Ish-zëvendësministri i Arsimit, Taulant Muka, ka ngritur akuza për plagjiaturë ndaj Klodiana Spahiut, e propozuar sot nga kryeministri Edi Rama për postin e ministres së Shëndetësisë.
Në një postim në rrjetet sociale, Muka pretendon se një punim i Spahiut, i botuar në vitin 2018, është kopjuar nga punime të publikuara më herët.
“Plagjiaturë 100%”, shkruan Muka, duke pretenduar se nuk bëhet fjalë vetëm për disa fjali, por për kopjim të tekstit, rezultateve dhe përfundimeve.
Sipas tij, punimi i Spahiut paraqet të dhëna dhe përfundime të një spitali grek si të dhëna të Spitalit të Durrësit. Muka thotë gjithashtu se ngjashmëritë përfshijnë hyrjen, metodat, rezultatet, diskutimin dhe konkluzionet e punimit.
Ish-zëvendësministri i Arsimit pretendon se në materialet e publikuara prej tij punimet janë vendosur krah për krah për të evidentuar ngjashmëritë.
“Kështu bëhen ‘akademikët’. Kështu ndërtohen CV-të. Dhe pastaj bëhen ministra”, shkruan Muka.





