Në Top Story, Luan Rama përsëriti disa prej qëndrimeve të shprehura shpesh javën e fundit nga Ylli Manjani dhe eksponentë të lartë të Lëvizjes Socialiste për integrim.
Ai foli për rritje në përmasa të mëdha të sipërfaqeve të mbjella me drogë gjatë 2016-s.
“Shqipëria në 2016 rezultoi një plantacion me drogë. Ky është një dështim i qeverisjes kundër aktivitetit kriminal të trafikimit dhe kultivimit të drogës. Kjo nuk është një luftë vetëm e policisë. Ka disa aktorë që kanë detyrime ligjore për të përmbushur. Nëse jemi përballë këtij realiteti dhe ne ngremë zërin se kjo veprimtari mori këto përmasa për shkak të mosveprimit të duhur edhe të Policisë së Shtetit edhe të organeve të tjera ligj-zbatuese”, u shpreh ai.
Sipas tij prapavija politike dhe segmente të policisë, janë të përfshira në kultivimin e drogës.
“Nuk mund të kishte këto përmasa kultivimi i drogës pa një prapavijë politike edhe pa mbështetje nga segmente të Policisë së Shtetit. Ka rezultuar se oficerë të policisë janë kapur dhe janë lajmëruar kultivuesit dhe trafikantët se po vjen policia. Duhet të reflektohet dhe të mblidhen institucionet dhe të reagohet që të mos përsëritet më ky fenomen”, deklaroi Rama.
Luan Rama u ndal te marrëdhëniet mes LSI-së dhe PS-së dhe reformat e ndërmarra.
Ai la të kuptohej se forca e tij politike ka votuar disa prej reformave me rezerva. Luan Rama foli për dy reforma të dështuara të kësaj qeverie, në arsim dhe reformën zgjedhore. Si të suksesshme, ai vlerësoi reformën në drejtësi.
Kryetari i Kuvendit dhe i LSI-së, Ilir Meta kërkoi mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare për çështjen “Balili” pasi, siç tha Luan Rama, ka një mungesë koordinimi mes institucioneve të sigurisë për ndalimin e tij.
Në vijim të fjalës në Top Story, Rama veç kësaj përmendi edhe kërkesën amerikane drejtuar Metës.
“Ka një mungesë funksionimi në koordinimin e institucioneve të sigurisë që bënë që sot personi në fjalë të mos jetë para institucioneve të drejtësisë. Metës i është kërkuar zyrtarisht në SHBA që të ndikojë që institucionet e sigurisë të përshpejtojnë ritmin për kapjen e këtij individi dhe për të dëshmuar që shteti është më i fortë. Këtë Meta ja kërkon kryetarit të shtetit përmes Këshillit të Sigurisë Kombëtare për të analizuar këtë gjë”, u shpreh Rama.
Kreu i grupit parlamentar të LSI-së shkoi edhe më tej, kur foli për elementë brenda strukturave shtetërore që mbrojnë Balilin.
“Brenda strukturave të shtetit në përgjithësi dhe brenda strukturave të Policisë së Shtetit në veçanti, po ashtu të prokurorisë, është ndihmuar Balili”, tha ai.
Luan Rama hodhi poshtë disa akuza se Balilin e mbron LSI-ja.
“Është shprehja më tipike e gjykimit mbi bazat e biografisë së regjimit. Ai është individ dhe përgjigjet si i tillë. Ka qenë një alibi që thotë se nuk arrestohet Balili se e mbron LSI. LSI nuk mbron askënd. Për shkak të LSI-së nuk është i imunizuar askush në këtë vend nëse shkel ligjin”, deklaroi kreu i grupit parlamentar të LSI-së.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/