Protesta e opozitës dhe e qytetarëve kundër qeverisë ka vijuar këtë të martë në Tiranë, ndërsa tubimi është shoqëruar me përplasje mes protestuesve dhe policisë. Si pasojë e tensioneve, rreth 20 persona janë arrestuar, mes tyre edhe kreu i “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj.
Protesta nisi rreth orës 17:00, fillimisht para Kuvendit të Shqipërisë, ku forca të shumta policie kishin marrë masa të shtuara sigurie. Zona përreth Parlamentit ishte rrethuar me gardhe metalike dhe kordonë policorë, ndërsa prania e uniformave blu ishte e shtuar.
Pas tubimit para Kuvendit, protestuesit nisën marshimin në drejtim të bulevardit dhe më pas drejt zonës së ish-Bllokut. Gjatë lëvizjes, ata vijuan me thirrjet kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.
“Këtu vendosim ne!”, “Nuk shitet Shqipëria!” dhe slogane të tjera u dëgjuan gjatë marshimit.
Situata u tensionua në disa momente, teksa protestuesit u përballën me forcat e policisë. Ndërhyrja e uniformave blu solli arrestimin e rreth 20 pjesëmarrësve, përfshirë Adriatik Lapajn.
Protestuesit kundërshtuan veprimet e policisë, ndërsa forcat e rendit vijuan zbatimin e masave të sigurisë për të kontrolluar lëvizjen e turmës dhe zhvillimin e tubimit.
Protesta e sotme zhvillohet në kuadër të ditës së 101-të të rezistencës qytetare. Organizatorët kanë deklaruar se tubimet do të vijojnë deri në plotësimin e kërkesave të tyre, përfshirë largimin e Edi Ramës nga pushteti dhe ndryshimin e mënyrës së qeverisjes.





