Nga Sonila Meço
Edi Rama nuk po rreket të fitojë ndaj protestës, por ndaj kohës.
Çdo ditë që kalon duke folur për gjithçka tjetër, përveç pesë kërkesave të protestës, është një ditë e fituar për të. Çdo debat anësor, çdo diversion, çdo provokim, çdo polemikë e re, ka vetëm një funksion, ta zhvendosë vëmendjen nga çështja më e rrezikshme për të: A do të funksionojnë institucionet apo do të vazhdojmë të jetojmë në republikën e një njeriu të vetëm?
Kjo është arsyeja pse nuk flet për pesë kërkesat e formuluara nga protestuesit. Nuk i përmend, as i kundërshton, nuk i pranon, nuk i debaton. Sillet rreth tyre si një anije e trembur rreth një mine detare.
U druhet fuqisë së tyre, i shmang si djalli temjanin sepse nëse hyn tek kërkesat, del nga territori ku ka shirë e korrur 13 vite, narrativa e kontrolluar. Po foli për kërkesat hyn në terrenin ku mund t’i shembet mbrojtja dhe u jep pushtet për herë të parë institucioneve.
Ato institucione që i zhvlerësoi, i shkatërroi, i mori nën hyqëm e i shndërroi në fasada sistemi të kapur kryekëput prej tij. Aty mori fund republika, shteti, kushtetuta.
Dhe për herë të parë po i kërkohet mos luaje shah me veten dhe jo në gambitin që i do xhani.
Protesta nuk po i kërkon as dialog, as negociatë, as bindje morale. Mençurisht po i dikton kosto politike, kosto ndërkombëtare dhe më në fund kosto institucionale. Protesta nuk i lutet Ramës, por i paraqet kushte sistemit.
Mu bash këtu bëhet interesante deklarata e tij për Financial Times, madje në një lëvizje të çoroditur e ka kapur shah mat mjeshtrin e diversionit. Rama tha se nuk i takon atij të provojë nëse është apo jo “Godfather”. Atëherë kujt i takon?
Kjo është elementare, u takon atyre institucioneve që u ndërtuan, u financuan dhe u reklamuan për vite me radhë edhe nga Brukseli e Washington-i si garancia se askush nuk do të ishte mbi ligjin. Kjo është prova e shtetit ligjor.
Me një përgjigje vërtetë gojëndyrë, por të sinqertë në Financial Times, kryeministri ia lehtësoi punën dhe SPAK-ut.
Kjo është arsyeja pse protesta po arrin qëllimin e nuk varet më nga numri i njerëzve në shesh. Krejt jashtë çdo parashikimi të Ramës, ajo ia doli ta shfaqë drejtësinë pa alibi në justifikimin e mungesës së saj drejt kreut.
Është vetë SPAK që po dëshmon se korrupsioni ka organizatë, krimi ka organizatë, pastrimi i parave ka organizatë, kapja e shtetit ka organizatë. Atëherë si do ta amnistojë njeriun që ka qeverisur i vetëm për trembëdhjetë vjet?
Në politikë ekziston një rregull i vjetër që edhe Macron e Meloni e dinë fare mirë: kur kostoja e mosveprimit bëhet më e lartë se kostoja e veprimit, sistemi lëviz.
SPAK-u nuk ka asnjë mundësi tjetër veçse të lëvizë drejt Edi Ramës.
Andaj diversionet e përditshme që sforcueshëm prodhon janë kaq të parëndësishme. Një ditë një video, një ditë një status, një ditë një intervistë, një ditë një armik i ri nga frëngjia e rrjeteve sociale. Kjo është teknika e huazuar nga oktapodi, kur i rrezikohet koka, lëshon bojë që të mos shihet.
Kjo protestë i ka idetë të qarta. Pesë kërkesat e protestës janë ende aty. Të pandryshuara. Të papërgjigjura.
S’po kërkohet një hero a shpëtimtar i ri. Protesta nuk po kërkon vetëm një akt politik, por edhe precedentin që ndan republikën nga sulltanati.
Që për herë të parë, njeriu që ka qeverisur si autor i modelit 13 vjeçar të paraqitet para ligjit si subjekt i saj.
Që për herë të parë në historinë e këtij tranzicioni, institucioni të guxojë të trokasë në derën e pushtetit pa kërkuar leje nga brenda.
Ndaj e do të lodhur e të sfilitur protestën kryeministri, sepse e di se sa më gjatë të vijojë e rezistojë kjo dallgë zemërate, aq më pak do të ketë rëndësi se çfarë thotë Edi Rama, e aq më shumë do të ketë rëndësi se çfarë bën SPAK-u.



