Gazetarja kroate “i ndjell tersin” Ramës: Ish kryeministri Sanader, që nisi reformën,...

Gazetarja kroate “i ndjell tersin” Ramës: Ish kryeministri Sanader, që nisi reformën, u arrestua i pari

184
0
Shares

Ana Raic Knezevic është reportere kroate, me eksperiencë mbi 20 vjeçare në fushën e sigurisë dhe reformës në drejtësi. Ajo ka studiuar për shkenca politike në Zagreb dhe është trajnuar për çështje të sigurisë evropiane dhe globale.

Në një intervistë për #DritaremeRudinën, Vizion Plus, ajo tregon se çfarë ndodhi në Kroaci me nisjen e reformës në drejtësi. Në çfarë pike janë sot dhe veçanërisht çfarë duhet të mësojnë shqiptarët prej përvojës kroate.

Lluiza Pinderi- Sa ka zgjatur procesi i reformës në drejtësi në Kroaci?

Ana Raic Knezevic- Procesi vijon ende. Siç e dini, Kroacia e ka nisur reformën në drejtësi gjatë procesit të negociatave të anëtarësimit në BE. Kemi pasur monitorim të vazhdueshëm, kemi hartuar ligje e procedura dhe tani që po i afrohemi kapitullit të 23-të, ​duket sikur gjithçka po shkon mire dhe sistemi i drejtësisë po futet në brazdë.

Që të krijoni një ide më të afërt; kemi bërë shtatë ndryshime në kodin e procedurës penale.

A mendoni se ka përfunduar reformimi i këtij kodi?

Ndryshimin e fundit në kodin e procedurës penale e kemi bërë gjatë kësaj vere, sigurisht për ta njehsuar me rregullat e BE-së. Kjo tregon se jo i gjithë procesi kishte ecur në përputhje me legjislacionin e BE-së. Është një proces i vazhdueshëm në bashkëpunim me Bashkimin Evropian. Situata ndryshon përditë. Sot duhet të luftojmë me korrupsionin, me terrorizmin. Ndaj, secili shtet duhet të ndryshojë sistemin gjyqësor dhe t’i njehsojë ligjet me ato të BE-së.

Cili është problemi aktual që ndeshni dhe pret te marrë zgjidhje?

Këto ditë është vënë re shqetësim i madh në lidhje me zgjedhjen e gjykatësve. Është një qark i mbyllur, ata zgjedhin njëri-tjetrin brenda po atij qarku dhe ky është problem i madh, sepse anëtarët të gjykatës së lartë me seli në Zagreb zgjidhen në mënyrë të parregullt.

Këta gjykatës shqyrtojnë çështje tejet të rëndësishme. Nuk merret asnjë masë, edhe pse ata e pranojnë vetë se janë kryer shkelje të rregullave në këshillin gjyqësor që i zgjodhi këta gjykatës, por nuk merret asnjë masë dhe nuk ka asnjë pasojë.

Ky këshill është i përbërë nga gjykatës dhe dy anëtarë të parlamentit. Duket sikur ka një lloj kontrolli parlamentar në zgjedhjen e gjykatësve, por në të vërtetë nuk ndodh kështu.

Janë 11 gjykatës që votojnë dhe dy anëtarët e parlamentit janë në minorancë. Në këtë rast, njëri prej parlamentarëve votoi pro zgjedhjes së parregullt të gjykatësve. Ndaj, në letër, ne kemi legjislacion modern, në përputhje të plotë me ligjet e BE-së, të cilat janë hartuar për të eliminuar korrupsionin dhe shmangur shkeljet, por në praktikë nuk ndodh kështu. Nuk e di me siguri, por kur flitet për korrupsionin në sistemin e drejtësisë Kroacia nuk renditet ndër shtetet më problematike të Bashkimit Evropian.

Italia është prej shumë kohësh shtet anëtar i BE-së dhe po përballet me një betejë të madhe kundër korrupsionit në sistemin gjyqësor.

Çfarë lidhjesh ka sistemi i drejtësisë me politikën?

Po, ka disa lidhje, sigurisht sepse drejtuesit e këshillit gjyqësor, gjykatës supreme dhe asaj kushtetuese, zgjidhen të gjithë në parlament. Sigurisht që ka lidhje mes tyre. Këto lidhje ishin paracaktuar si një formë kontrolli. Ishim konceptuar si një lloj kontrolli parlamentar mbi sistemin, por nuk ndodh kështu. Çështja kryesore në pranverë-verën e këtij viti ishte zgjedhja e anëtarëve të gjykatës kushtetuese, sepse opozita në parlament pranoi që t’i zgjidhte, pasi u kishte mbaruar mandati.

Lindi një problem në këtë rast se duheshin zgjedhur anëtarët e rinj. Opozita pranoi të mbështeste kandidatët e partisë në pushtet, por në këmbim kërkoi që të hetoheshin kompanitë më të mëdha kroate.

Kompania “Agrokor” tashmë është në hetim për krime të rënda. Opozita i dha diçka partisë në pushtet dhe kërkoi diçka tjetër në këmbim. Nëse zbatohet kushtetuta dhe legjislacioni, kjo nuk është normale, sepse bëhet fjalë për zgjedhjen e anëtarëve të gjykatës kushtetuese.

Më pas secili prej nesh i identifikon ata me një parti të caktuar në opozitë apo pushtet. Ndaj, kjo është një dukuri vërtet shumë negative.

Çfarë mendojnë kroatët për sistemin e drejtësisë?

Njerëzit në Kroaci janë tejet të pakënaqur me sistemin gjyqësor. Pjesa më e madhe e qytetarëve kroatë mendojnë ende se sistemi gjyqësor është shumë i korruptuar. Kjo për shkak se ky sistem është mjaft i ngadaltë. Ka gjyqe që zgjasin 20 vjet apo edhe më tepër, ka ligje të hartuara keq që nuk i mbrojnë qytetarët në disa aspekte të procesit. Gjyqet zvarriten shumë. Gjyqet e bujshme si për shembull ai ndaj ish-kryeministrit, ndaj disa bankierëve, apo disa politikanëve të rangut të lartë, nuk kanë përfunduar ende.

Unë s’po them që ata duhet të dënohen, por proceset gjyqësore duhet të kishin mbaruar. Zgjasin për tetë apo dhjetë vjet.

Njerëzit kur shohin të tilla gjëra i cilësojnë gjykatësit si të korruptuar. Imazhi publik është shumë i keq. Situata reale nuk është kaq keq, sepse kemi ligje që mbrojnë të pandehurin në disa çështje dhe i japin atij mundësinë për të mbrojtur veten. Të gjithë këto ligje janë të njehsuara me rekuizitat e gjykatës evropiane për të drejtat e njeriut në Strasburg. Ata diktojnë rregullat. Ndaj, ligjet tona duhet të jenë të akorduara me legjislacionin e tyre për mbrojtjen e të pandehurit dhe për dhënien e mundësive të barabarta të dyja palëve në proces.

Pikërisht për këtë arsye proceset gjyqësore zgjasin aq shumë. Të pandehurit s’paraqiten në gjykatë, të pandehurit ngrenë kundërshtime që shqyrtohen më pas në një gjykatë të shkallës më të lartë. Kështu ndodh, por publiku i gjerë shikon procese të gjata që nuk japin asnjë rezultat. I pandehuri duhet të shpallet fajtor ose i pafajshëm. Gjyqet nuk sjellin asnjë rezultat.

Pikërisht për këtë arsye, imazhi publik i gjykatësve kroatë është shumë i keq. Ata janë të vetëdijshëm për këtë.

Pak ditë më parë, kryeministri ynë para një numri të madh gjykatësish kroatë deklaroi se sistemi duhej të ndryshonte, por nuk dha dhënë propozime konkrete.

Megjithatë, disa ditë më pare Ministri ynë i Drejtësisë propozoi disa ndryshime ligjesh, sidomos të një ligji që ka të bëjë me zgjedhjen e gjykatësve dhe transparencën e këtij procesi.

Sepse procesi është i mbyllur, ata votojnë në fshehtësi. Nuk e dimë se për kë votohet dhe cilat janë arsyet. U propozua që zgjedhja e gjykatësve dhe ecuria e punës së tyre të jetë transparente.

Duhet të jetë proces i hapur për publikun dhe jo i mbyllur. Në këtë mënyrë opinioni publik do të ketë garanci se gjithçka shkon mirë. Kjo është një nga mënyrat. Është propozuar edhe një lloj tjetër transparence.

Është hedhur një propozim për zbardhjen e pasurive të gjyqtarëve, ato duhet t’i dinë të gjithë. Aktualisht, pronat dhe asetet e gjykatësve janë sekrete. Nuk gjenden në internet si pronat e pasuritë e politikanëve.

Ne mund t’i kontrollojmë përditë pasuritë e politikanëve tanë dhe të gjithë njerëzve të tjerë që përfshihen në sferën politike. Ndërsa pasuritë e gjykatësve nuk janë publike. Tani është hedhur ky propozim, që me siguri ata do ta kundërshtojnë, për të zbardhur para publikut të gjitha asetet e pasuritë e tyre. Kështu, ne do ta dimë nëse ecuria e tyre në karrierë ka ardhur nga ndonjë makinë, ndonjë parcelë tokë apo nga paratë, nëse vendimet e tyre në gjyqe janë në përputhje me ligjin apo vijnë si pasojë e korrupsionit.

Janë dy propozime që mua më duken me vend dhe shpresoj që të miratohen në parlament, pavarësisht kundërshtimit të gjykatësve.

Kush e emëron apo e zgjedh kryeprokurorin, në Kroaci?

Prokurorin e Përgjithshëm, e zgjedh qeveria dhe Parlamenti e voton me shumicën e votave. Dhe pasi shqyrtohet edhe nga Këshilli i Drejtësisë, Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet me një mandat katërvjeçar.

Ashtu siç zgjidhet nga parlamenti, ai gjithashtu mund të revokohet nga parlamenti, prandaj mendoj se ai varet nga politika. Edhe pse në Kushtetutën kroate është e shkruar që Prokurori i Përgjithshëm është i pavarur. Ai zgjedh zëvendësin e tij, personin që udhëheq USKOK-un që është Zyra për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Ka mandat katër vjeçar. Ai është i detyruar që të raportojë çdo vit në parlament. Problemi është se edhe nëse parlamenti nuk i mbështet apo nuk i miraton raportet e tij, nuk ndodh asgjë. Kjo nuk përbën arsye për largimin e tij nga detyra. Sipas ligjit, parlamenti ka të drejtë kontrolli dhe ai duhet të raportojë për punën e tij gjatë vitit. Megjithatë, nga ana tjetër, për 4 vjet ai nuk shkarkohet nga detyra.

Ai shkon në parlament dhe raporton për çdo gjë, sa çështje gjyqësore ka mbyllur, sa hetime ka kryer, sa para ka shpenzuar, sa persona i duhen për të kryer punën.

Zakonisht ai ankohet gjithmonë se s’ka personel të mjaftueshëm dhe as bazë materiale të plotë për të kryer detyrën. Prokurorisë së përgjithshme iu akorduan 5 milionë kuna për hetimin e posaçëm të kompanisë “Agrokor” që e përmenda më pare. U investuan para për këtë hetim, sepse është më i madhi që është kryer ndonjëherë prej tyre. Është një hetim tejet i rëndësishëm për Kroacinë.

Ndaj, prokuroria e përgjithshme u mbështet financiarisht nga qeveria. Megjithatë, kur kryeprokurori shkon dhe raporton në parlament, nuk ka ndonjë rëndësi të madhe e merr apo jo miratimin e tyre. Ai ka mandatin e vet.

Nëse kryeprokurori hap një çështje hetimore për kryeministrin, a has ai pengesa gjatë këtij hetimi?

Patjetër që po. Për shembull, në rastin e ish-kryeministrit Sanader ai shprehej gjithmonë se ishte viktimë e procesit politik. Po kështu u shpreh edhe në gjykatën e arbitrazhit në Gjenevë, ky shqyrtohej çështja e problemeve që lindën mes dy kompanive kombëtare të përpunimit të naftës, asaj hungareze dhe asaj kroate.

Ai i garantoi edhe gjykatësit në Gjenevë se kishte rënë viktimë e procesit politik. Siç jua thashë edhe më herët, gjyqi ndaj tij vazhdon prej tetë vjetësh. Ai u dënua, u shpall vendimi përfundimtar, por gjykata kushtetuese, në sajë të disa dispozitave e hodhi poshtë vendimin.

Pas tetë vjetësh, jemi ende aty ku nisi procesi, sepse gjykata kushtetuese, është e lidhur ngushtë me politikën. Jua thashë, anëtarë e gjykatës kushtetuese zgjidhen nga parlamenti.

Ndaj, kur shikon qarkun të plotë dhe tablonë e përgjithshme të situatës,e kupton se ka lidhje politike në sistemin gjyqësor.

Politikanët dhe gjykatësit janë të lidhur ngushtë. Ky është problem i madh, sepse gjykata kushtetuese hodhi poshtë vendimin përfundimtar për dënimin e ish-kryeministrit tone me 8 vjet e gjysmë burg për korrupsion e disa krime të tjera. Politika e liroi atë.

Opinioni publik pa këtë, edhe ne gazetarët po ashtu, u ndalëm ta analizonim dhe arritëm në përfundimin se atë nuk e dënoi politika, por e liroi politika dhe tani, pas tetë vjetësh, ai është përsëri në një gjyq që s’dihet se kur do të përfundojë.

A pati ndikim vetë Sanaderi në kryerjen e reformës ne drejtësi, viktima e pare e se cilës ishte ai vete?

Pjesa më e madhe e reformës u krye kur ai ishte kryeministër, por në fund ai dha dorëheqjen. Ende edhe sot s’e dimë pse e dha dorëheqjen.

Janë hedhur mjaft hipoteza, disa thonë se erdhi si pasojë e trysnisë së ushtuar nga BE-ja, kurse të tjerë thonë se ndodhi si pasojë e akuzave të ngritura ndaj tij. Ende s’e dimë me siguri.

Po, ne e kryem reformën gjatë procesit të negociatave për anëtarësimin në BE. Siç jua thashë, legjislacioni i shkruar është shumë i volitshëm. Ekzistojnë mundësitë për dënimin e gjykatësve, por s’ndodh kështu në jetën e vërtetë. Ekziston një mekanizëm i brendshëm që lejon sinjalizimin e gjykatësve në rastet kur ata s’e ushtrojnë detyrën si duhet, apo nuk marrin vendime në zbatim të ligjit, por s’ndodh vërtet kështu.

Si është i organizuar sistemi i prokurorisë në Kroaci?

Kemi kryeprokurorin, ai ka zëvendësit e vet. Kemi prokurorët e zonave, më konkretisht prokurorët e rretheve. Po ashtu, kemi një zyrë të posaçme për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, që është ngritur në vitin 2001.

Ishte një hap i madh përpara në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Është një zyrë e posaçme, por brenda prokurorisë së përgjithshme. Është parashikuar që të jetë e pavarur në punën e saj. Të gjithë hetuesit dhe inspektorët që punojnë në atë zyrë duhet të jenë të pavarur, por para pesë vjetësh pati rrjedhje informacioni nga kjo zyrë në lidhje me disa çështje hetimore kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Legjislacionin e kemi, por kemi probleme me zbatimin praktik. Këto gjyqe që zgjasin kaq shumë janë problemi kryesor që dëmton imazhin publik të të gjithë sistemit gjyqësor. Prokuroria e përgjithshme ka një afat relativisht të shkurtër për kryerjen e hetimit, afro një vit apo një vit e gjysmë për çështjet me peshë. Nuk është afat i gjatë. Por kur çështja shkon në gjykatë, aty procesi nuk mbaron kurrë.

Madje, as vendimi i shkallës së parë nuk jepet. Ky është problemi. Prokuroria s’ka shumë kohë në dispozicion. Siç ju thashë, as mundësi të mjaftueshme për të përfunduar hetimin.

Ndaj, një pjesë e mirë e hetimeve nuk përmbyllen me vendim në gjykatë, sepse paraqiten prova të jashtëligjshme, apo disa probleme të tjera, që po zgjidhen tani, pas implementimit të normave të gjykatës evropiane në kodin e procedurës penale në Kroaci.

A kishte politikanë që u përpoqën të pengonin kryerjen e reformës në drejtësi?

E kam të vështirë të përgjigjem. Do të më pëlqente të thosha që kishte një ose dy por, në fakt, kishte mungesë  vullneti për të bërë një reformë të mirë. Gjithmonë thuhej se po bëheshin ndryshime të mëdha reformuese, por, në fakt, ishin ndryshime për keq. Tani duhet të ndryshojmë edhe një herë gjithçka nga e para.

Më përpara kishim një sistem hetimor të mirë, ku prokurori drejtonte hetimin dhe ai kontrollohej nga gjyqtari. Më pas e ndryshuan këtë dhe tani me hetimin merret vetëm prokurori. Gjithmonë kemi pasur problem me hetime të njëanshme, të pandehurve u mohoheshin të drejtat, nuk u tregoheshin të gjitha provat e gjëra të tilla. Por, kur ke një ligj të miratuar në parlament, nga shumica parlamentare që në Kroaci ka ndryshuar shpesh gjatë 12 vjetëve të fundit, një ligj që jo vetëm nuk është i përsosur, sepse asnjë ligj s’është i tillë, por që nuk është aspak i frytshëm, atëherë, të gjithë bien dakord që ky problem duhet zgjidhur.

Të gjithë parashtrojnë aludime për sjelljet e politikanëve. Kemi një shembull ideal.

Një ish-ministër kroat i mbrojtjes u akuzua për krime financiare dhe për afera të dyshimta në lidhje me kamionët e ushtrisë. Në gjykatë ai tha se po ta dinte që ligji në bazë të së cilit do të gjykohej ishte i hartuar kaq keq, s’do ta kishte votuar kurrë. Po, ashtu tha. Është e shënuar në procesverbal. Në fund, ai u shpall i pafajshëm.

Mendoj se ky rast e paraqet më së miri të gjithë tablonë. Unë mendoj se reforma duhet bërë mirë ose të mos bëhet fare. Kijeni parasysh këtë në Shqipëri.

Çfarë solli reforma në drejtësi në Kroaci? A jeni të kënaqur me rezultatet?

Askush nuk është i kënaqur me rezultatet, sepse ka hetime të njëanshme. Hetimin e drejton ekskluzivisht prokurori. Kjo reformë u bë që hetimi të kryhej më shpejt, por të pandehurit ankohen se u shkelen të drejtat gjatë hetimeve.

Hetuesit nuk janë të kënaqur, sepse kanë shumë volum pune dhe nuk kanë kapacitetet e duhura. Të pandehurit nuk janë të kënaqur, sepse u shkelen vazhdimisht të drejtat.

Gjyqtarët nuk janë të kënaqur, sepse u vijnë dosje të paplotësuara, plot me dokumente që nuk duhet të jenë aty, plot me dëshmitarë problematikë e gjëra të tilla. Pra, duhet ta pastrojnë dosjen para se të nisin procesin dhe kjo kërkon kohë.

Asnjë palë në këtë proces nuk është e kënaqur dhe tani duhet të ndryshojmë kodin e procedurës penale për të disatën here brenda viteve të fundit. Tani po bëhen bisedime për një reformë të gjerë. Ndaj, askush nuk është i kënaqur.

Kur mendoni se do të përfundojë ky proces? 

Kurrë. Mendoj se nuk do të mbarojë kurrë. Besoj se e dini arsyen. Brenda BE-së ka kaq shumë rregulla të reja që po përditësohen. Për shembull në luftën kundër krimit ndërkombëtar, në luftën kundër krimit kibernetikë, në luftën kundër terrorizmit, pastrimit të parave.

Sepse krimi merr zhvillim dhe ndryshon vazhdimisht, sigurisht që një pjesë e sistemit duhet të përshtatet me këto ndryshimeve. Thelbësore është të dihet se kush i kryen hetimet, të mos shkelen të drejtat e të pandehurve, të përshpejtohet dhënia e vendimeve. Ju thashë, nuk është thelbësore që dikush të shpallet fajtor, por që gjyqet të përfundojnë. Gjykatat të fillojnë të japin vendimet.

Dhënia e vendimit me dhjetë vjet vonesë është e pranueshme kur bëhet fjalë për krime lufte, sepse disa fakte që zbulohen vonë dhe hetimet janë shumë të vështira, por vendimet për krimet e rëndomta duhet të jepen shumë më shpejt. Vetëm kështu krijohet përshtypja që drejtësia vihet në vend.

Tani në Kroaci askush nuk është i kënaqur, as populli nuk është i kënaqur. Kur shkojnë në gjyq për problemet tyre, problemet financiare, problemet me tokën, presin me vite që të shpallet vendimi dhe kjo nuk ka fare lidhje aspak me drejtësinë, por me padrejtësinë. Dritare.net

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY