuar 20 vitet e kontributeve standard

Dokumentacioni
Për të marrë statusin e të riatdhesuarit, janë të domosdoshme një sërë dokumentesh, të tilla si: vërtetim nga njësia vendore e pushtetit lokal të zonës, që të përmbajë datën e saktë të hyrjes përfundimtare në atdhe si dhe adresën e tij aktuale; fotokopje të pasaportës, duke përfshirë edhe faqen ku ndodhet vula e fundit e kthimit në Shqipëri; vërtetim nga organet kompetente në atdhe, që kanë ndërprerë aktivitetin e punës; dokumenti i çregjistrimit nga komuna ku emigranti ka qenë banues në Itali. Këto dokumente duhet të përkthehen nga përkthyes të miratuar nga Ambasada Italiane në Tiranë, lista e së cilës ndodhet ne webin e ambasadës dhe duhen miratuar nga kjo e fundit. Pas përgatitjes së këtyre dokumenteve, personat e interesuar duhet të marrin një takim në Patronato Inas Cisl Albania për të paraqitur këta dokumente dhe për të bërë kërkesën për pensionin italian. Një nga problemet serioze të migrantëve shqiptarë është informacioni. Vështirësitë e procesit migrator, përfshirë edhe ato të gjuhës, ndikojnë negativisht mbi njohjen e të drejtave të migrantëve, të cilët shpeshherë nuk i gëzojnë ato thjesht për mosnjohje të legjislacionit.

Duhet të dini që institucionet dhe ndërmjetësuesit e autorizuar, siç janë patronatet, ofrojnë për qytetarët shërbimet e nevojshme telematike. Patronati INAS CISL Albania ofron shërbime falas për të gjithë emigrantët shqiptarë që kanë punuar e punojnë në Itali.

Kriteret

  • Mosha 66 vjeç e 7 muaj është kushti i parë për të përfituar pension. Kriteri i dytë është minimum 5 vite kontribute.
  • Punonjësit e siguruar deri në datën 31.12.1995, kanë të drejtën e daljes në pension në qoftë se mund të plotësojnë të paktën 20 vjet kontribute.
  • Punonjësit e siguruar pas datës 31.12.1995, kanë të drejtën e daljes në pension në qoftë se ata mund të kenë jo më pak se 5 vjet kontribute dhe e përfitojnë pensionin në moshën 70 vjeç.

Dokumentacioni

  • Për të marrë statusin e të riatdhesuarit, janë të domosdoshme këto dokumente:
  • Vërtetim nga njësia vendore e pushtetit lokal të zonës, që të përmbajë datën e saktë të hyrjes përfundimtare në atdhe si dhe adresën e tij aktuale.
  • Fotokopje të pasaportës, duke përfshirë edhe faqen ku ndodhet vula e fundit e kthimit në Shqipëri.
  • Vërtetim nga organet kompetente në atdhe, që kanë ndërprerë aktivitetin e punës.
  • Dokumenti i çregjistrimit nga komuna ku emigranti ka qenë banues në Itali.
  • Pas përgatitjes së këtyre dokumenteve, personat e interesuar duhet të marrin një takim në Patronato Inas Cisl Albania për të paraqitur këta dokumente dhe për të bërë kërkesën për pensionin italian.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY