KLSH: Milionat e shqiptarëve që financojnë ekspozitën e bujshme të Kryeministrit

KLSH: Milionat e shqiptarëve që financojnë ekspozitën e bujshme të Kryeministrit

234
0
Shares

Kryeministri dhe artisti Edi Rama ka hapur prej muajsh një ekspozitë në Bienalen e Venecias, e cila ka nisur në maj dhe mbyllet në fund të nëntorit. Një ekspozitë pikturash, e cila ka dhe një anë të errët sa i përket financimit. Dhe është pikërisht një audit i Kontrollit të Lartë të Shtetit në Ministrinë e Ekonomisë, që zbulon se qeveria e kryeministrit Edi Rama, e ka financuar me fonde publike këtë bienale. Sipas konkluzioneve te dala nga raporti, në periudhën mars-tetor 2016, Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka kryer një sërë prokurimesh të dyshimta publicitare, me kompani të huaja dhe shqiptare. Historia nis në Mars 2016, kur ish-ministrja e Ekonomisë, Milva Ekonomi, vendosi një fond prej afro 500 mijë dollarë (në total për vitin 2016) në dispozicion të spoteve publicitare për promovimin e Shqipërisë. Ky ishte projekti i quajtur “Albania go on your way”. Teksa ka audituar, disa tenderë dhe kompani që kanë shprehur interes në ministri për shfaqjen e një spoti publicitar (promovues për vendin në kanalet franceze), gjatë kampionatit Europian 2016, është parë se ky spot jo vetëm që nuk arriti të realizohej në kohë, por nuk u transmetua asnjë ditë.

Dhe pikërisht, sipas KLSH-së, ai nis e shfaqet në festivalin e Venecias, kur kryeministri Rama kishte çelur ekspozitën e tij. Shteti shqiptar pagoi 95 mijë euro për të drejtat e transmetimit të kësaj reklame. Megjithë përpjekjet e kompanisë që fitoi tenderin, për ta transmetuar spotin në Francë, në pak ditët e mbetura dhe me fond të reduktuar, sërish ka një përgjigje nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik se ai duhej të shfaqej që nga data 10 qershor kur kishte nisur kampionati i futbollit dhe jo pas datës 13 kur spoti ishte gati.

Por, nëse deri këtu argumenti për korrektësi në tender dhe reklamim me audiencë globale për promvimin e Shqipërisë është i bazuar, atëherë ky argument rrëzohet plotësisht kur spoti nis e transmetohet në një event, ku interesi i publikut është shumëfish më i ulët. Ja çfarë nxjerr zbuluar KLSH, teksa një reklamë promovon vendin dhe Edi Rama ekspozon punën e vet artistike.

Raporti
Nga auditimi konstatohet se, në bazë të “Konfirmim porosisë” së më datë 07.03.2016, ky spot do të fillonte transmetimin prej datës 10 qershor deri në 10 korrik 2016, përgjatë eventit të Kampionatit Europian 2016, ndërkohë spoti ishte gati më datë 13.06.2016, pra tre ditë më vonë nga sa ishte parashikuar për transmetim. Pra, qëllimi mbi të cilin u procedua me një shpejtësi kohore, për të “prodhuar këtë spot” nuk u finalizua dot, si në kohë ashtu dhe në negocimin, duke e humbur objektin për të cilën u mendua që të reklamohej në këtë eveniment.

Konstatohet se, ky spot nuk mundi të paraqitej për publikim, në ekranet e shpërndarë në territorin e shtetit të Francës, ku po zhvillohej Kampionati Europian i Futbollit 2016, me arsyetimin e shprehur në shkresën nr.2 78/15 prot, datë 22.06.2016, nga Titullari i AKT-së drejtuar Titullarit të MZHETTS-it, ku citohet se “Gjatë korrespondencës me personin e kontaktit të A.M.G, AKT kërkoi vazhdimisht korrigjimin e datave dhe njëkohësisht dërgimin e faturës origjinale me firmë dhe vulë të njomë, pasi tashmë spoti ishte realizuar dhe pritej vetëm firmosja e kontratës së rregullt sipas datave të porosisë, për fillimin e procedurave.

Në fillim të kërkesave tona, nga ana e A.M.G, u njoftuam se është bërë një gabim fillestar prej tyre dhe se periudha e transmetimit do të ishte nga data 27.06.2016 deri më datë 10.07.2016, pra 17 ditë më e shkurtër nga letra e konfirmimit të porosisë dhe se kjo ishte data e saktë për ta dhe nuk mund të ndryshohej. Vlen të theksohet se AKT ka kërkuar me insistim transmetimin e spotit gjatë datave që figurojnë në letrën e porosisë. Ecuria e marketingut të këtij spoti ka vazhduar në datë 25.08.2016, ku AKT-ja, i është drejtuar përsëri Ministrit të MZHETTS, ku është kërkuar aprovimi për transmetimin e spotit promovues të Shqipërisë prej 10 sekondash i cili tashmë, duhej të shfaqej në Festivalin e Venecias 2016. MZHETTS-si me shkresën nr. 7099/1 prot, datë 30.08.2016, ka miratuar kërkesën e mësipërme.

Gjatë auditimit, konstatohet se: Ekziston komunikimi elektronik, me kompaninë O.R me seli në Londër (Angli), me AKT përfaqësuar nga ish-drejtori i Marketingut në AKT, ku është pranuar “Silver package”12×30” spote në ditë për 11 ditë. Në këtë ofertë del e paqartë, që është spoti prej 10 sekonda i cili u prodhua nga kompania fituese “P.a” si më sipër, për t’u publikuar në “Euro 2016” apo kemi të bëjmë me ndonjë spot tjetër? Në faturën e sjellë nga kompania e huaj “R.E” London, flitet për spot 30 sekonda. Nga auditimi i dosjes fizike, Kompania e cila ka ekskluzivitetin për transmetimin e spotit është “OR” me këto të dhëna (Fondazione La bienale di Venizia) dhe nuk jepet asnjë dokumentacionin ligjor, asnjë argumentim faktesh, për lidhjen që kanë këto kompani “të përzgjedhura nga AKT”?

Gjetjet
-Ministria e Ekonomisë ka bërë një ‘mish-mash’ kontratash me disa kompani të huaja për transmetimin e spotit promovues në Euro 2016, me vlerë rreth 95 mijë euro.
– Ministria dështoi me realizimin e këtij spoti në Francë, por tre muaj më vonë, bëri transferimin e të drejtave të spotit promovues për në Bienalen e Venecias.
– Kontratat dhe procedura si e kreu këtë transferim duket e paqartë dhe për audituesit e KLSH-së, të cilët shprehin në mënyrë eksplicite mungesën e dokumenteve dhe faturave në ministri.
-Ato pak dokumente të siguruara nga KLSH-ja zbulojnë se kontrata e lidhur në Tetor me kompaninë angleze “Outdoor Revolution” shkonte për llogari të ‘Fondacionit Bienalja e Venecias‘
-Ministria e Ekonomisë nuk ka ofruar dokumentacion të plotë për të treguar në mënyrë të detajuar se sa fonde publike ka përfituar Fondacioni Bienalja e Venecias, ndërsa KLSH-ja shprehet se projekti total i ministrisë për reklamat promovuese ishte rreth 500 mijë dollarë.

Tenderi

Ishin 500 mijë dollarë fonde, u keqpërdorën

Teksa media prestigjioze italiane i ka bërë jehonë pikturave të kryeministrit përmes artikujve në Rai, Mediaset, Arte etj, paralelisht auditimi në Agjencinë Kombëtare të Turizmit (AKT) dhe në Agjencinë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA), zbulonte se një pjesë e fondit total prej 500 mijë dollarësh, janë përdorur për interesa personale. Raporti i KLSH-së e vendos kryeministrin Edi Rama në një konflikt të pastër interesi, pasi audituesit kanë vërtetuar se ekspozitat private të Edi Ramës janë realizuar në një bienale e cila merr financime nga fondet publike të qeverisë shqiptare. Më poshtë, po sjellim pjesën e vendimit për realizimin e një tenderi që të paktën nga ministria e Ekonomisë është refuzuar të detajohet.

Auditi

Nga auditimi, sipas Autorizimit të Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, rezultoi se, Agjencia Kombëtare e Turizmit (AKT), si Autoritet Kontraktor, ka realizuar 3 procedura prokuruese, gjatë vitit buxhetor 2016, për prodhim dhe promovim të turizmit shqiptar në nivel ndërkombëtar dhe kombëtar, në kuadër të zhvillimit të projektit të zbatimit të brandimit të “Albania go your own way”, sipas aktit ligjor VKM nr. 1195. datë 05.08.2008 “Për blerjen, zhvillimin, prodhimin e bashkëprodhimin e programeve e të reklamave për transmetim nga operatorët radiotelevizivë ose botim në mediet e shkruara, dhe në kontratat, për kohë transmetimi, nga organet e administratës shtetërore”.

-Mbi auditimin në lidhje me zbatimin e procedurës, “Mbi përgatitjen e një spoti promocional me rastin e kampionatit EUROPIAN Francë 2016” me fond limit 1, 683,333 lekë pa TVSH, e realizuar në qershor të vitit 2016, pranë AKT-së, rezultoi:

-Kjo procedurë është iniciuar, nga Titullari i MZHETTS , me objekt mbi promovimin e turizmit në Euro 2016, në Francë. Mbi bazën e konfirmimit të porosisë të datës 07.03.2016, e firmosur nga znj. ministre me përfaqësuesin e AMG, për të cilën në MZHETTS nuk ka dokumentacion shpjegues për këtë kontratë paraprake, e cila do të transmetonte spotin duke u paguar me vlerën prej 90 mijë euro, nga buxheti i shtetit.

-Titullari i AKT-së, me Urdhër nr.278 prot. datë 03.06.2016 ka përcaktuar “Ngritjen e komisionit” i cili do të përcaktojë specifikimet teknike dhe studimin e tregut për përcaktimin e fondit limit si dhe ka përcaktuar specifikimet teknike, duke e paraqitur sipas kostove të shërbimit që përbëjnë spotin prej 10” (sekonda) .

-Titullari i AKT-së, ka nxjerrë Urdhrin nr.79. datë 06.06.2016, “Për fillim procedure për prodhimin e 1 spoti promocional “Shqipëria në Euro 2016”. Në këtë urdhër është ngritur dhe komisioni për hartimin e dokumenteve dhe ndjekjen e procedurave. Komisioni, po në datë 06.06.2016, ka hartuar, miratuar dhe dërguar Ftesë për Negociata tre kompanive (M.M; P.V dhe S.A) si dhe është hedhur në faqen e internetit të institucionit të AKT. Këto ftesa zyrtare nuk mbajnë konfirmimin nga operatorët ekonomikë.

-Procedura ka vazhduar në datën 07.06.2016, ku në orën 10:30 janë paraqitur të interesuar dy kompani, të cilat nuk bëjnë pjesë tek operatorët, që komisioni iu kishte dërguar Ftesat për negocim. Ofertat janë paraqitur në protokollin e AKT-së, nga subjektet si më poshtë:
1.R.T.A nr.278/9 prot me ofertë prej 1,510,000 lekë pa TVSH, e cila nuk ka paraqitur dokumentacionin e plotë të kërkuar, e për rrjedhojë është skualifikuar.

2.P.a nr.278/10 prot me ofertë prej 1,470,000 lekë pa TVSH, e cila ka plotësuar dokumentacionin dhe është shpallur fituese nga komisioni i vlerësimit.
-Autoriteti Kontraktor i AKT-së, ka dërguar shkresën nr. 278/12 prot. datë 07.06.2016, me objekt njoftimin e klasifikimit si dhe hartuar dhe miratuar Raportin përmbledhës mbi procedurën për realizimin e 1 spoti promocional “Shqipëria në Euro 2016”.

-Nga AKT-ja, është lidhur Kontratë Shërbimi nr. 278/15 prot. datë 09.06.2016 me vlerë kontrate prej 1,764,000 lekë me TVSH, me kompaninë fituese “P.a” shpk./Shekulli

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY