SPECIALE/ Nga shteti te pushtetarët – Skema e grabitjes së 36 ha...

SPECIALE/ Nga shteti te pushtetarët – Skema e grabitjes së 36 ha tokë në bregdetin e Kavajës

204
0
Shares
Gjiri i Durrësit. Foto: Ivana Dervishi

Dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë se një duzinë zyrtarësh lokalë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin tjetërsuan përmes dokumentesh të falsifikuara 36 hektarë tokë publike dhe përmes kontratash fiktive të shitjes apo dhurimit ia kaluan ato familjarëve të tyre apo rrethit familjar të ish-drejtuesve të pushtetit vendor në Kavajë, Elvis Rroshi dhe Gentian Daja.

Rreth 2 vjet më parë, Spiro T., banor i fshatit Rreth Greth të Rrogozhinës u informua nga ish-agronomi i komunës, Ilir Kaja se do të bëhej pronar i 3 mijë metrave tokë në bregdet.

“Meqenëse je hallexhi dhe keq nga gjendja ekonomike do të të pajisim me rreth 3 mijë metra katrorë tokë,” i ka premtuar Kaja gjatë një takimi mes tyre në qendër të fshatit.

Në dëshminë e tij për Prokurorinë e Kavajës, Spiro T. ka pohuar se nuk kishte parë asnjë dokument pronësie dhe as nuk e dinte se ku ndodhej toka “e premtuar”. Por Kaja i kishte sugjeruar në një takim të dytë që bashkë me të shoqen dhe djalin të paraqiteshin te noteri për të bërë shitjen dhe ai ishte bindur.

Dokumentet e hetimit të siguruara nga BIRN tregojnë se Spiro T. firmosi aty ku i tha noteri, duke e ditur se po shiste 3 mijë metra tokë për 1.5 milionë lekë dhe mori me këste dorazi nga Kaja 1.2 milionë. Sipas Prokurorisë, ai nuk ishte në dijeni se në emër të tij ishin tjetërsuar 15 700 metra katrorë tokë në bregdetin e Spillesë-pjesë e një sipërfaqe prej 36 hektarësh që iu vodh shtetit përmes një kapice dokumentesh të falsifikuara nga disa institucione lokale, për të cilët akuzohen 11 zyrtarë.

Spiro T. ishte vetëm njëri prej 108 banorëve të zonës, emrat e së cilëve u përdorën në skemën e tjetërsimit të tokave përmes dokumenteve të falsifikuara.

“Banorët kanë përfituar tokë dhe që më pas e kanë shitur apo kryer transaksione të tjera, nuk janë njohur me asnjë lloj dokumentacioni për tokën, por vetëm kanë kryer aktin e shitblerjes së tokës, ku noteri u ka shkuar në shtëpi dhe kanë firmosur në mirëbesim,” thuhet në dokumentet e hetimit të Prokurorisë, të cilat iu dorëzuan gjykatës për vlerësimin e masave të sigurisë.

Dokumentet e hetimit tregojnë se toka e tjetërsuar fillimisht në emër të banorëve të zonës u kaloi përmes kontratave të shitjes apo të dhurimit të afërmve të pushtetarëve lokalë të Kavajës, ku kryeson rrethi familjar i ish-kryetarit të Bashkisë, Elvis Rroshi.

Burime të Prokurorisë i thanë BIRN se rrethi i ngushtë familjar i Rroshit përfitoi më shumë se 1 hektarë tokë në bregdet, ndërkohë që sipërfaqe të konsiderueshme toke përfituan edhe familjarë të ish-kreut të PS, Gentian Daja, ish-nënprefektit të Tiranës, Fatos Kaja, ish-kryetari i komunës Kryevidh, Behgjet Pjeci apo zyrtari i Kadastrës, Nezir Leçini.

Të pyetur nga BIRN, burime të Prokurorisë mohuan që hetimet e deritanishme të kenë përfshirë në rrethin e të akuzuarve edhe Rroshin apo Dajën, ndërsa shtuan se “hetimet vazhdojnë”.

BIRN u përpoq të kontaktonte përmes telefonit me ish-kryetarin e Bashkisë së Kavajës, Rroshi dhe ish-kreun e PS së Kavajës, Daja, por e pati të pamundur të komunikonte me ta.

Të akuzuarit për tjetërsimet

Hetimi i Prokurorisë për falsifikimin e 36 hektarëve tokë në bregdetin e Kavajës u materializua të martën në gjykatë, ku u firmosën 11 urdhër-arreste dhe një arrest shtëpie për personat të cilët akuzohet se qëndrojnë pas falsifikimeve.

Në pranga përfunduan Fatos Kaja, ish-zyrtar i njësisë administrative Kryevidh që deri në maj 2017 mbante postin e nënprefektit të Tiranës si dhe dy ish-zyrtarët e së njëjtës komunë, Behgjet Pjeci dhe Dashnor Çullhaj, drejtori i ALUIZNI Kavajë, Altin Çoba dhe ish-shefi i Kadastrës, Nezir Leçini, Dritan Kazazi, hartograf, ZVRPP, Kavajë, Andi Gjeçi, jurist, ZVRPP, Kavajë, Ilir Kaja, zyrtar i Njësisë Administrative Kryevidh, Kavajë, Agron Xhelezi, ish-kryetar i Komisionit të Ndarjes së Tokave, Kavajë,  Enver Duqi, ish-drejtor i Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës,  Kavajë.

Gjykata urdhëroi gjithashtu arrestimin e kryetarit të Hipotekës Kavajë, Seid Cikalleshi, por policia nuk mundi ta arrestojë atë.

 

.

Fotografi të një sipërfaqeje toke të tjetërsuar në dosjen e Prokurorisë, pas ksionit të INUK në 2016

Sipas dokumenteve që BIRN disponon, Prokuroria e Kavajës i ka nisur hetimet pas një pengese që kishte dalë për Inspektoriatin e Ndërtimit që shkoi të prishte një ndërtim pa leje në plazh në vitin 2016. Të zotët e ndërtimit pretenduan se kishin pronësi mbi tokën, ndërsa letrat që ata paraqitën, sipas prokurorisë u bënë shtysë për të filluar hetimet.

Gjurmimi e çoi prokurorinë të zbulonte se toka që është edhe sot e gjithë ditën ranishte dhe pyll me pisha, siç tregojnë edhe ekspertizat që BIRN i ka,  ishte tjetërsuar në tokë arë dhe më pas ishte ndarë sipas ligjit 7501. Prokuroria thotë se duke mos qenë tokë bujqësore kjo e fundit nuk mund të përfitohej në bazë të këtij ligji.

Prokuroria dyshon se më shumë se  1 kilometër vijë bregdetare rreth 40 metra e gjerë kishte filluar të tjetërsohej që prej fillimit të viteve 2000. Ndërsa shit-blerjet te persona të tretë kanë filluar pas vitit 2010 deri në nëntor një vit më parë, kur ZVRPP-ja e Kavajës i kërkoi këshillit të Qarkut të Tiranës të konfirmonte kalimin e një sipërfaqeje nga “tokë pa frut” (pyll) në “tokë arë”.

Ky duket se ishte edhe gabimi tjetër i grupit të akuzuar.

Të dhënat e Prokurorisë tregojnë se kreu i Këshillit të Qarkut Tiranë, Aldrin Dalipi zbuloi se në emër të tij ishin firmosur dhe vulosur dy dokumente dhe e kallëzoi rastin në Prokurori në nëntor 2016. Verifikimet dhe më pas ekspertiza e prokurorisë, zbuluan se vula dhe firma e përdorur ishin false, ndërkohë që nuk kishte ekzistuar asnjë korrespondencë e mëparshme mes ZVRPP-së së Kavajës dhe Këshillit të Qarkut në Tiranë për këtë çështje.

Kallëzimi i Këshillit të Qarkut e ndihmoi prokurorinë të kuptonte se praktikisht thuajse të gjitha shkresat e përfshira në këtë tjetërsim të pronës, kishin kaluar dorazi dhe jo përmes institucioneve. Prokuroria thotë se nuk ka gjetur shënime në protokollin e institucioneve që duhej të kishin kryer verifikimet për këto rregjistrime pronash.

Dëshmia e protokollistes së ZVRPP-së thotë se dokumentet e këtyre parcelave nuk kalonin si normalisht përmes postës, por vinin dorazi dhe pasi firmoseshin nga kryerregjistruesi Seid Cikalleshi rregjistroheshin në protokoll.

Kjo i bënte dokumentet të paplota, por Seid Cikalleshi, i shpallur në kërkim si ish-drejtues i ZVRPP-së i ka thënë prokurorisë gjatë një marrje në pyetje se ai vetëm kishte sigluar këto dokumente duke ua lënë përgjegjësinë specialistëve që duhej të verifikonin.

Prokuroria megjithatë gjeti se Cikalleshi i kishte firmosur dokumentet edhe pse këto ishin të paplota dhe të pa konfirmuara nga Këshilli i Qarkut, i cili rezultoi që nuk ishte pyetur zyrtarisht për këto prona.

“Ish-kryeregjistruesi i Hipotekës së Kavajës, në bashkëpunim me disa zyrtarë të institucionit të tij si edhe me mbështetjen e ish-zyrtarëve të komunës Kryevidh kanë ndryshuar zërin kadastral nga “ranishte” në “tokë arë”. Më pas, këtë tokë ua kanë shpërndarë familjeve të ndryshme, të cilat kanë pasur qëllim tjetërsimin e menjëhershëm të saj, nëpërmjet shitjes”, njoftoi prokuroria.

Prokuroria bën me dije se ishte vënë në dijeni të procesit të shpejtë të tjetërsimit kohë më parë dhe në korrik 2017 kishte ndërhyrë “duke e vendosur nën sekuestro sipërfaqen e ranishtes për të penguar përkeqësimin e situatës në terren”.

Burimet i thanë BIRN se janë duke vijuar hetimet edhe për një parcelë të 5-të në plazhin e Spillesë, në të cilën në hetim janë zyrtarë dhe ish-zyrtarë të bashkisë Rrogozhinë.

Përfituesit e tokës

 

Ish-kryetari i PS së Kavajës, Gentian Daja dhe ish-kreu i Bashkisë, Elvis Rroshi me ministrin e Financave, Ahmetaj ne një takim elektoral para zgjedhjeve të qershorit. Foto:Facebook.

Sipas hetimit të Prokurorisë, skema e tjetërsimit të tokave ka nisur në vitin 2000 nga Agron Xhelezi, kryeagranomi dhe kryetari i Drejtorisë së Trajtimit me Tokë në ish-komunën Kryevidh, ish-kryekomunari i kësaj komune Behgjet Pjeçi dhe më pas ka vijuar dhe me zyrtare të tjerë. Ish-kryetari i komunës Behexhet Pjeçi ka përfituar sipërfaqe toke vetë, duke i dhënë tokë shtetërore  bashkëshortes, të birit dhe një kushërire.

Po të njëjtën gjë ka bërë dhe ish-kryetari i komunës Haki Veza, duke i dhënë familjarëve të tij tokë shtetërore.

Po ashtu përfitues është edhe Ilir Kaja, ish kryeagronom, i cili i del prokurorisë edhe si ndërmjetës në shit-blerjet që janë bërë më pas si dhe Nezir Leçini, dhe ky zyrtarë lokal i dënuar njëherë në dhjetor për një falsifikim të ngjashëm në një zonë tjetër të Kavajës.

Duke ndjekur gjurmët e kontratave, prokurorët gjetën se përfitues ishin edhe prindërit e ish-kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Rroshi dhe rrethi familjar i bashkëshortes së tij.  Familjarët e Rroshit që u largua nga detyra vitin që shkoi, pasi u kap nga ligji i dekriminalizimit, sipas një dokumenti që BIRN e ka lexuar, kanë përfituar rreth 1 hektarë prej kësaj toke.

Në një rast një grua e identifikuar si H.I.Elmadhi pasi ka fituar 4300 metra katror tokë në këtë zonë, ia ka dhuruar atë sipas prokurorisë me kontratë noteriale “Azem dhe Nazije Rroshit”.

Në të njëjtën mënyrë edhe të afërm të ish-kreut të PS Kavajë Gentian Daja, sipas prokurorisë, kanë blerë sipërfaqe më të vogël të kësaj toke.

Në total sipas prokurorisë janë 135 praktika që pasi kanë marrë AMTP nga ish-komuna Kryevidh, kanë filluar hipotekimin e sipërfaqeve tokësore me pyll në bregdetin e Spillesë.

“Të 135 praktikat e falsifikuara tashmë janë sekuestruar dhe bllokuar në hipotekë dhe në terren nga prokuroria e Kavajës, ku bëhet fjalë për katër parcela mjaft të mëdha të cilat mbulojnë të gjithë bregun ranor dhe pyll në plazhin e Spillesë”, thotë prokuroria.

Sipas prokurorisë, përfituesit e parë të këtyre sipërfaqeve janë kryesisht fshatarë të zonës ose të afërm të personave të përfshirë. Në shumë raste këta fshatarë nuk kanë pasur dijeni për vendndodhjen e pronës që kishin përfituar dhe ose e kanë dhuruar ata para një noteri, ose e kanë shitur atë.

Në një rast Shkëlzen H, i tha prokurorit se në gusht-shtator të vitit të kaluar, Kaja që akuzohet se ka kryer pjesën më të madhe të transaksioneve, i kishte kërkuar të shkonte te noteri për të firmosur dokumente të shitjes së tokës dhe më pas në një llogari bankare i është hedhur shuma prej 4.4 milion lekësh. Ky banor, ashtu si edhe të tjerët ka thënë për Prokurorinë se nuk kishte dijeni për dokumentet e pronësisë dhe as për vendndodhjen e tokës.

Pisha dhe rërë

 

Dokumenti i ekspertizës së njërës prej vulave të falsifikuara të Këshillit të Qarkut Tiranë.

Prokuroria ka zbuluar gjatë hetimit të saj se e gjithë toka e përvetësuar si tokë bujqësore vijon të jetë pyll dhe ranishte. “Parcelat e hetuara me nr.1, 35, 37, 178, 42, janë terrene pyll me pisha në lartësi 15-20 metra, të dendura”, thuhet në dokumentet që BIRN disponon.

Sipas prokurorisë “vetëm këto fakte, të përcaktimit material nëpërmjet këqyrjes dhe fotografimit aktual do të përbënin dyshimet e arsyeshme për verifikimin e trajtimit gjatë procedurave të tjetërsimit që janë kryer nga institucionet dhe përfaqësuesit e tyre zyrtarë, në lidhje me ligjshmërinë apo paligjshmërinë e konstatuar tashmë gjatë hetimeve”.

Ndërkohë, prokuroria thotë se në të paktën dy raste, persona që kishin marrë më herët me qira pyllin apo plazhin në parcelat në hetim, ishin gjendur shumë shpejt para pronarësh që pretendonin ato si prona të tyre.

Në një rast, një shqiptar që jeton në Gjermani, ka paguar deri në shtator të këtij viti qiranë për tokën e marrë me kontratë nga Bashkia Rrogozhinë, por thotë se megjithëse ai paguan qiranë dikush tjetër pretendon që pylli dhe rëra ishin tokë arë dhe pronë e tij.

Dëshmitari i ka thënë prokurorisë se megjithëse ishte ankuar në ZVRPP, se si një tokë që ai e kishte me qira prej vitesh si tokë publike ishte tjetërsuar, nuk kishte marrë përgjigje.

Sipas Prokurorisë, 11 personat e akuzuar, duke ditur statusin e tokës si “shtet pa frut” kanë sajuar komisione fiktive për ndarjen e tokës si dhe kanë prodhuar dokumente false, duke ua shpërndarë ato fillimisht banorëve të zonës dhe më pas, përmes kontratave të shitjes apo të dhurimit ia kanë kaluar ato familjarëve të tyre.

Autor: Elton Qyno | BIRN | Tiranë

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY