Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se ripopullimi i Shqipërisë është një nga parimet themelore të PD-së dhe se, në rast se partia e tij vjen në qeverisje, do të ndërmarrë një politikë të gjerë për të frenuar shpopullimin dhe nxitur kthimin e shqiptarëve.
Deklarata e Berishës erdhi në përgjigje të pyetjes së Fatos Merllajt, i cili e pyeti për masat që do të ndërmerren për të kundërshtuar reformën territoriale dhe për një program të mundshëm të PD-së për ripopullimin e zonave të zbrazura.
“Partia Demokratike ka shpallur një parim për ripopullimin. Ripopullimi i Shqipërisë është parimi ynë. Është i vlefshëm për çdo çmim”, u shpreh Berisha.
Ai tha se shpallja e këtij parimi nënkupton mobilizimin e të gjitha burimeve për ta bërë ripopullimin realitet, pavarësisht kostos.
“Kur ti deklaron këtë parim themelor të programit të ripopullimit, kjo do të thotë që ti do mobilizosh të gjitha resurset në mënyrë që ripopullimin, pavarësisht sa kushton, në mënyrë që ripopullimin ta bësh realitet”, deklaroi ai.
Berisha e krahasoi këtë qasje me politikën e ndjekur gjatë qeverisjes së tij për furnizimin me energji elektrike. Sipas tij, në vitin 2007 ai kishte shpallur si parim garantimin e furnizimit me energji “me çdo çmim”, duke argumentuar se kostoja më e lartë ishte mungesa e energjisë.
“Dhe unë ju garantoj që kjo është hera e dytë në jetën time që unë shpall një parim të tillë”, tha Berisha.
Sa i përket shpopullimit, ai tha se Shqipëria sot ka një numër lindjesh të krahasueshëm me periudhën kur vendi kishte më pak se një milion banorë.
“Sot ne kemi në Shqipëri lindje aq foshnje sa ç’kanë lindur 100 vite më parë kur ne kemi qenë nën 1 milion banorë”, u shpreh ai, duke shtuar se për të rikthyer nivelin e popullsisë së vitit 2013 do të duheshin të paktën 30 vite me politika aktive.
Berisha tha se programi do të përfshijë një seri masash për rikthimin e shqiptarëve dhe rritjen e lindjeve. Ai përmendi gjithashtu periudhën 2008-2012, kur sipas tij rreth 180 mijë familje shqiptare u kthyen nga emigracioni.
“Me disa kushte, me heqje taksash, me gjëra të tjera, kurse tani ripopullimi do të njohë praktikat, vendimet më të rëndësishme pavarësisht nga çmimi në mënyrë që kjo të bëhet realitet”, deklaroi kryetari i PD-së.a.b




