Nënkryetari i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka vijuar akuzat ndaj qeverisë dhe Olsi Ramës, duke publikuar një video që, sipas tij, tregon vëllain e kryeministrit së bashku me shtetasin Gert Haka duke lëvizur me një automjet në Tiranë.
Sipas Këlliçit, pamjet lidhen me një çështje që ai e ka denoncuar më herët, duke pretenduar se shtetasi venezuelian që në vjeshtën e vitit 2025 bleu 99% të aksioneve të kazinosë në Air Albania është vetëm një “prestanome” i Olsi Ramës dhe Gert Hakës.
Demokrati i është drejtuar sërish publikisht SPAK-ut, duke kërkuar sqarime për automjetin që shfaqet në video dhe lidhjet e pretenduara me kompaninë në fjalë.
“Në vjeshtën e vitit 2025, atëherë kur venezuelani anonim mori 99% të aksioneve të kazinosë në Air Albania, Ols Rama dhe shtetasi Gert Haka shiheshin duke lëvizur nëpër Tiranë me këtë makinë. Venezueliani çudibërës sigurisht nuk është i panjohur për Olsin dhe Gertin; është thjeshtë prestanome i tyre.
Sot sërish kam tre pyetje publike për SPAK:
- Në pronësi të kujt kompanie është ky automjet?
- Përse e ka ndryshuar targën?
- Çfarë e lidh Ols Ramën me këtë kompani?”, shkroi Këlliçi.
Në deklaratën e tij, Këlliçi nuk paraqet prova për pretendimet e ngritura, ndërsa deri tani nuk ka pasur reagim nga Olsi Rama apo nga SPAK lidhur me këto akuza.





