Rama dhe Berisha dënojnë aktin terrorist në ujësjellësin e Iber Lepencit në...

Rama dhe Berisha dënojnë aktin terrorist në ujësjellësin e Iber Lepencit në veri të Kosovës, por dallojnë nga këndvështrimi

41
0
Shares

Kanali i dëmtuar i Iber Lepencit në Kosovë

Kryeministri Edi Rama dhe kreu i opozitës, Sali Berisha dënuan sot aktin terrorist në kanalin e Ibër Lepencit, që furnizon me ujë disa qytete të Kosovës.

Terroristët shpërthyen me eksploziv kanalin që ndodhet në një komunë me shumicë serbe të Kosovës dhe furnizohet nga liqeni i Ujmanit, duke rrezikuar furnizimin me ujë të një popullsie të gjerë në Kosovë.

Pavarësisht se Rama dhe Berisha dënuan sulmin terrorist ata kanë këndvështrime të ndryshme në lidhje me marrëdhëniet Kosovë Serbi.

Rama ka kërkuar të ndryshojë formati i bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë ndërsa Berisha thotë se problemi nuk është formati por thelbi terrorist i qeverisë së Serbisë, duke kërkuar anëtarësimin e Kosovës në NATO.

Po ashtu përcaktimi i aktit konsiderohet akt sabotazhi nga Rama dhe akt terrorist nga Berisha, siç edhe e konsideruan institucionet e Kosovës.

Më poshtë janë deklaratat:

Deklarata e Ramës

Akti i sabotazhit mbi infrastrukturën kritike të furnizimit me ujë në kanalin e Ibër Lepencit është një krim i rëndë, i cili cënon jetën e qytetarëve të Kosovës dhe godet procesin e normalizimit të marrëdhënieve në rajonin tonë, ku të gjitha shtetet janë të përfshira në rrugën e integrimit në Bashkimin Europian. Kjo goditje kriminale duhet zbardhur e ndëshkuar sa më parë me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë. Ndërkohë Bashkimi Europian duhet të heqë menjëherë sanksionet e mbetura ndaj Kosovës dhe të riangazhohet në një format të ri dialogu për normalizim mes Kosovës dhe Serbisë. Formati ekzistues ka dështuar të prodhojë rezultatet e dëshiruara dhe është koha që çështjet e dialogut të kalojnë përmes marrëdhënieve bilaterale të BE-së me Kosovën apo Serbinë, si dy shtete njësoj të pavarura prej njëra-tjetrës, ku fati europian i secilit shtet s’mund të varet nga dëshirat a mosdëshirat e shtetit tjetër; ashtu sikundër fati europian i krejt rajonit s’mund të varet nga mosnjohja e Kosovës nga Serbia apo 5 shtete anëtare të BE-së.

Deklarata e Berishës:

Dënoj me forcën më të madhe, aktet terroriste në Zubin-Potok, Zveçan të furnizimit me ujë të qytetarëve të Kosovës, por edhe institucionet e Kosovës në ato territore.

Këto akte terroriste të cilat zhvillohen pas shpalljes nga presidentja e Kosovës të datës së zgjedhjeve dhe shprehjes së vullnetit të Listës Serbe për marrjen pjesë në këto zgjedhje, kanë synim madhor destabilizimin e atij rajoni dhe dekurajimin e serbëve, për të marrë pjesë në proceset demokratike, në Kosovë në vendin e tyre.
Këto akte janë një aktakuzë e rëndë e Beogradit, i cili kërkon me çdo kusht një zonë konfliktuale të re, kërkon me çdo kusht, destabilizimin e Kosovës.
Natyrisht një skenar i tillë, është skenar tipik i Rusisë së vogël, që i shkon në interesin më të madh edhe të Kremlinit.
Situata në Kosovë, kriza e konservuar në Kosovë, është rrjedhojë e qëndrimeve fund e krye konfliktuale të Beogradit, synimit të tij për të mbajtur shtetin serb në Kosovë dhe për të zmadhuar siç shprehej vetë Vuçiçi Serbinë, duke nënkuptuar këtë zmadhim me territoret e Kosovës.
Kjo situatë është në interesin më të mirë të Kremlinit, i cili kërkon që krahas fronit të luftës në agresionin që bëri ndaj Ukrainës, të ketë edhe një konflikt tjetër në Ballkan., po në interesa të tij. a.b

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY