Drejtoria e Shërbimeve të Transportit Rrugor, e njohur më mirë si Drejtoria e ”Patentave”, institucion që për katër vitet e fundit u drejtua nga Lëvizja Socialiste për Integrim dhe dhe Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, ka shpallur kërkesë për 15 poste të rëndësishme drejtuesish njëherësh. Në një njoftim zyrtar të saj, ky institucion deklaron se ka hyrë në fazën e ristrukturimit.
Pasi ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri ka miratuar ditët e fundit ndryshimet në statutin dhe organigramën e këtij institucioni, është hapur kështu rruga për largimin e 15 drejtuesve rajonalë dhe në qendër, si dhe për ndryshimin e kritereve për caktimin e drejtuesve të rinj, duke sanksionuar detyrim me vitet e punës dhe arsimin përkatës.
Dy vendet vakante të shpallura në drejtorinë qendrore janë për postet e Drejtorit të Administrimit dhe Teknologjisë së Informacionit dhe Drejtorit të Drejtorisë së Investigimit Administrativ. Me statutin e ri është vendosur kushtëzimi që kandidatët duhet të kenë të detyrueshme minimum 5 vite punë në administratën publike.
Gjithashtu, ju kërkohet që të kenë mbaruar nivelin e dytë “Master” në profilin përkatës, ndërsa diploma e nivelit “Bachelor” duhet të jetë në të njëjtën fushë. Kusht është edhe që të mos kenë lidhje familjare (bashkëshort, bashkëjetues, bir, bij dhe fëmijët e tyre), gjinie (prindër, motër e vëlla dhe fëmijët e tyre, emtë a ungj) apo krushqie (prind, fëmijë, vëlla, motër, bashkëshort dhe bashkëshort/bashkëjetues i fëmijëve) me punonjës ekzistues brenda DPSHTRR-së.
Përveç dy posteve të drejtorëve në nivel qendror, janë larguar dhe shpallur vakante vendet për 13 drejtorë rajonalë, përkatësisht në Tiranë, Vlorë, Shkodër, Sarandë, Laç, Kukës, Korçë, Gjirokastër, Fier, Elbasan, Durrës, Dibër dhe Berat. Kusht për aplikim për këto vende drejtuesish është vendosur që të kenë mbaruar nivelin e dytë “Master”. Diploma”Bachelor” të jetë në rolin inxhinierik, juridik, ekonomik ose menaxhim publik. Eksperienca në punë duhet të jetë në sektorin publik ose privat mbi 3 vite.
Pagat bazë variojnë nga 94 mijë, në 118 mijë lekë në muaj për drejtoritë më të rëndësishme. Përveç kësaj, drejtorët e rinj do të kenë edhe pagesa shtesë si pagë grupi, etj.
Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor ka qenë vazhdimisht nën akuza publike për nivel të lartë të korrupsionit dhe emërime politike. Këto ndërhyrje pritet që të ndryshojnë perceptimin ndaj institucionit dhe të ndikojnë drejtpërdrejt në disiplinimin dhe luftën ndaj fenomeneve korruptive.
Njoftimin për konkurs për 15 vende drejtuese në qendër dhe nëpër rajone e ka dhënë drejtori i ri i përgjithshëm i Drejtorisë së Shërbimit Rrugor, ish-deputeti i Partisë Socialiste Arben Isaraj
Postet vakante brenda Drejtorisë së Shërbimeve të Transportit Rrugor
Drejtor i Administrimit dhe Teknologjisë së Informacionit
Drejtor i Investigimit Administrativ
Drejtor rajonal Tiranë
Drejtor rajonal Vlorë
Drejtor rajonal Shkodër
Drejtor rajonal Sarandë
Drejtor rajonal Laç
Drejtor rajonal Kukës
Drejtor rajonal Korçë
Drejtor rajonal Gjirokastër
Drejtor rajonal Fier
Drejtor rajonal Elbasan
Drejtor rajonal Durrës
Drejtor rajonal Dibër
Drejtor rajonal Berat
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/