Roland Qafoku tregon si u bënë 100 vrasjet më të bujshme...

Roland Qafoku tregon si u bënë 100 vrasjet më të bujshme në Shqipëri

392
0
Shares

Intervistoi: Qamil Xhani

Ka libra që trajtojnë ngjarje të veçanta dhe periudha historike me eliminime dhe ekzekutime, por deri më sot mungonte një libër që sillte historinë e shtetit shqiptar nëpërmjet vrasjeve. “100 vrasjet më të bujshme në historinë e shtetit shqiptar” është libri më i ri i gazetarit Roland Qafoku që do të jetë në treg në ditën e parë të Panairit të Librit në Tiranë. Ky botim me karakter historik është përmbledhja studimore e ngjarjeve që kanë lënë gjurmë në zhvillimet politike në vend edhe në kujtesën kolektive të shqiptarëve. Libri nuk është vetëm një studim i tipologjisë së vrasjeve më të bujshme që nisin që nga themelimi i shtetit shqiptar, por edhe dokument me fakte të reja që hedh dritë mbi ngjarje për të cilat opinioni ka njohur vetëm versionin e gabuar. Në një intervistë për “Koha Jonë” gazetari Roland Qafoku përmend vetëm disa fakte të reja që gjenden me shumicë në libër. “Unë nuk kam dyshime po bindje se Ismail Qemalin, për të cilin zyrtarisht është shkruar se vdiq nga hemoragjia cerebrale, është vrarë. Unë nuk kam dyshime po bindjen se Nako Spiru është vrarë. Unë nuk kam dyshime, por bindje se Myslym Keta është vrarë. Unë nuk kam dyshime, por bindjen se Mehmet Shehu është vrarë. Dhe në libër jap edhe fakte dhe dëshmi përse konkludoj kështu. Por besoj të them se në këto 100 vrasje edhe pse dorën e kanë drejtuar shqiptarët, për një pjesë kanë patur gisht shërbimet sekrete të huaja greke dhe serbe”,- shprehet gazetari Roland Qafoku.

Libri përfshin vrasje që nisin që në ditët e para të shtetit shqiptar dhe deri në ngjarjet e fundit që kanë tronditur opinionin në Shqipëri, si vrasja e bankierit Artan Santo dhe ajo e kryekomisarit, Artan Cuku.

 

Urime për librin tuaj të ri “100 vrasjet më të bujshme në historinë e shtetit shqiptar”! Veç kërshërisë për të zbuluar historinë e secilës vrasjeje, që në fillim, është një pyetje që duket e pashmangshme; përse keni zgjedhur 100 vrasje dhe jo 90 apo 120?

Faleminderit Qamil për urimin! Pyetja është mëse normale dhe në hyrje të librin i jam përgjigjur. Çdokush, nëse do hartonte një listë me vrasjet më të bujshme në historinë e shtetit shqiptar mund të bënte një listë të vetën me sa vrasje të donte ai. Mund të ishin 10, 50, 90, 100. Unë kam zgjedhur shifrën 100 që besoj se në radhë të parë është një shifër e plotë dhe e shtrirë në kohë. Së dyti, është një shifër që mendoj se më shkon për shkak se shumë speciale, shkrime dhe analiza e dossier që unë kam përgatitur gjatë karrierës sime kanë qenë të lidhura me shifrën 100. Identiteti i gazetës “Tirana Observer” që unë kam themeluar dhe drejtuar vite më parë ishte shifra 100, një rubrikë që qëndroi për gati 5 vjet. Dhe e treta është një model që unë e kam marrë nga revista ime e preferuar amerikane “Time”.  Në fakt, më shumë se pse 100 duhet të ishte pyetja përse pikërisht këto 100 vrasje dhe jo të tjera. Kjo edhe si pyetje por edhe si përgjigje është e vështirë. Në fillim lista që hartova ishte  400 vrasje. Më pas, 200, më pas 120 dhe këtu ishte pjesa më e vështirë e përzgjedhjes. Duke u konsultuar me kolegë gazetarë, historianë, studiues dhe njerëz skrupulozë që unë i vlerësoj pa masë, vendosa që të jenë këto 100 vrasje dhe unë pyetjes përse janë këta 100, me humor them; Sepse kështu mendoj unë.

 

Në Shqipëri jemi mësuar të shohim libra për një vrasje ose për një periudhë me shumë vrasje. Cili ishte modeli ku u frymëzove për të shkruar një libër që përmbledh historitë e ekzekutimeve dhe eliminimeve në një mënyrë të tillë?

Janë më shumë se 100 libra me temën e kriminalitetit që unë kam lexuar dhe i jam referuar. Por më i veçanti prej tyre është “Vrasjet e Shekullit”, një botim në SHBA me autor Kirk Ëilson. Vrasja John dhe Bob Kennedy, Merilyn Monrore, Jimmy Hoffa etj janë trajtuar me mjaft mjeshtëri. Por më ka impresionuar shumë edhe libri “Misteret e historisë” një botim edhe ky amerikan. Amerika ka një kulturë shumë ndryshe nga ne. Siç e kam thënë edhe më parë, tradita jonë është anadollake disi sepse këtu historianët dhe studiuesit duan të shkruajnë një libër në të cilin aty të jenë të gjitha. Gati ka një konkurrim për të shkruar të gjithë shqiptarët versionin e tyre të historisë së shtetit shqiptar. Rrjedhimisht në librat e historisë, vrasja e Hasan Riza Pashës, Isa Boletinit, Çerçiz Topullit, Sali Nivicës e shumë figurave publike kalojnë me pak rreshta. Jam përpjekur që historinë ta shkruaj në pikëvështrimin e kriminalitetit. Më saktë akoma të vrasjeve të bujshme që kanë ndodhur që nga viti 1912 deri në 2017.  Kësaj dua ti shtoj edhe faktin se starti i karrierës ka qenë gazetar i kronikës së zezë. Pas vitit 1990, në shumicën e vrasjeve unë kam qenë në vendngjarje dhe kjo më ka dhënë shumë avantazh. E falenderoj me zemër gazetën “Koha Jonë” dhe botuesin Nikoll Lesi, sepse kjo gazetë më dha mundësinë të kultivoja këtë zhanër. Do të kalojnë kohë, do të shkruhet dhe rishkruhet për vrasjen e Azem Hajdarit, por kurrë nuk do ta harroj unë dhe ata kolegë të kronikës së zezë që mbuluam atë ngjarje në atë mbrëmje të frikshme me plumba dhe shi në Tiranë. Për afro 4 vite mbulova çdo detaj të hetimit, pata kontakte dhe intervista me prokurorët shqiptarë dhe të huaj, të arrestuar dhe dëshmitarë dhe në një farë mënyre, mënyra se si e trajtonim ne gazetarët ngjarjen ishte edhe testi se sa profesionistë ishim ne. Ishte një mundësi që nuk të vjen kollaj në karrierë. Sot gazetarët amerikanë e shënojnë në curriculum që kanë mbuluar vrasjen e Kennedy. Dhe kjo nuk është pak.

 

Në çdo vrasje që trajtoni ka elemente të reja që vijnë për herë të parë për lexuesin. Cilin do e vlerësonit si një nga faktet më të forta?

Unë pretendoj se në libër kam sjellë vetëm të reja. Ose më saktë, faktet e ditura duke i shtuar të rejat ia kam bërë interpretimin e ri. Por besoj se mes tyre janë ato vrasje që njiheshin si vdekje natyrore apo vetëvrasje, ndërsa për mua janë vrasje të pastërta. Unë nuk kam dyshime po bindje se Ismail Qemalin, për të cilin zyrtarisht është shkruar se vdiq nga hemoragjia cerebrale, është vrarë. Unë nuk kam dyshime po bindjen se Nako Spiru është vrarë. Unë nuk kam dyshime, por bindje se Myslym Keta është vrarë. Unë nuk kam dyshime, por bindjen se Mehmet Shehu është vrarë. Dhe në libër jap edhe fakte dhe dëshmi përse konkludoj kështu. Por besoj të them se në këto 100 vrasje edhe pse dorën e kanë drejtuar shqiptarët, për një pjesë kanë patur gisht shërbimet sekrete të huaja greke dhe serbe. Vërtetë gjeneral Tellinin e ekzekutuan shqiptarët, por pas tyre ishin grekët. Vërtetë dy amerikanët në Mamurras i vranë shqiptarët, por pas tyre ishin serbët. Kështu bënë serbët edhe me Hasan Prishtinën, por edhe me figura të tjera. Dhe qershia mbi tortë e librit janë skicat për momentet e vrasjes. Për herë të parë ne kemi vizualisht momentin kur u vra Hasan riza Pasha, Isa Boletoni, Çerçiz Topulli etj. Për këtë dua të shpreh mirënjohje të veçantë piktorit të talentuar dhe mikut tim Gjergj Diko, që me punën e tij i ka dhënë shumë vlerë librit.

 

Kur përmend librat historikë, lexuesit kanë parasysh tekste voluminoze me kapituj të gjatë, ku faktet dhe dëshmitë e reja humbasin mes parashtrimeve të gjata. Ajo që bie në sy në librin tuaj është se për çdo vrasje që trajton ka një skemë grafike të veçantë të kuruar me mjaft kujdes, gjë që e bën edhe më thjeshtë leximin e fakteve dhe elementëve të rinj që sjellë për lexuesin. Sa kohë u është dashur të punonit për një libër të tillë?

E kam synuar ta kem identitet grafikën. Një libër historik nuk mund ta lexosh si roman. Aty ka pa fund data, shifra, citate, detaje dhe nëse do ishin vendosur si në një roman nuk do kishte fare interes. Besoj se pjesa vizuale është element shumë i rëndësishëm dhe unë për këtë falenderoj art design Rudin Janku, bashkëpunëtorin tim të vjetër tashmë që kur bënin gazetën “Panorama” dhe që kam vijuar bashkëpunim me të.

 

Dy vjet më parë u prezantuat me një libër historik të veçantë, “Historia e 33 kryeministrave”. Nëse do të bëjë një krahasim mes dy botimeve, cili do vlerësoje personalisht si më të mirin?

Unë i kam përgatitur dhe shkruar me të njëjtën dashuri dhe pasion. Nuk mund ti ndaj. Në fakt janë dy tema dhe natyra të ndryshme dhe vetëm unë nuk ndryshoj. I takon lexuesve të bëjnë dallimet.

 

Shpesh herë autorët ndërrojnë shtëpitë botuese. Në rastin tuaj të dy librat mbajnë emrin e “Onufrit”. Përse keni zgjedhur këtë shtëpi botuese?

Kjo pyetje më ndihmon të bëj një falenderim të veçantë për botuesin tim Bujar Hudhri. Onufri është dhe mbetet një nga shtëpitë botuese më cilësore dhe më serioze në Shqipëri. Jo më kot shkrimtari planetar, Ismail Kadare boton në këtë shtëpi botuese. Bujar Hudhri nuk boton libra. Ai boton kulturë dhe art. Nuk e merrni me mend skrupolozitetin e këtij njeriu kur boton një libër. Interesohet deri në presjen e panevojshme ose jo në një fjali, që do të thotë se çfarë serioziteti ai ka.

Sa ju ka ndihmuar puna si gazetar në gazetë në shkrimin e këtij libri?

Natyrisht unë jam gazetar dhe e kam shkruar këtë libër vetëm si gazetar, por natyrisht duke zbatuar rregullat e studiuesit me referenca dhe dokumente. Por mendoj se asnjë gazetar nuk mund të marrë pozat e historianit. Ç’kuptim do të kishte kjo? Unë jam gazetar që nëse studimin tim e shtrij në kohë, e përkufizoj vetëm se kam shkuar në vendngjarje me vonesë. Por ama kam ndjekur të gjitha rregullat e gazetarisë. Pikërisht kjo më ka ndihmuar shumë. Në më shumë se 20 vjet si gazetar kam përgatitur dosje të veçanta për të gjitha vrasjet e bujshme. Çdo detaj, dëshmi, dokumente, gazeta dhe libra e kam vendosur në dosje për vite me radhë. Plus këtu më ka ndihmuar jashtë mase ditari im si gazetar që e kam nisur që ditën e parë të punës dhe e vazhdoj edhe sot. Pasi i kam mbledhur këto të gjitha arrita që për dy vjet ta shkruaj. Natyrisht kjo kërkon një vetëdisiplinim, por që vetëm ajo të çon në sukses, nëse e arrin atë natyrisht.Koha Jone

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY