SPAK godet organizatën kriminale shqiptare që ndikonte në tregun e kokainës në Evropë ndërsa iu sekuestrian rreth 17 tonë kokainë.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (Prokuroria e Posaçme), ka kryer hetime kundër një organizate kriminale të nivelit të lartë, të përfshirë në trafikimin e kokainës dhe pastrimin e parave. Hetimet, të cilat përfshijnë bashkëpunimin intensiv me EUROPOL dhe autoritete nga Belgjika, Franca, Holanda, Gjermania dhe Italia, u bazuan në analizën e të dhënave të komunikimit të enkriptuara të platformës SkyECC. Nga këto hetime janë zbuluar dërgesa shumë-tonëshe kokainë nga Amerika Latine drejt porteve kryesore të BE-së, përfshirë Hamburgun, Anvers etj.
Kjo organizatë kriminale operonte në një shkallë globale, duke bashkëpunuar me grupe të tjera kriminale për të lehtësuar transportet drejt porteve evropiane dhe investonte fitimet e mëdha në prona dhe biznese në Shqipëri dhe jashtë saj.
Prokuroria e Posaçme ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së sigurimit personal ndaj 16 (gjashtëmbëdhjetë) shtetasve shqiptarë.
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit kanë ekzekutuar masat e sigurimit për 9 të hetuar (përfshirë edhe një nga drejtuesit), prej të cilëve 7 me masën“arrest me burg” dhe 2 me masën “detyrim paraqitje”, ndërsa një prej të hetuarve gjendet aktualisht i arrestuar në një vend të BE – së (drejtues i organizatës). Po punohet për ekzekutimin e masave të sigurimit për 6 persona të tjerë.
Masa “arrest me burg” në Shqipëri:
Tabeal
Arrest me burg në Shqipëri:
1. Ervis Çela
2. Ardian Çela
3. Albin Çela
4. Petrit Lakatos
5. Renato Musaka
6. Gert Çerma
7. Miklovan Mullai
Detyrim paraqitje:
8. Dition Pepa
9. Kujtim Gjyla
I arrestuar në BE
10. Franc Gegeli (alias Franc Copja)
Në kërkim
1. Fadil alias Jul Balla
2. Petrit Sulejmani alias Lakatos
3. Mariglen Kamami
4. Denis Daja
5. Vilson Pepa
6. Riza Çela
Sekuestrimet e sasive të kokainës:
Gjatë hetimeve ndërkombëtare, janë identifikuar dhe goditur dy ngarkesa të mëdha kokaine, të transportuara nga Amerika e Jugut drejt Evropës dhe më konkretisht:
- Shtator 2020 – Paraguaj → Belgjikë (Anvers)
Grupi i drejtuar nga E.Ç. dhe F. G., në bashkëpunim me një shtetas brazilian, organizoi trafikimin e 11.6 ton kokainë, fshehur në kuti sapuni dhe kuti boje metalike me logon “Fox”. Ngarkesa u nis nga porti i Villeta (Paraguaj) dhe mbërriti në Anvers më 04.11.2020.
Në vijim, gjatë operacioneve të policisë në Roterdam, u sekuestruan 600 kg kokainë dhe 2 milionë euro, si dhe u arrestuan shtetasit shqiptarë M.D. dhe N.B. - Dhjetor 2020 – Shkurt 2021 – Paraguaj → Gjermani (Hamburg)
E.Ç. dhe F.G. organizuan dhe financuan trafikimin e 16.4 ton kokainë, fshehur në bombola metalike me bojë/kollë ndërtimi dhe të stampuara me logo (“sy me rrufe të kuqe”, “Puma”, “shenja infinit”), me vlerë tregu prej 1.5 miliard deri 3.5 miliard euro. Ngarkesa, e shpërndarë në disa kontejnerë, mbërriti në Hamburg më 12.02.2021 dhe u sekuestrua nga autoritetet doganore gjermane. (Cocaine ‘worth billions’ seized in record Germany and Belgium haul).
Tipologjia e organizatës kriminale
Hetimet e kryera në bashkëpunim me autoritetet ligjzbatuese partnere dhe analiza e komunikimeve të përgjuara në aplikacionin SkyECC kanë zbuluar një strukturë kriminale të përmasave ndërkombëtare, e udhëhequr nga shtetasit E.Ç. dhe F.G., e cila kontrollonte në mënyrë të plotë zinxhirin e trafikut të kokainës – nga prodhimi, magazinimi dhe përpunimi në laboratorët e Paraguait, transporti ndërkombëtar dhe shpërndarja në tregjet europiane, deri te pastrimi dhe qarkullimi i të ardhurave të fituara.
Ngarkesat e mëdha të kokainës siguroheshin direkt nga prodhuesit nga drejtuesi i organizatës E. Ç. (i cili së bashku me vëllanë e tij A. Ç. ishin vendosur në Paraguai), magazinoheshin dhe bëheshin gati për transport në Paraguai. Lënda narkotike fshihej në mënyrë të sofistikuar në ngarkesa legale – kuti sapuni, bombola boje dhe kollose ndërtimi – të maskuara me marka tregtare si “Fox” apo me shenja të veçanta dalluese si “Puma” ose “sy me rrufe”. Këto ngarkesa transportoheshin me kontejnerë detarë nga portet e Amerikës së Jugut drejt porteve të mëdha evropiane, kryesisht Anvers (Belgjikë) dhe Hamburgu (Gjermani), ku më pas shpërndaheshin përmes rrjeteve të brendshme të tregut të drogës në BE.
Qarkullimi dhe menaxhimi i parave
Hetimi ka treguar se ky grup kishte ngritur një mekanizëm financiar jashtëzakonisht të sofistikuar për të qarkulluar dhe fshehur të ardhurat nga aktiviteti kriminal. Një prej metodave kryesore ka qenë transporti fizik i parave “cash” nga vendet e BE-së drejt Shqipërisë, duke përdorur shoferë autobusësh kryesisht shqiptar të transportit ndërkombëtar të pasagjerëve.
Shoferët, në këmbim të shërbimit dhe rrezikut të marrë përsipër, përfitonin rreth 2% tarifë mbi shumën e transportuar. Këto pagesa bëheshin drejtpërdrejt nga anëtarët e grupit dhe garantoheshin nga personat përgjegjës për menaxhimin e logjistikës financiare.
Koordinimi i pagesave
Figura kyçe si F.G., E.Ç., si dhe bashkëpunëtorë të tjerë, luanin rol aktiv në organizimin e këtyre transfertave. Pagesat dhe kompensimet e brendshme shpesh maskoheshin përmes transaksioneve të tjera të fshehta, të dizajnuara për të mos lënë gjurmë në sistemin financiar zyrtar.
Përveç transportit fizik, rrjeti përdorte edhe sistemin informal të transfertave të njohur si “haëala” ose “token”, ku shumat e mëdha qarkullonin përmes një zinxhiri ndërmjetësish pa asnjë evidencë bankare. Një pjesë e konsiderueshme e fondeve kanalizohej drejt Bolivisë, e cila, për shkak të nivelit të ulët të kontrollit financiar dhe pozicionit të saj strategjik, shërbente si nyje kyçe për përfundimin e transaksioneve ndërkombëtare të parave.
Kombinimi i këtyre metodave, transporti fizik me shoferë të besuar dhe sistemi i transfertave informale, i mundësonte kësaj organizate kriminale qarkullimin e qindra milionë Euro cash, duke reduktuar ndjeshëm riskun e sekuestrimit dhe duke siguruar vazhdimësinë e aktivitetit të tij në shkallë ndërkombëtare.
Prokurorët e çështjes, Altin Dumani dhe Vladimir Mara, theksojnë se:
“Kjo organizatë kriminale mund të konsiderohet si një nga organizatat shqiptare më të fuqishme në trafikun ndërkombëtar të kokainës. Ajo kishte kapacitetin për të ndikuar drejtpërdrejt në çmimin e kokainës në tregjet evropiane dhe për të menaxhuar sasi të mëdha të lëndës narkotike në periudha të shkurtra kohore. Fuqia financiare e lartë e kësaj organizate, strukturimi dhe organizimi i një niveli shumë të lartë si dhe aftësia për të rikuperuar humbjet që vinin nga sekuestrimet e dallojnë atë nga grupet e tjera kriminale të hetuara nga SPAK .”
Pronat e sekuestruara
Me vendimin nr. 543 date 07.08.2025, Gjykata e Posaçme ka vendosur sekuestrimin preventiv për gjithsej 14 pasuri të llojeve të ndryshme me vlera disa miliona eurosh, duke përfshirë resorte, vila, apartamente, trualle, automjete dhe kuota në shoqëri, në emër të personave nën hetim si më poshtë:
Resorte turistike:
-
- “Ajman PARK” Resort ku përfshihen hotele, godina shërbimi, restorant dhe ambiente tregtare, Xhafzotaj, Durrës.
Vila dhe apartamente:
-
- Vilë dy katëshe tip “ELYSIAN”, në bregdetin e Dhërmiut, bashkia Himarë (sipërfaqe totale rreth 378.2 m²), me vlerë tregu prej afërsisht 1.000.000 Euro.
- Vilë e porositur datë 06.11.2024, në Tiranë.
Truall, toka dhe ndërtesa:
-
- Pasuri truall dhe ndërtesa në Tiranë, Sharrë.
- Pasuri (me status regjistrim të përkohshëm).
- Pasuri nr. 349/45 në bashkëpronësi.
- Tokë arë me sipërfaqe 5900 m², Sharrë, Tiranë.
Kuota dhe aksione në shoqëri tregtare:
-
- Kuotat/aksionet në shoqëri tregtare, Kavajë.
- Shoqëri tregtare, Durrës.
- Shoqëri tregtare, Rrogozhinë.
- Shoqëri tregtare, Durrës.
Automjete:
-
- Tre automjete.
Sekuestrime gjatë ekzekutimit të vendimeve të kontrollit:
- Mbi 111 800 Euro Cash;
- 4000 USD
- 880.000 Lekë. m.k






