PADIA E PLOTË/ Ja për çfarë është kallëzuar Edi Rama, që duhet...

PADIA E PLOTË/ Ja për çfarë është kallëzuar Edi Rama, që duhet ta hetojnë Krimet e Rënda

388
0
Shares

Petrit Vasili, kryetari i Grupit të LSI, deklaroi sot se e vetmja forcë politike që nuk e do drejtësinë është Rilindja e kryeministrit Edi Rama. Po ashtu, njoftoi se LSI-ja e ka depozituar sërish padinë e ngritur ndaj Ramës, për thirrjen që ai i bëri Policisë së Shtetit gjatë fushatës elektorale që të mblidhte vota për PS-në.

Konferenca  plotë për shtyp e Kryetarit të Grupit Parlamentar të LSI-së Petrit Vasili

Jemi në këtë komunikim së bashku lidhur me momentin e rifillimit të sesionit parlamentar në datën 15, ku Lëvizja Socialiste për Integrim konfirmon pjesëmarrjen e saj në këtë seancë hapje dhe njëkohësisht jemi këtu së bashku për të ndarë me publikun dhe disa qëndrime dhe pozicionime politike shumë të qartë politike të LSI-së lidhur dhe me procesin politik në Kuvend por njëkohësisht dhe me Reformën në Drejtësi. Pikësëpari kemi dëgjuar prej një kohe të gjatë dhe në mënyrë të vazhdueshme një maskaradë të vazhdueshme të Partisë Socialiste dhe të folëse apo suflerëve të saj lart e poshtë lidhur me dëshirën e tyre për Reformën në Drejtësi. Jam këtu për të konfirmuar njëherë e përgjithmonë që e vetmja forcë politike që nuk e do Reformën në Drejtësi, por kërkon vetëm një Drejtësi të kapur është Rilindja e Kryeministrit Edi Rama. Lëvizja Socialiste për Integrim ka qenë ajo që me votën e saj ka bërë të mundur që në Shqipëri të ketë një Reformë në Drejtësi, ka qenë ajo që ka zhbllokuar ngërçin në momentet me delikate të Reformës në Drejtësi, ka qenë ajo që ka promovuar, ka mbështetur dhe ka realizuar konsensuse të gjera, siç ka qenë ai konsensus, i cili miratoi një Reformë në Drejtësi me 140 vota, një konsensus jo vetëm historik, i domosdoshëm, me një rëndësi  politike të jashtëzakonshme për vendin, por që njëkohësisht i hapi rrugën kësaj reforme në Shqipëri. Gjithashtu jam këtu që ti rikujtoj të tërë mendje-humburve të Partisë Socialiste që edhe ligji i Vetting-ut, një ligj i cili përbënte dhe zemrën e këtij procesi, ashtu sikurse është në të vërtetë, por ashtu sikurse është trumbetuar gjatë nga zëdhënësit dhe suflerët e Partisë Socialiste, është miratuar pra vetëm e vetëm me votat e Lëvizjes Socialiste për Integrim.  Po edhe kështu Ligji i Prokurorisë ku përmbahen dhe instrumentet e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, i cili është edhe një instrument bazik për ndërtimin e këtyre institucioneve, edhe ai mban vulën e votave të LSI-së, pa të cilat këto ligje nuk do të ishin sot në diskutim, pa të cilat nuk do të flisnim dot për Reformë në Drejtësi, dhe pa të cilat do të kishim një ngecje në vend të gjitha proceseve politike në vend dhe në mënyrë të veçantë të procesit të integrimit europian. Lidhur me procesin e integrimit europian, e vetmja forcë politike në mënyrë koherente ndër vite dhe sot, e cila ka vënë çdo gjë dhe nuk ka parë asnjë interes të sajin për integrimin europian ka qenë dhe mbetet Lëvizja Socialiste për Integrim. E tillë ka qenë koherente LSI, edhe kur Partia Socialiste duke vënë vetëm interesat e saj kundër interesave të vendit dhe duke penguar në mënyrë të pacipë integrimin europian thjesht dhe vetëm për një Prefekt në Fier bllokoi integrimin europian dhe tre ligjet që i kujtoni atëherë, dhe qe vetëm e vetëm kushti i pakapërcyeshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim në atë kohë për vazhdimin e mëtejshëm dhe të koalicionit politik që po ndërtohej me Partinë Socialiste që zhbllokoi situatën në atë moment shumë delikat. Dhe në të gjitha rastet e tjera LSI ka qenë promovuese e konsensusit, promovuese njëkohësisht edhe e zgjidhjeve që i hapin rrugë integrimit europian. Penguesit e mëdhenj kanë qenë pikërisht ata që sot janë Rilindja që ndodhet në pushtet, e cila nuk ka kursyer asnjë lloj fjale, balte meqë kanë qejf ta përdorin, kundra Shqipërisë, duke filluar nga bllokimi i tre ligjeve siç e mbani mend, deri te historitë e famshme me Griseldën e Kavajës vite më parë, e të tjera fëlliqësira që nuk janë kursyer t’ja hedhin Shqipërisë këta që sot flasin dhe kanë merak se përse po pengohet integrimi europian. Integrimin europian e pengon kapja e drejtësisë, votimi në mënyrë të dhunshme dhe antikushtetuese e Prokurorit të Përgjithshëm me 69 vota, marrja e tërë atyre vendimeve të mëdha që po merren në Prokurorinë e Përgjithshme në kundërshtim të plotë me Kushtetutën dhe me Reformën në Drejtësi që kemi miratuar të gjithë së bashku, atë Reformë që Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian bekuan, i dhanë mbështetje të jashtëzakonshme politike dhe të cilën e konsideruan si Reformë të tyre dhe të përgatitur prej tyre. Pra thënë e gjithë kjo, e vetmja forcë politike që ka pasur vullnetin për të qenë mbi çdo lloj interesi të sajin, duke mos pasur parasysh asnjë emër, pasi asnjë emër në drejtësinë shqiptare nuk është propozuar apo është kandidat i LSI-së, por që ka pasur merak vetëm miratimin e kësaj Reforme ka qenë dhe mbetet LSI. Gjithashtu jam këtu për të treguar njëherë e mirë se sa i nevojshëm është ky Reformim dhe përse ne e kemi mbështetur Reformën në Drejtësi. Ne e kemi mbështetur Reformën në Drejtësi dhe sot është një ditë e cila përkon dhe me një moment shumë të rëndësishëm pasi sot ne kemi depozituar para pak, ridepozituar padinë ndaj shtetasit Edi Rama, kryeministër sot në detyrë, lidhur me shkeljen flagrante të ligjit, të padëgjuar në 25 vjet, ku ai I bëri thirrje publikisht Policisë të linte dhe të braktiste detyrën, të merrte dhe të bënte vota për Partinë Socialiste. Duke tronditur rendin publik, sigurinë dhe duke rrënuar zgjedhjet e duke bërë njësh policinë me krimin. Policinë e udhëhequr nga ata që ishin e nuk janë më, qoftë në drejtimin e policisë apo në drejtim politik të Ministrisë së Brendshme. Pse e kemi ridepozituar dhe pse kjo padi sot është depozituar në Gjykatën e Krimeve të Rënda dhe në Gjykatën e Lartë? Për një arsye të thjesht. Po e ndaj me publikun. Pasi Prokuroria në kohë rekord brenda dy-tre javësh e shqyrtoi çështjen. Prokurori që nuk shqyrton çështjen me vite të caktuara, që nuk çon deri në fund hetimet për aferat kriminale të ish-ministrave, pra në dy javë e më pak, e mbylli. Këtu kam vendimin përgjigjen, për mbylljen e çështjes nga prokuroria. Të cilën ne e kemi ridepozituar sot. Këtë padi po e ridepozitojmë sërish dhe po e ndajmë me publikun se në çfarë pozicioni qesharak bëhet Prokuroria kur kapet, dhe kjo është prokuroria që do të kapi Edi Rama. Pasi prokuroria thotë që lidhur me deklaratën e kryeministrit, i referohet për ta shfajësuar dhe për të mbyllur çështjen, faljes që kryeministri kërkon në Facebook. Pra Shumë e thjeshtë, pra sipas kësaj Drejtësie, drejtësisë të Edi Ramës, një kriminel mund të vrasë e të kërkojë ndjesë dhe të mos vejë në burg. Një hajdut mundet që të vjedhë një pronë e të kërkojë ndjesë në  Facebook apo në Twitter çfarë të disponojë dhe të mos dënohet. Apo dikush tjetër të shkeli rregullat e qarkullimit rrugor dhe përsëri të kërkojë ndjesë dhe të mos dënohet. Dikush tjetër mund të bëjë dhunimin e  një personi, të një gruaje dhe të kërkojë prapë ndjesë dhe të mos dënohet. Ky është standardi që vendoset me këtë që i është bërë Edi Ramës për të mbyllur çështjen. Pasi siç e dini, dhe çfarë dëshire ka Edi Rama është vetëm një, të ketë dy drejtësi, një drejtësi për të që e mbyll për dy javë një çështje të caktuar dhe një drejtësi tjetër për ata qytetarë  të cilët për 30 mijë lekë të vjetra energji elektrike shkojnë në burg. Për një biznes i cili derdh djersë e gjak, bën një gabim në deklarim vete përsëri në burg. Plot njerëz të tjerë për shkelje nga më ordineret dhe duke vajtur I keni parë ndalohen sepse riparuan murin e shtëpisë, do shkojnë në burg. Kurse ky që shkatërroi zgjedhjet e Shqipërisë, shkatërroi themelet e demokracisë, ky nuk mund të shkojë në burg sepse kërkon falje në Facebook. Dhe këtë falje ia njeh prokuroria, mjafton thotë falja e tij në Facebook për të bërë gjithçka. Këtë lloj drejtësie ne e refuzojmë dhe le ta mbajnë ata që e duan. Dhe lidhur me këtë, jemi të prerë që seanca e konsumuar në parlament për  zgjedhjen e prokurorit të përgjithshëm, ishte një seancë që shënonte fundin dhe fillimin e kapjes së shtetit. Prandaj opozita ka kërkuar largimin e kryetarit të Kuvendit, z.Ruçi. Besoj qe një kërkesë legjitime, pasi prej kohësh kryetari i Kuvendit nuk ushtron më këto funksione pasi ai sot ka një kryetar Kuvendi plotësues atë defakto, të vërtetin që është Taulant Balla. Tani nga kjo rrethanë që e kemi këtë kryetar plotësues, se ne e dimë që duke ikur Gramoz Ruçi, PS do zgjedh atë që do por le ta zgjedh e ka gati. Ka kohë që e bën këtë detyrë Taulant Balla. E ka bërë mirë më përkushtim. Ka justifikuar të gjitha pacipësitë që bëhen në sallën e parlamentit, të gjitha paligjshmëritë, të gjitha rrënimet e procesit ligjor, në emër të integrimit europian që nuk mund të ndodhi, kur në Kuvendin e Shqipërisë hyn garda dhe me dhunë dhe rrëmben deputetët. Pra me elementët e një junte policore të mirëfilltë. Ndaj ne jemi këtu që ta mbështesim këtë dorëheqje pasi thashë ky kryetar plotësues, ky pionier i zellshëm, edhe qesharak sigurisht se në këtë është i pashembullt në këtë dimension, ta kryejë si duhet dhe të mos ta vërë më në atë pozicion qesharak që e vë kryetarin e Kuvendit, I cili pa folur fjalën e parë merr përkthimet përkatëse të partisë nga ana e Taulantit dhe korrigjimin për gabimet që mund të bëjë në mënyrë sistematike. Ndaj në mënyrë të prerë qëndrimi ynë është në mbështetja të plotë të Reformës në Drejtësi. Kemi kërkuar dhe mbështesim hapjen e negociatave për BE. Dhe njëkohësisht kemi mbështetur dhe do të mbështesim të gjithë reagimin e fortë qytetar, I cili kulmon në 27 Janar por nuk është i vetmi sepse dhe ky që ne bëjmë së bashku është një komunikim I gjerë me qytetarët. Dhe asnjë kompromis me antishtetin, me shtetin e mafies dhe me shtetin I cili kërkon të stabilizoj drejtësinë që burgos , vret qytetarët dhe rikthen drejtësinë e para viteve 90 ku qytetari ishte hiç përpara shteti edhe ishte njeri pa të drejta. Kështu që ky sesion që sapo hapëm do të shënojë hapjen e një fronti të gjerë pa kompromis për vendosjen e shtetit të së drejtës i cili është rrënuar, për shtetin që lufton trafiqet, që lufton koncensionet, hajdutllëkun, që zbardh të vërtetat siç është Lungomarja e Vlorës, çmimi I të cilës u bë sikur të ishte një çmim sikur Lungomarja të ishte prej floriri, pasi shkoi në 10 milionë e ca euro km. Pra tërë këto afera të zeza, te panumërta të kësaj qeverie është koha për ti denoncuar pa kompromis dhe pa kthim në mënyrë që Shqipëria të mos vazhdojë të lëngojë më.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY