Trupi gjykues në Gjykatën Speciale në Hagë konstatoi se, ndërmjet prillit të vitit 1998 dhe qershorit të vitit 1999, pjesëtarë të UÇK-së kryen veprime që çuan në vrasjen e 96 personave që nuk merrnin pjesë aktive në luftime.
Sipas konstatimeve të trupit gjykues, vrasjet ndodhën në 12 komuna të Kosovës dhe në një rreth në Shqipëri. Gjykatësi Charles Smith III po paraqet konstatimet lidhur me akuzën për vrasje të paligjshme si krim lufte.
Trupi gjykues konstatoi se në mesin e personave të shënjestruar ishin anëtarë dhe përfaqësues të forcave të tjera politike ose ushtarake, veçanërisht persona të lidhur me LDK-në dhe FARK-un.
Në këtë grup, sipas konstatimeve, përfshiheshin edhe persona të lidhur me autoritetet e Republikës Federale të Jugosllavisë, si dhe pjesëtarë të pakicave etnike, përfshirë serbë dhe romë.
Në vijim, trupi gjykues konstatoi se Zyra e Prokurorit të Specializuar arriti të vërtetojë edhe kryerjen e krimeve të luftës të trajtimit mizor dhe torturës ndaj 303 personave në Kosovë dhe në dy qarqe të Shqipërisë.
Smith tha se gjithsej 348 persona u trajtuan mizorisht dhe 303 prej tyre u torturuan nga anëtarë të UÇK-së.
“Trupi gjykues konstatoi se midis prillit 1998 dhe qershorit 1999, 348 persona u trajtuan mizorisht dhe nga këta 303 persona u torturuan. Anëtarë të UÇK-së krijuan kushte çnjerëzore ndalimi, i mbajtën në kushte çnjerëzore ndalimi, në ndërtesa që kishin qenë shkolla, stalla bagëtish dhe bodrume, dhoma tepër të vogla, s’kishte shtroja dhe mbuloja. Shumë të ndaluar u detyruan të flinin në dysheme betoni. Në disa qendra të ndaluarit kaluan ditë pa ushqim. Në vende të ndryshme ndalimi anëtarë të UÇK-së i rrihnin brutalisht dhe vazhdimisht të ndaluarit, duke përdorur qytat e pushkëve, shkopinj, bishta sëpatash. Të ndaluarit u varën kokëposhtë nga këmbët dhe u rrahën”.





