FOTO/ Argatët e beut i ruajtën pse kujtonin se ishin dokumente të...

FOTO/ Argatët e beut i ruajtën pse kujtonin se ishin dokumente të pronësisë, por në fakt ishin kujtimet për 28 Nëntorin e vitit 1912

283
0
Shares

Nga interesimi për dokumentet e pronësisë familja Cakrani nga Fieri gjeti një thesar shumë herë të më madh. Pas 105 vjetësh dalin në dritë kujtimet e një prej firmëtarëve dhe delegatit të Pavarësisë, Hajredin Bej Cakrani për gjithçkaje që ndodhi përpara dhe ditën e 28 nëntorit në Vlorë.
Këtë e bëri publike dje stërnipi i tij Kujtim Cakrani i ftuar në emisionin “Debati në Channel One” të gazetari Roland Qafoku.
Kujtim Cakrani tregoi se nuk kishte asnjë të dhënë se stërgjyshi kishte lënë kujtime dhe historia nisi me interesimin e dokumenteve të pronësisë por që në fakt zbuluan se Hajredin Cakrani kishte lënë kujtime voluminoze me detaje të hollësishme se si u shpall Pavarësia, kush e organizoi, kush e shkroi proklamatën e deri te financimi i udhëtimit të Ismail Qemalit për në kancelaritë evropiane.
“Disa pasardhës të argatëve të Hajredin Cakranit kishin ruajtur sasi të mëdha letrash dhe dokumentesh të tij pasi ishin djegur dhe shkatërruar sarajet. Të bindur se aty kishte dokumente për prona, ata na i dorëzuan ne në vitin 2011 duke na thënë do Zoti dhe i merrnim një ditë të gjitha çifliqet. Duke i kontrolluar dhe verifikuar këtu dhe në Itali më rezultoi se nuk kishim të bënim me dokumente pronësie por me një gjë shumë herë më të rëndësishme. Ishin kujtime të stërgjyshit Hajredin bej Cakrani për periudhën e Pavarësisë por edhe më pas, të qeverisjes së Vlorës, të kohës së princ Wiedit, e deri te mbretërimi i Zogut. Përballë një thesari shumë herë më të madh investova dhe i botova. Sot pas 6 vjetësh nga zbulimi dhe 105 vjet nga e shkruara jam shumë i lumtur që ia arrita ta bëjë këtë. I jam mirënjohës stërgjyshit tim Hajredin bej Cakrani dhe vëllait të tij Bektash Cakranit që shkrinë pasurinë e tyre për të bërë Shqipërinë”, tregoi me emocione të forta Kujtim Cakrani.

Më poshtë një pasazh nga këto kujtime si dhe një nga faqet origjinale të tyre.

SI E SHPALLËM PAVARËSINË
“Nuk mund të firmosë e gjithë Vlora”

“Duhet të shihnin mandatet e të gjithë delegatëve e të caktonin nga të gjitha kazatë do qe e mira pa që mungojnë dihet se vaporët e grekëve nga deti dhe Vjosa që kishin dalë e kishin zënë Vlorën me një lak të madh. Grekërit përposh e serbët që erdh gjer në Durrës na i bënë më të nxirë sa më s’bëhej. Ndaj plaku u ngut të ujdisnim mandatet si do që udhës ishin plot të tjerë që i priti të vijnë të bënin deklaratë sa më parë.
Më thanë se si më i madh do firmosja unë deklaratë, po unë i thashë se ti mbive në Vlorë dhe u trete e unë të firmos, jo s’vete kjo punë.
Ismail beu po na i thosh këto punë fill e për pe dhe se bëhej kjo punë o sot, o na mori lumi përgjithnjë.
Të gjithë miqtë tanë vlonjatë nuk donin të firmosnin se nuk do firmos gjithë Vlora de, na duhen gjithë kazatë ti e di, më thosh që përjashta të më qetësojë im vëlla.
Zoti Luigj Gurakuqi e shkruajti deklaratën dhe fillum ta firmosmë. Nuk harruam që ato radhë ti shkrojim edhe në osmanisht se të parët që duhet ta mirrnin vesh ish Stambolli që s’jemi më tok e kishim lënë shëndenë.
Edhe mua më erdhi radha e firmosa nën Zini Aganë…
Edhe sot më dridhet mishtë që ai sahat na foli ne dhe atë çast të tretëshe për vatanë, s’të vinte keq për vete më. Ishim shumë të gëzuar sa të rrëqethej mishtë, kur mileti i mbledhur përpara shtëpisë së Xhemil beut dhe gjithë ai kallaballëk i madh nëpër oda, shkallë e avlli ishin si mizë lisi. Pa në ballkonin e shtëpisë së Xhemil beut varnë një flamur që se ku e gjeti Ismail beu po q’ëish dhe konaku ku kish lerë. Përjashta u mbluadh mileti nga të gjithë kazatë, shihje aty me qylafë, fshaçe, me guna, allafrënga. Të tërë bërtitnin rroftë, rroftë për flamur a për plakun doemos se tërvit kur erdh në Vlorë, vlonjatë ja hoqnë kuajtë e ja ngritnë karrocën më krahë. Mileti ishin mizëri dhe bënin muhabet të gëzuar kush e kush duhet të ishte i parë në të rejat që vinin se sa telegram,e u dërguan etj.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY