HISTORIA/Tronditëse, kur babi akuzohet nga e bija për mashtrim

HISTORIA/Tronditëse, kur babi akuzohet nga e bija për mashtrim

201
0
Shares

Ramizi dhe Erida, babë e bijë vijnë nga Durrësi për t’u bërë pjesë e rubrikës “Shihemi në Gjyq” në “E Diela Shqiptare”. Erida ka dhënë një firmë, e cila i ka kushtuar shumë. Ajo sot gjendet në këtë seancë ndërmjetësimi për t`i kërkuar llogari të atit në lidhje me këtë firmë të hedhur, nga e cila ajo nuk ka përfituar asgjë. Erida Katreli nis të tregojë shqetësimin që e ka sjellë sot përballë të atit, por fillimisht i kërkon falje Zotit, pasi sipas fesë së saj, nuk i lejohet të dalë publikisht. “Prej vitit 2012 unë kam dhënë një firmë për tokën e gjyshit tim, ku babi im më premtoi që do të më japë shtëpi. Kur unë kam një djalë jetim, jam e vetme, përveç Zotit nuk kam askënd sepse edhe prindërit më anuan, më kanë lënë në një han. Më kanë veçuar sepse më kanë mashtruar me një firmë”. Ramizi i habitur shprehet: “Erida, të lutem shumë bab, për këtë punë më ke sjellë këtu? Po unë jam babi jot, s’jam njerku jot! Mua më mashtruan …“ Erida i thotë se nuk i intereson se kush e ka mashtruar, por ai nuk mund ta mashtronte atë, të bijën e tij, ndaj i kërkon zgjidhje për atë firmë.

Ramizi – Shkurt fare, unë do të bëj të pabërën!

Erida – Jo, absolutisht, nuk ke pse ta bësh!

Ramizi – Kam për ta bërë sepse ti je në vuajtje e sipër.

Erida – Unë prej teje kërkoj shtëpinë sepse po jetoj në një ballkon 2 metra.

Ramizi – Për hir të gjyshit tënd. Kishte shoqëri me filanin, që jemi ne në valle. Unë nuk do të pyes për shokun e babit tim. Vdiq gjyshi jot, vdiqa dhe unë! Ai ka dhjetëra pallate, komshinjve u dha, mua, që jam menaxheri i asaj pjese,  nuk më dha.

Erida – Kam jetimin në shtëpi. Më kërkon djali një tavolinë, ku të vendosë një libër që të mësojë! Mami ku është shtëpia që më premtove thotë.  Gjithë këto festa që bëhen, ku do t’i festojë një jetim?!

Ramizi – Ato lotët e tu s’do t’i lejë babi, jo! Edhe 2 vjet ke për të pritur se ika. Të bëjë vaki të mos e bëjë këtë punë ai,  do vish të më qash te varri!

Erida – Kam 6 vjet që pres, babi!

Ramizi shpjegon se ka trashëguar nga i ati një pronë 208 metra katrorë. Në vitin 2014 është bërë një deklaratë noteriale nga Ramiz Zylyfi, Erida Katreli dhe Olsi Xhymerti, ku Ramizi dhe Erida kanë marrë një apartament prej 62 metrash katrorë nga Olsi Xhymerti dhe më pas kanë pranuar që t’ia kthejnë këtij të fundit pa asnjë pretendim në të ardhmen.Ai i shqetësuar rrëfen se nuk ka patur dijeni se çfarë thuhej në deklaratën noteriale, por ka firmosur me besim të plotë te Olsi Xhymerti dhe shprehet: “Më vret Zoti, si ka mundësi që të ta punoj ty. Unë ekzistoj kot!”

Juristja Eni Çobani tregon se gjenden 4 dokumente, nga të cilat ka nisur konflikti. Gjithçka nisi nga një kontratë sipërmarrjeje më 27.03.2012, ku Ramizi ia dha truallin Olsi Xhymertit në këmbim të një apartamenti  50 deri në 55 metra katrorë. Më pas u bë një kontratë dhënie trualli për ndërtim, më 04.06.2013, ku thuhej se Ramizi do të merrte një apartament prej 62 metrash katrorë në ndërtesën që do ngrihej në truallin e tij dhe një kat papafingo në Golem.Më 12.06.2014 u bë një deklaratë noteriale mes Ramizit, Eridës dhe Olsit, ku do të bëhej kalimi i pronësisë në emër të Eridës, por me vullnet të lirë deklaruan se këtë apartament ia kthejnë investitorit pa asnjë pretendim. Por këtë deklaratë nuk e ka lexuar as Ramizi e as Erida dhe firmosën pa patur asnjë informacion. Erida rrëfen se jeton në një ballkon me të birin dhe thotë: “Mua ma ka mbyllur vetë babai im me duart e veta atë ballkon. Gjithë erën që fryn përjashtë e pret koka ime dhe e djalit tim 14 vjeçar”.

Ramizi shprehet se Olsi ia tregoi dy apartamentet në Golem, të cilat ishin të papërfunduara. Më pas pronarja e truallit i tha se Olsi kishte shitur apartamentin e tij prej 62 metrash katrorë. Ai shton se ka marrë një banesë prej 50 metrash katrorë, të cilën e ka shitur, ndërkohë që në kontratën e fundit ishte specifikuar 60 metra katrorë. Ai thotë: “Më dolën probleme në Itali, kisha vajzën shumë të sëmurë. E fala atë hyrje, ai e ka bërë 20 mijë euro, por s’është e vërtetë se 12 mijë euro e kam shitur dhe kam dëshmitarë. I kam marrë lekët, duke mbajtur 1 milionë ky për vete se nuk më jepte firmën e shitjes  dhe gjysëm milionë pronari i tokës. Unë me 10 mijë euro shkova në shtëpi”. Ndërsa Erida nuk e beson, pasi nuk është në dijeni të shitjes së këtij apartamenti dhe përgjigjet duke thënë: “Unë i kërkoj falje Zotit dhe për këtë gjë që më ke bërë shyqyr që jam në fe. Nuk kam ku të shkoj me jetimin që kam, ku të mbashtetem babi? Jeni sot, s’jeni nesër. Përjashta do të më leni? Jam një femër me një jetim!”

Juristja Çobani bën apel për të gjithë shqiptarët që të lexojnë me kujdes atë çka firmosin.  Ajo shton se më 08.05.2015, Ramiz Zylyfi së bashku me Olsi Xhymertin  janë rikthyer në noteri për të deklaruar se apartamenti prej 60 metrash katrorë do të mbetej e Ramizit dhe pas materializimit të saj, i premtohet edhe një garsoniere në godinën që mund të ndërtohej në truallin e tij.

Pra, prej vitit 2012, këto dy apartamente janë dhënë, janë marrë dhe janë rikthyer, çka nuk ka kuptim.  Babë e bijë tregojnë se në pronën e tyre prej 5 vitesh nuk është bërë asnjë ndërtim, por është vendosur në shitje.  Eni Çobani thotë se çdo leje ndërtimi ka një afat, brenda të cilit duhet të përmbushen të gjitha kushtet që bashkia e një rrethi të caktuar i jep një investitori për shfrytëzimin e një trualli. Ajo shton se ndërtimi i një pallati ka një afat prej 1 viti e gjysmë deri në 2 vjet, por jo 5 vjet.Publiku i rubrikës “Shihemi në Gjyq” në “E Diela Shqiptare” i jep të drejtë Ramizit që është mashtruar, ndaj nuk është fajtor në këtë seancë ndërmjetësimi. Juristja Çobani e përmbyll duke thënë se nëse afati i lejes së ndërtimit ka përfunduar, të gjitha dokumentacionet ligjore që Olsi Xhymerti ka lidhur me Ramiz Zylyfin janë të pavlefshme dhe trualli i kthehet këtij të fundit. Erida i kërkon falje të atit, por ky i fundit  shprehet se i vjen shumë turp që e solli në këtë seancë ndërmjetësimi dhe nuk e diskutuan së bashku në shtëpi. / tvklan.al

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY