Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në fjalimin e mbajtur gjatë takimit me Grupet e Punës së Tiranës tha se fitorja e opozitës në Tiranë përmbys qeverinë e Edi Ramës.
Ai theksoi se për të fituar në zgjedhje, duhet angazhimi në takime direkte dhe intensive me qytetarët e Tiranës, duke trokitur në dyert e tyre dhe u shpjeguar atyre programin e Partisë Demokratike.
PJESË NGA DEKLARATA/ Kështu që ne do të trokasim në çdo derë, duke paraqitur paketën tonë të emergjencës, ku vendosim si fillim minimumin jetik 200 euro.
Vendosim si fillim rrogën minimale 500 euro.
Rrogën mesatare 1200 euro.
Pensionet do llogariten mbi 200 eurot.
Pra, një transformim, një përmbysje të plotë të shpërndarjes së të ardhurave.
A mund të bëhet kjo? 100 përqind.
Të kesh në tavolinë 8.2 miliardë, në një kohë kur fatura shkon 900 milionë maksimumi, pa diskutim që këto përmbysen vetëm duke vendosur raportin të paktën 50 përqind me 50 përqind investime për njeriun.
Por ti do investosh edhe më shumë.
Shqiptarët, për fat jo të mirë, nuk e kanë të qartë shkallën e tmerrshme me të cilën vidhen ata.
I vëllai i Erion Veliajt, vitin që i vëllai iu bë kryetar bashkie, bleu me 100 euro një kompani. Sot është me 32 milionë euro. Tendera të fituara që të gjitha në kundërshtim me ligjet.
Por ky është vetëm një shembull se si janë shpërndarë këto pasuri.
Në 14 lote, 14 kontrata firmos Belinda Balluku për 13 kilometra unazë të Tiranës. Nuk ka në planet, kjo është për Gines.
Po ne kemi ndërtuar Rrugën e Kombit 64 kilometra, një kompanie dhe e ka përfunduar brenda dy vitesh. Kemi përfunduar rrugën Ibë-Bradashesh për 20 muaj një kompani.
Ajo të nesërmen shkon atje, merr një buldozer dhe një skrap dhe duket sikur po punon vetë e thotë se unaza do përfundojë brenda këtij viti, paçka se e ka trupëzuar edhe në buxhetin e vitit 2027 punimet në unazë.
Pra, paratë që të gjitha janë. Nuk ka asnjë vështirësi.
Dhe unë ua them ju, këto premtime janë me rezerva. Askush të mos mendojë se janë maksimalizma. Unë personalisht bëj atë që mund të realizoj. Por prapë jam i bindur se këtu ka rezerva.
Sigurisht ne duhet të shkojmë tek çdo biznesmen i vogël, ata janë, jo vetëm këtu, por edhe në vendet e zhvilluara, gjenerator i punësimit dhe mirëqenies, programin e tyre do e bëjmë së bashku me ta.
Imagjinoni ju sa e padrejtë është kjo shoqëri. Ia shet pensionistit me 150 euro ose 180 euro energjinë elektrike me të njëjtin çmim që e blejmë ne. Nuk mund të ndodhë kështu.
Çdo shtet që ka një dimension njerëzor, atij ose ia jep falas, ose ia jep me një çmim qartësisht në proporcionin më të ulët se ai që ka rrogën.
I shitet uji me të njëjtin çmim dhe tarifë. Tani kanë vendosur në disa bashki më të varfrat të dyfishojnë çmimin e ujit.
Bizneseve ne do ua ulim çmimin e energjisë elektrike. Po!
Shqipëria është vend me suficit në prodhimin e energjisë.vjet janë prodhuar 9 miliardë kilovat orë. Sivjet mund të prodhohen 10.
Strategjia që zgjodhëm ne për Shqipërinë si superfuqi e energjisë së rinovueshme në rajon po funksionon.
Sot, mbi 60 përqind e energjisë prodhohet nga HEC-et e reja.
Natyrisht duhet të jenë shqiptarët që përfitojnë më shumë nga kjo.
Energjia vidhet. Meqenëse këta vidhnin në mënyrën më të papërmbajtur, ndërkombëtarët ndërhynë për të ngritur bursën. Por pyet Lubia për bursën? Mos e pyet, është e papërmbajtur.
Nuk shet në bursë se do vjedhë.
Nuk blen në bursë se do vjedhë.
Pra, u ndala në vetëm disa elementë për të faktuar se fondet që të gjitha janë. Absolutisht dhe ato amendamente që dorëzuam në parlament do votohen të gjitha tremujorin e parë pas inaugurimit të qeverisë së ardhshme. r.p
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/