DETAJE/ Aksidenti në Maminas, ja pse nuk u lejua që 23-vjeçarja të...

DETAJE/ Aksidenti në Maminas, ja pse nuk u lejua që 23-vjeçarja të udhëtonte drejt Italisë

237
0
Shares

Detaje të tjera janë zbuluar për 23-vjeçaren e cila humbi jetën në aksidentin e të mërkurës mbrëma në autostradën Tiranë-Durrës.

Mësohet se Elena Avdillari ka hyrë rreth orës 21.00 të së mërkurës dhe ka bërë check-in në Portin e Durrësit. Pas check-init, Avdillari është kthyer nga Policia Kufitare pasi kishte shumë hyrje-dalje nga Shqipëria drejt Italisë. Vetëm, për vitin 2017 mësohet se 23-vjeçarja ka bërë 14 hyrje në këtë port, bën të ditur “Panorama”.

Po ashtu mësohet se policia italiane kishte informacione se Elena Avdillari punonte në punë të paligjshme në shtetin fqinj dhe për këtë autoritetet italiane i kishte kërkuar autoriteteve shqiptare për mos lejimin e saj drejt Italisë.

E reja nisej drejt Italisë me traget nga Durrësi dhe kthehej me avion nga Rinasi. E reja kishte tentuar të udhëtonte edhe në 10 janar drejt Italisë, nëpërmjet aeroportit të Rinasit, por sërish e kishin kthyer.

Aksidenti i rëndë ndodhi pak para mesnatës së të mërkurës, rreth orës 23:30. Elena Abdillari ishte nisur për në Itali, për rrethana ende të paqarta ajo nuk është ngjitur në traget, por është rikthyer (në çantë iu gjet bileta vetëm vajtje).

Ajo ka marrë në Durrës taksinë e drejtuar nga Bujar Agalliu për t’u kthyer në Tiranë. Por gjatë rrugës, në afërsi të Maminasit, sipas Policisë, makina tip “Benz” me targa AA 060 SP, e ka goditur nga mbrapa mjetin taksi me targa DR 475 TX.

Drejtuesi 60-vjeçar ka humbur kontrollin dhe makina ka ecur disa metra duke u përplasur me bordurën e një karburanti. Sipas ekspertëve që po hetojnë ngjarjen, drejtuesi i “Benz”-it po lëvizte me rreth 150 km/orë, kurse taksia me 80 km/orë. Dyshohet se për shkak të rrugës mjaft të amortizuar së fundmi, shoferi i taksisë ka qarkulluar në korsinë e shpejtësisë, ndonëse ka qenë me rreth 80 km.

“Benz”-i, që ka qenë me shpejtësi të madhe, i ka bërë sinjal me drita për të hapur krahun. Taksia e ka hapur pjesërisht, por për shkak të errësirës dhe shpejtësisë së madhe, “Benz”-i e ka goditur në fenerin e majtë atë.

Taksia ka ecur disa metra dhe në kohën që është afruar te karburanti, marmita i ka kapur në bordurë dhe është ngritur në ajër, ka bërë një rrotullim dhe është kthyer përmbys, ashtu si edhe u gjet. Taksisti dhe vajza që ishte në sediljen e pasagjerit kanë vdekur në vend.

Burime nga grupi i hetimit, bëjnë me dije se po hetohet në dy pista, ku veç ngjarjes aksidentale për shkak të shpejtësisë së “Benz”-it, nuk përjashtohet edhe një ngjarje e mundshme e qëllimshme. Në mjetin tip “Benz” nuk është gjetur asnjë shtetas, pasi drejtuesi i saj e ka braktisur dhe ia ka mbathur menjëherë.

Në sediljen e parë të mjetit “Benz” janë gjetur njolla gjaku.

Gjithashtu në të janë gjetur të hapur të dy airbeg-ët, si dhe janë gjetur njolla gjaku brenda në pjesën e shoferit. Nga verifikimi i kryer nuk rezulton asnjë person të ketë shkuar për ndihmë në spital.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY