Në vijim është një pjesë nga vlerësimi i raportit të fundit të Overseas Security Advisory Council (OSAC), strukturë e Departamentit Amerikan të Shtetit, e cila harton analiza të sigurisë për qytetarët dhe bizneset amerikane jashtë vendit.
Sipas raportit, kriminaliteti në Shqipëri u rrit me rreth 17% gjatë vitit 2025. Rritja lidhet kryesisht me trafikun e drogës, mashtrimet dhe veprat penale me armë.
Raporti vlerëson se pandëshkueshmëria mbetet një problem serioz, ndërsa evidenton edhe sfida që lidhen me infrastrukturën, shërbimet publike dhe sigurinë rrugore.
Ndër të tjera, qytetarët amerikanë këshillohen të shmangin udhëtimet gjatë natës, të konsumojnë ujë të ambalazhuar dhe të tregojnë kujdes për shkak të kushteve të sistemit shëndetësor dhe ndotjes së ajrit, veçanërisht në Tiranë.
Pjesë nga raporti i OSAC/ Policia ka një prani të dukshme në Tiranë dhe në qytetet e tjera të mëdha, megjithëse reagimi i saj shpesh vonohet për shkak të burimeve dhe personelit të kufizuar. Policia priret t’u përgjigjet më shpejt raportimeve të bëra nga anëtarët e komunitetit ndërkombëtar. Megjithatë, aftësia e forcave të rendit për të mbrojtur dhe ndihmuar udhëtarët është e kufizuar në disa zona, veçanërisht në rajonet e largëta. Qeveria shqiptare po përpiqet të përmirësojë aftësitë e forcave të rendit, veçanërisht në luftën kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar, por korrupsioni dhe mungesa e burimeve mbeten sfida.
Drejtimi i automjetit mund të jetë i vështirë. Udhëtarët hasin rregullisht drejtues mjetesh të rrezikshëm dhe mosrespektimi i rregullave të qarkullimit rrugor është i përhapur. Aksidentet rrugore janë të shpeshta dhe shpesh rezultojnë me plagosje të rënda ose humbje jete. Drejtimi i automjetit gjatë natës konsiderohet i rrezikshëm për shkak të mungesës së ndriçimit në shumë rrugë. Rekomandohet shmangia e udhëtimeve ndërmjet qyteteve pas rënies së errësirës.
Mundësitë e transportit publik janë të kufizuara dhe zakonisht nuk rekomandohen për vizitorët. Hekurudhat kanë infrastrukturë të dobët, ndërsa autobusët privatë qarkullojnë kryesisht gjatë ditës dhe me orare të ndryshueshme. Në transportin urban raportohen shpesh raste të vjedhjeve të xhepave. Taksitë e licencuara konsiderohen alternativa më e sigurt.
Kujdesi mjekësor është i pamjaftueshëm në disa zona dhe shërbimet e urgjencës janë të kufizuara. Jashtë Tiranës nuk ka spitale të specializuara për traumën. Personat me probleme shëndetësore këshillohen të konsultohen me mjekun përpara udhëtimit.
Rekomandohet vaksinimi kundër Hepatitit A dhe Hepatitit B përpara udhëtimit në Shqipëri. Personat që zhvillojnë aktivitete në natyrë këshillohen të vaksinohen edhe kundër tërbimit për shkak të pranisë së qenve endacakë.
Rekomandohet konsumimi i ujit të ambalazhuar, pasi uji i rubinetit nuk përmbush standardet amerikane.
Ndotja e ajrit paraqitet si një problem në të gjithë Shqipërinë, veçanërisht në Tiranë, për shkak të impianteve të vjetruara industriale dhe të prodhimit të energjisë. a.b



