ILIR NIKOLLA/ Po sot Shqipëri Londineze, po m’thuj si je?

ILIR NIKOLLA/ Po sot Shqipëri Londineze, po m’thuj si je?

318
0
Shares
Ilir Nikolla

Nuk kanë kaluar veçse 5 vjet qysh kur i madh e i vogël në BE pranuan se shqiptarët ishin një popull në ekspansion dhe se ekzaltimi i 100 vjetorit të pavarësisë, kudo në botë, ishte një ndjesi e justifikuar dhe që bashkëndahej edhe nga kancelaritë perëndimore. Mirëkuptimi për një popull që kremtonte mbijetesën e tij në një rajon të stërpopulluar dhe kërthizë e qytetërimeve më të rëndësishme të globit ishte një konfirmim i mirëpritur dhe një notë se shqiptarët e kishin lënë pas imazhin e një vendi të shtypur, sa nga diktatura më e egër komuniste në kontinent, sa nga segregacioni i neveritshëm i pushtetit të sllavëve të jugut.
Por sot na duhet të flasim prapë për dallime kohore e për epoka, edhe pse kanë kaluar veç 5 vjet. Në mënyrë fatale, Shqipëria Londineze ka këtë 28 nëntor më pak banorë sesa kishte 5 vjet më parë. 200 mijë të larguarit nuk janë kompensuar dot nga lindjet që po bien në pikiatë. Asnjë ëndërr për arsimim shkencor nuk mund të kultivohet më në këtë pjesë të arealit shqiptar, pasi arsimi është bërë klientelist, i papërshtatshëm dhe thellësisht mediokër. Administrata shqiptare s’ka asnjë fije albanologjie brenda dhe aty gëlojnë veç arrivistët që s’kanë mundur të çalltisin gjetkë dhe i janë ngjitur si shushunja shtetit, në sajë të korrupsionit të pushtetit. Në fshat ëndrrat futuriste të 2012-s për hektarët e ullinjve, arrorëve e druve frutore janë zëvendësuar në një lufte xhungle për të marrë një subvencion, i cili fillon në një zyrë partie e përfundon në një zyrë tjetër partie, pa mbërritur as te prodhimi e as tek prodhuesi. Nëpër qytete, gara industriale ka vetëm një emërues të përbashkët, plehrat; përdorimi, konsumimi, riciklimi, groposja apo djegia e tyre, janë thjesht një paradë 105-vjetori që i kanë zënë vendin një triumfi civil siç ishte ai i refuzimit mbarëpopullor për të pranuar mbetjet e Evropës në sterën tonë të pamjaftueshme.
Shqiptarët kanë regjistruar brenda 5 vitesh një kurbë të frikshme rritëse sa i përket numrit të vetëvrasjeve, ndërkohë që s’gjen më ëndërrimtarë të tillë si në 2012-n, kur të rrihnin, nëse u thoshe se brenda 10 viteve, Shqipëria do të ishte ende jashtë BE-së. Rrahja ndodhte po të merrej si referencë 2022-i, por tani s’gjen më shqiptarë të gatshëm për të rrahur nëse dikush u thotë atyre parashikimin pesimist të 2017-s.
Ndryshime të tjera domethënëse për Shqipërinë Londineze regjistrohen në përpjekjet mbarëkombëtare për t’u modernizuar si shoqëri. Në 2012-n ishte veç në zanafillë Lufta në Siri dhe asnjë shqiptari në Gumenicë, Strugë, Ulqin, Mitrovicë a Medvegjë s’i shkonte në mendje të përzihej në një konflikt që s’kishte asnjë lidhje me shqiptarët, por 5 vjet më vonë, mediat dhe politika masin se sa ishte çmimi i gjakut që u pagua për një faida ekstremiste që kishte vetëm një synim, ta shndërronte arealin shqiptar në një truall pushtimi dhe eksterminimi për të ndryshmin dhe në një fidanishte për “killerat e Kalifit”. Askush nuk u shqetësua nëpër zyra për numrat shqetësues të “luftëtarëve”, njësoj siç nuk u shqetësuan për numrat e azilantëve, duke i regjistruar ata rrejshëm si “shqiptarë që provojnë shanset në botën e lirë”.
2017-a ndryshon në mënyrë të frikshme nga 2012-a dhe përkeqësimin s’mund t’ia blatojmë propagandës së Berishës, pasi e di i madh e i vogël se në këtë fushë Edi Rama e fiton përballjen me secilin rival. Depresioni që ka goditur shoqërinë s’është fiction, është një realitet që është shfaqur në mënyrë brutale sapo zyra e kreut të qeverisë iu dha në përdorim Edi Ramës. Ai është produkt i një vullneti politik, prandaj edhe po prodhon kaq shumë viktima e kaq shumë “dëme anësore”.
Krahasimi i 2012-s me 2017-n është një thirrje për të kuptuar sa keq mund të shkojë Shqipëria Londineze, nëse gjërat nuk ndryshojnë. Dita e Flamurit është një rast për të menduar pse e lejojmë të qeverisë një njeri që na prish gëzimin e festës kombëtare dhe një mundësi për të bërë një gjë të drejtë, që Shqipëria Londineze të largojë një çiban pushtetar dhe të afrohet edhe më shumë me Shqipërinë Etnike Evropiane.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY