EMERGJENCAT CIVILE/ Moti i keq shirat bora dhe gjendja e akseve rrugore...

EMERGJENCAT CIVILE/ Moti i keq shirat bora dhe gjendja e akseve rrugore në të gjithë vendin

170
0
Shares

Emergjencat Civile kanë dhënë informacion sa i përket situatës në të gjithë vendin për shkak të motit të keq. Sasia më e madhe e reshjeve ka rënë në qytetet e Korçës dhe të Vlorës, ndërsa të bllokuara janë rruga rurale që lidh fshatin Lojme me Kukësin dhe aksi rural drejt njësisë administrative Arrën.

Gjatë 24 orëve të kaluara mbi vendin tonë ka mbizotëruar mot me vranësira të dendura, reshje shiu në të gjithë vendin dhe reshje dëbore në lartësitë e zonave malore. Në zonën veriore ka pasur reshje shiu të herë pas hershme me intensitet të ulët deri mesatar dhe lokalisht të lartë në pjesën e dytë të ditës. Në zonat malore në lartësitë mbi 400 metër ka pasur reshje dëbore.

Në zonën qendrore ka pasur reshje shiu të herë pas hershme, fillimisht me intesitet të ulët dhe më pas me intesitet mesatar dhe të lartë, breshër lokal pas mesditës. Në relievet malore në lartësitë mbi 800 metër ka pasur reshje dëbore. Në zonën jugore ka pasur reshje shiu të herë pas hershme, shtrëngata dhe stuhi lokale. Intesiteti më i lartë i reshjeve ka qenë në pjesën e dytë të ditës, shoqëruar me breshër të izoluar. Në lartësitë mbi 500 metër ka pasu reshje dëbore.

Sasia më e madhe e reshjeve të shiut të rregjistruara gjate natës  është shënuar: në Korçë  me 35.0 mm, Vlorë  33.0 mm, ndërsa në pjesën tjetër të vendit më pak se 17.0 mm reshje shiu.

Qarku Shkodër.

Bashkia Shkodër.

Aksi rrugor rural Shkodër-Theth është i bllokuar nga dëbora në vendin e quajtur Qafë Thore. Reshje dëbore kanë rënë gjatë ditës së djeshme dhe mëngjesit të sotëm.

Aksi rrugor rural Shkodër-Breg Lumi, në vendin e quajtur Mali Shoshit, është i bllokuar pasi ka rreth 30 cm dëbore.  Reshje dëbore kanë rënë gjatë ditës së djeshme dhe mëngjesit të sotëm.

Bashkia Malësi e Madhe.

Aksi rrugor rural Selcë-Vermosh është i kalueshëm me zinxhirë në vendin e quajtur Qafa e Bordolecit pasi ka rreth 40 cm dëbore. Reshje dëbore kanë rënë gjatë ditës së djeshme dhe mëngjesit të sotëm.

Aksi rrugor rural Koplik-Razëm-Bogë është i kalueshëm. Në këtë aks rrugor ka rreth 20 cm dëbore që kanë rënë gjatë ditës së djeshme dhe mëngjesit të sotëm.

Bashkia Vau Dejës.

Akset rrugore janë të kalueshme në zonat malore të bashkisë Vau-Dejës, ku ka pasur reshje dëbore që kanë rënë gjatë ditës së djeshme dhe mëngjesit të sotëm.

Bashkia Pukë.

Territori i bashkisë Pukë prej mëngjesit e deri aktualisht është përfshirë nga reshjet e borës.

Deri në këto momente situata paraqitet pa probleme, ndërkohë që reshjet e dëborës vijojnë të bien me intensitet deri të lartë. Trashësia e borës në qytet është mbi 10 cm, ndërsa në lartësitë malore i ka kaluar rreth 20 cm.

Të gjithë akset rrugore nacionale dhe rurale në territorin e bashkisë Pukë janë të kalueshme pa probleme. Në akset rrugore nacionale mjetet e subjektit kontraktor që mirëmbajnë këto akse po punojnë me intensitet. Në aksin rrugor nacional Pukë-Fushë Arrëz, si dhe anasjelltas,  është e domosdoshme hedhje më shumë e kripës në rrugë, pasi në disa segmente rruge ka rrezik rrëshqitje të automjeteve.

Një mjet fadromë që disponon bashkia është në gatishmëri për të ndërhyrë në çdo rast kur është e nevojshme.

Bashkia Fushë-Arrëz.

Akset rrugore nacionale janë të hapura. Në disa segmente rrugore kalimi është me vështirësi dhe rekomandohet përdorimi i zinxhirëve.

Aksi rrugor rural Fushë Arrëz-Iballë është hapur. Kalimi i automjeteve kryhet me vështirësi dhe rekomandohet përdorimi i zinxhirëve pasi ka rreth 20 cm dëborë. Po punohet për mbajtjen hapur të këtij aksi rrugor pasi reshjet e dëborës po vazhdojnë të bien dhe i kalojnë 50 cm në disa segmente të tij.

Akset rrugore rurale të tjera që lidhin njësitë administrative të kësaj bashkie janë aktualisht të hapura dhe kalimi bëhet nga automjetet por është i nevojshëm përdorimi i zinxhirëve.

Një fadromë  e bashkisë vazhdon të punojë për të penguar bllokimin e segmenteve rrugore.

Qarku Kukës.

Qarku i Kukësit ka pasur reshje dëbore dhe reshje shiu të shoqëruara me erëra të forta nga verilindja. Aktualisht ka reshje sporadike të dëborës me intesitet të ulët.

Akst rrugore.

Akset rrugore nacionale që përshkojnë qarkun janë nën prezencën e borës dhe efektin  e rënies së gurëve dhe dherave prej skarpateve.

Aktualisht është kjo gjendje në akset rugore, të cilat janë prekur nga këto kushte atmosferike:

Rruga e Kombit është e kalueshme normalisht. Po punojnë 4 borëpastruese dhe 4 borëpastruese janë në gatishmëri. Lartësia e borës në Tunel-Kalimash është 10 cm.

Aksi rrugor Kolsh-Qafë Shllak është i kalueshëm me zinxhirë. Po punojnë 2 borëpastruese dhe 2 borëpastruese janë në gatishmëri. Lartësia e borës është rreth 10 cm.

Aksi rrugor Kukës – Bushtricë është i kalueshëm normalisht. Në gadishmëri janë 2 borëpastruese. Lartësia e borës është rreth 5 cm.

Aksi rrugor Kukës – Ura e Zapodit e kalueshme normalisht. Në gadishmëri është 1 borëpastratuese dhe 1 fadromë.

Aksi rrugor Kukës – Krumë – Qafë Prushi – Kam është i kalueshëm normalisht. Po punojnë 1 borëpastruese dhe 1 fadromë. Lartësia e borës në Qafë Tobli është rreth 8 cm dhe në Qafë Prushi është rreth 9 cm.

Aksi rrugor Bajram Curri-Kam është i kalueshëm normalisht. Po punojnë 2 borëpastruese. Lartësia e borës në Qafë Luzhë është rreth 5 cm.

Aksi rrugor Bajram Curri – Valbonë është i kalueshëm normalisht. Po punojnë 3 borëpastruese dhe 1 fadromë. Lartësia e borës në Valbonë është 40 cm.

Aksi rrugor Qafë Morinë – Bajram Curri – Fierzë – Lekbibaj është i kalueshëm normalisht. Po punojnë 2 borëpastruese. Lartësia e borës në Qafë Morinë është rreth 12 cm.

Gjithsej nga subjektet kontraktore janë në punë 16 mjete me 64 punëtorë, ndërsa 10 mjete janë në gatishmëri.

Akse të bllokuara.

Aksi rrugor rural që lidh fshatin Lojme të njësisë administrative Zapod me bashkinë Kukës.

Aksi rrugor rural që lidh njësisë administrative Arrën me bashkinë Kukës.

Nga bashkitë janë në punë 15 punonjës dhe 4 mjete.

Qarku Dibër.

Qarku Dibër u përfshi paraditen e djeshme nga reshje të dobëta shiu dhe dëbore, ndërsa në orët e pasdites reshjet e shiut filluan me intensitet më të lartë, shoqëruar me dëborë të dendur që në disa zona arriti deri në 40 cm.

Aktualisht reshjet vazhdojnë por me intensitet më të ulët.

Për shkak të reshjeve gjendja në infrastrukturën rrugore paraqitet si më poshtë vijon:

Në të gjithë qarkun rrugët nacionale janë të qarkullueshme.

Problem është çfaqur në segmentin e aksit rrugor nacional Qafë Bualli-Martanesh, bashkia Bulqizë, pasi nga reshjet e dëborës është bllokuar ky segment, por është punuar me fadromë nga subjekti kontraktor, i cili po mban këtë aks rrugor të hapur.

Problem përbën segmenti rrugor nacional Ura e Qytetit-Zerqan, bashkia Bulqizë, ku ka prani të mbi 25-30 cm dëborë, rruga e bllokuar. Po punon subjekti kontraktor për hapjen e saj.

Gjithashtu, problem në qarkullim nga reshjet e dëborës përbën rruga nacionale Ura e Çerenecit-Steblevë, ku kalohet me vështirësi.

Rruga rurale Klenjë-Trebisht-Ostren, është e bllokuar pasi ka prani të mbi 40 cm dëborë.

Në bashkinë Dibër, problem nga dëbora përbën rruga rurale Selishtë-Peshkopi dhe rruga rurale Peshkopi-Lurë, në të cilat kalohet me vështirësi pasi ka prani të mbi 30-35 cm dëborë.

Në aksin rrugor nacional Trebisht-Doganë si pasojë e rënies së inerteve në rrugë dhe dëborës që krijoi trashësi rreth 40 cm ka pasur fillimisht mesditën e djeshme bllokim të përkohshëm të njërit kah të aksit rrugor në një gjatësi prej rreth 1.5 km, por nga bashkia Dibër dhe subjekti kontraktor kanë punuar me 1 mjet mjet dhe forca duke hapur rrugën dhe normalizuar situatën. Gjatë orëve të natës së djeshme, po për shkak të rënies së inerteve në rrugë dhe dëborës së dendur që ka vazhduar të bjerë, ky aks rrugor është bllokuar sërish dhe nuk është bërë e mundur të hapej me mjetin e subjektit kontraktor, forcat e tij dhe të bashkisë. Sot, do të dërgohen mjete dhe forca të bashkisë Bulqizë dhe ARRSH, të cilat do të punojnë për hapjen e këtij aksi rrugor.

Qarku Elbasan.

Akset rrugore nacionale dhe rurale janë të gjithë të hapura dhe qarkullohen pa probleme. Vetëm në aksin rrugor Librazhd-Steblevë, segmenti Fushë Studen-Steblevë është i bllokuar nga dëbora me trashësi rreth 50 cm. Po punohet nga subjekti kontraktor për hapjen e këtij segmenti rrugor.

Gjatë mesditës së djeshme pati reshje të dendura dëbore dhe për këtë arsye pati vështirësi në qarkullimin e automjeteve në aksin rrugor nacional Prrenjas-Qafë Thanë. Prefekti i Qarkut Elbasan angazhoi menjëherë subjektin kontraktor, i cili me mjetet borëpastruese normalizoi në një kohë të shpejtë qarkullimin e automjeteve. Policia Rrugore udhëzoi drejtuesit e automjeteve që të vendosnin zinxhirët për qarkullimin në këtë aks rrugor. Aktualisht, në këtë aks rrugor qarkullohet normalisht nga automjetet por duke përdorur zinxhirët.

Qarku Korçë.

Gjatë mesditës së djeshme pati reshje të dendura dëbore dhe për këtë arsye pati vështirësi në qarkullimin e automjeteve në aksin rrugor nacional Pogradec-Qafë Thanë. Prefekti i Qarkut Korçë angazhoi menjëherë të gjithë strukturat vendore përgjegjëse, si dhe subjektin kontraktor të mirëmbajtjes së këtij aksi rrugor. Subjekti kontraktor angazhoi 5 mjete borëpastruese për pastrimi e rrugës nga dëbora. Policia Rrugore ju dha udhëzim drejtuesëve të automjeteve që të vendosnin zinxhirët për qarkullimin në këtë aks rrugor. Situata u përmirësua në një kohë të shpejtë dhe automjetet qarkulluan normalisht por duke përdorur zinxhirët. Rreth orës 20:00 të mbrëmjes së djeshme në aksin rrugor nacional Qafë Thanë-Qafë Plloçë filluan të bien reshje të dendura dëbore. Prefekti i Qarkut Korçë i dërgoi shkresë me email QKOEC pranë DPEC, me të cilën kërkonte mbështetje me 1 fadromë nga Ministria e Mbrojtjes për të mbajtur të hapur këtë aks rrugor. QKOEC i dërgoi shkresë me email QBO të SHPFA, në Ministrinë e Mbrojtjes, për dërgimin e mjetit fadromë të kërkuar nga Prefekti i Qarkut Korçë.

Trashësia e dëborës në disa zona rurale si në Dardhë, Velçan, Trebinjë, ka arritur deri në 50 cm, si dhe rreth 15-20 cm në zonat Voskopojë, Qafë Thanë, Vithkuq, Qafë Qarri dhe Qafë Plloçë.

Aktualisht akset rrugore nacionale janë të kalueshme normalisht me përjashtim të aksit rrugor Boboshticë-Dardhë ku qarkullimi bëhet me zinxhirë.

Ne segmentin rrugor rural Voskopojë-Lekas 19 km po punohet për hapjen e tij.

Qarku Vlorë.

Nga reshjet shumë intensive të rëna gjatë mesditës në qytetin e Vlorës ka pasur rritje të nivelit të ujit në disa rrugë.

Rrugët janë kaluar me vështirësi për disa minuta, por situata u normalizua shpejt me pushimin e reshjeve dhe rrugët u bënë të kalueshme pa probleme. Strukturat e UK Vlorë punuan në terren për normalizimin e situatës.

Të 3 mjetet vetëshkarkuese të tonazhit të lartë të kërkuara dje nga Prefekti i Qarkut Vlorë pranë Ministrisë së Mbrojtjes për bërë mbushje (përforcimin me gurë) të  argjinaturës dhe trasesë së hekurudhës në Novoselë, të cilat rrezikoheshin nga prurjet e lumit Vjosa, u mundësuan të dërgoheshin nëpërmjet QKOEC së DPEC duke mbërritur dhe filluar punën gjatë pasdites së djeshme pranë Urës së Mifolit në Novoselë. Mjetet dhe forcat kanë punuar gjatë gjithë natës duke kryer një volum të madh pune duke përforcuar argjinaturën dhe trasenë e hekurudhës. Prurjet e lumit Vjosa kanë qenë të larta por nën kufirin kritik dhe nuk kanë krijuar probleme në të gjithë qarkun.

Qarku Durrës.

Dje, në skarpatën e digës së rezervuarit të Tapizës të njësisë administrative Nikël, bashkia Krujë, është riaktivizuar rrëshqitja e ndodhur disa kohë më parë. Prefekti i Qarkut Durrës dhe bashkia Krujë kanë angazhuar strukturat vendore. Specialistët përkatës filluan të kryejnë menjëherë shkarkime normale dhe të kontrolluara për të ndërhyrë më pas për të mbushur me gurë, inerte, etj, zonën e rrëshqitjes së skarpatës së digës së rezervuarit.

Qarku Tiranë.

Dje, rreth orës 18:00, Salla e Operative e Drejtorisë së Policisë Vendore Tiranë ka lajmëruar bashkinë Tiranë se në Qafë Priskë janë bllokuar nga dëbora 4 furgona dhe 5 autovetura.

Bashkia Tiranë ka marrë masat duke dërguar forca dhe mjete dhe ka zgjidhur situatën e krijuar me nxjerrjen e automjeteve të bllokuara nga dëbora.

Dje, në njësinë administrative Helmas të bashkisë Kavajë, një urë që lidh fshatin me bashkinë është mbuluar nga ujërat e përroit të zonës që pati rritje të lartë të nivelit të ujërave prej reshjeve dhe prurjeve të mëdha. Kjo ka bërë të pamundur kalimin për disa orë të automjeteve për në bashkinë Kavajë dhe anasjelltas. Forca dhe mjete të bashkisë kanë shkuar në vendngjarje dhe pas kryerjes së disa punimeve kanë normalizuar situatën.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY