Qeveria është tërhequr nga përplasja për pagat e magjistratëve, ndërsa GJKKO ka marrë nga Thesari i Shtetit pagat e rritura sipas vendimeve të reja për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Përplasja mes sistemit të drejtësisë dhe qeverisë nisi pas vendimit të KLGJ-së për përcaktimin e pagës së referencës, në zbatim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Ministria e Financave dhe degët e Thesarit kishin refuzuar fillimisht të ekzekutonin diferencat e pagave për muajin gusht, duke kërkuar që pagesat të kryheshin sipas parametrave të muajit korrik.
Për këtë çështje, GJKKO iu drejtua gjykatës dhe kërkoi ekzekutimin e menjëhershëm të pagave sipas vendimeve në fuqi. Gjykata Administrative pranoi kërkesën dhe urdhëroi ekzekutimin e menjëhershëm, duke i hapur rrugë pagesës së pagave të rritura.
Ndërkohë, kryeministri Edi Rama e kundërshtoi publikisht vendimin e Gjykatës Administrative, duke e akuzuar atë se kishte vendosur me shpejtësi për interesin e vetë gjyqtarëve. Rama deklaroi se çështja do të trajtohej nga Parlamenti në respektim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Megjithatë, tashmë pagesat e rritura janë ekzekutuar, duke shënuar tërheqjen e qeverisë nga qëndrimi i mbajtur fillimisht për bllokimin e diferencave të pagave.a.b



