Nga Sami Neza
Pas shumë ngjarjeve që nisën me shpalljen non grata të Berishës nga Departamenti i Shetit, vijuar me foltoren, dy kuvendet e dy grupeve, dhe protestën e demokratëve para selisë së PD e përgjigjen me gaz nga personat brenda selisë, cështja e ndarjes së PD-së ka zëvendësuar lufton e brendshme të kësaj partie dhe po bëhet gjithnjë e më prezente në fjalorin e ditës qoftë të atyre q e marrin në analizë gjendjen qofte të një pjese të protagonizmit politik në të djathtë.
Ndarja e PD po promovohet në dy hapësira atë të komunikimit publik dhe tjetra institucionale me disa cilësi që ofrojnë më shumë një skenar se sa një zhvillim të natyrshëm për shkak të raporteve që tashmë janë krijuar në partinë më të madhe të opozitës:
Së pari promovuesit kryesorë të ndarjes së PD-së janë pikërisht ata që bënë lobimin e Bashës përballë Berishës dhe foltores përgjatë gjithë muajve të fundit. Ata mbrojtën Bashën duke e vendosur në një llogore që nuk ekziston në Shqipëri atë të mbrojtjes së amerikanizmit përballë një antiamerikanizmi. Teza për ‘antiamerikanë’ në të djathtë nuk ekziston, as në këndvështrimin historik e as në realitetin e përditshëm. ‘Proamerikanët’ e programuar të Bashës nuk janë më shumë proamerikanë se sa ‘antiamerikanët’ që vizaton propaganda e selisë. Ata që bëjnë analiza mbi këtë argument të zhuritur e bëjnë pasi është i vetmi që mund të asocojë të drejtën e Bashës për të qëndruar në PD me faktin se Berisha është non grata.
Ky argument e ka bllokuar kryetarin e pushuar nga puna të PD në gjetjen e një zgjidhjeje që ruan partinë dhe verifikon mbështetjen për Bashën. Argumenti synon që përmes kompleksit amerikan te shqiptarët të plazmohet edhe një lider , edhe një parti që sundon përmes këtij kompleksi mbi anëtarësinë. Ky do të ishte një rast për studim edhe pse duket një gallatë e madhe në kurriz të pluralizmit politik.
Ndarja e PD si një rrugë për zgjidhjen e krizës së opozitës është artikuluar nga ata persona që kanë qenë kritikët më të mëdhenj të Bashës para shtatorit të 2021 kur ai largoi Berishën nga grupi parlamentar i PD, bile disa prej tyre kanë qënë edhe pro Berishës por asnjëherë pro Bashës edhe në atë periudhë që të dy këta qëndronin ngrohtë pranë njeri tjetrit.
Kjo do të thotë se analiza është në një situatë paradoksi. Në fillim të konfliktit, në shtator të 2021 kur debatet ishin në nivelin etik, analiza e publikuar nga mediat fliste për shkrirje të PD-së. Ndërsa konfliktet në PD në këtë janar janë shtuar dhe besimi i publikut tek partia ka rënë, situatë që do të shërbente për të konsideruar edhe shkrirjen e partisë, analiza prodhon dicka tjetër. Ky paradoks fsheh në fakt një tjetër të vërtetë, analizën me faturë që bëjnë mediat e Tiranës dhe protoganistët e analizës që nuk janë koherentë as në harkun kohor të tre muajve se nuk po flasim për një koherencë që kapërcen intervale të gjata.
‘Heqja dorë’ nga shkrirja e PD per ta zëvëndësuar këtë destin më një tjetër më të butë dhe jo aq shterues sic është ndarja, logjikisht nuk duhej të kënaqte autorët e promovimit të misionit të mbaruar. Por ja që i kenaq ky modeli i ri i skemës së opozitës: disa parti të mesme apo të vogla në vend të një partie të madhe.
Së dyti, krahas analizës në media për ndarjen e PD janë marrë vendime të drejtëpërdrejta nga selia e PD-së dhe grupi I Bashës për ta konfirmuar në strukturë ndarjen e partisë. Dhe kjo ndarje nga ana e Bashës po kryhet me shpejtësi të madhe. Është përjashtuar brenda një nate 1/3 e grupit parlamentar të PD-së ndërsa pak më herët janë përjashtuar anëtarë kryesie, sekretarë, drejtues të organizatave partnere, anëtarë të këshillit Kombëtar. Për ta bërë sa më të qartë ndarjen e PD, Basha mori edhe vendimin e përjashtimit nga PD të Berishës, duke i dhënë formë jo vetëm ndarjes por edhe partisë tjetër që do të lindë e cila do të ketë brenda Berishën dhe një grup parlamentar afërisht sa gjysma e atij që i mbetet Bashës.
Basha ka pasion zvogëlimin e partisë dhe pranë vetes ka edhe njerëz që ia ushqejnë këtë pasion. E ka bërë këtë gjë që nga viti 2014 kur i takoi për herë të parë si kryetar partie të merrte një vendim të rëndësishëm që lidhej me reformën territorial në kushtet kur nuk mund të ndikonte votimin e saj por mund të afirmonte vendosmërinë për të zvogëluar në maksimum avantazhet elektorale të PS-së përmes hartës së re administrative. E mori vendimin më të keq, iku nga përballja pasi dikush në fund të kësaj përballje do të kishte mundësi të maste rezultatin. Ikja ua hiqte këtë mundësi demokratëve për ta bërë këtë matje. Demokratët nuk kishin mundësi ta njihnin Bashën në punën e kryetarit të PD apo aq më keq të liderit të opozitës. Të njëjtën skemë e përdori Basha edhe në raste të tjera përballje me socialistët dhe qeverinë duke kompromentuar edhe zgjedhjet e 2017 ku nuk u ndesh me Ramën por me LSI-në e Ilir Metës duke rimarrë tezën e zvogëlimit deri në zhdukej të LSI-së. Në përfundim të zgjedhjeve PS dhe LSI ishin rritur, PD ishte zvogëluar.
Një renditje e qëndrimeve të tij politike përgjatë nëntë viteve në krye të opozitës, dhe janë disa të tillë, argumentojnë edhe më fort prirjen e Bashës për të patur një parti të vogël në vend të një partie të madhe, ose kapacitetin e tij që të marrë një parti të madhe dhe në rastin më të mirë ta copëtojë, dhe në rastin më të keq ta bëjë të paqenë.
Megjithatë edhe pse e ka organike zvogëlimin e partisë kjo nuk përjashton faktin se Basha po zbaton një skemë të paktën që nga korriku i viti të kaluar për ndarjen e partisë dhe jo për shuarjen e saj. Për rritjen nuk bëhet fjalë. Vendimet e kuvendit të PD në korrik të 2021 për ndryshimet në statut i dhanë atij fuqi të madhe dhe pamundësinë e strukturave të PD për ta larguar nga kryetar, me përjashtim të anëtarësisë por duke lënë qëllimisht të paplotësuar kuadrin rregullator në rastin e një shkarkimi nga anëtarësia. Kjo i dha mundësinë Bashës të ndëshkojë të tjerët pa frikën e ndëshkimit të tij. Thirrja e kuvendit paralel më 18 dhjetor ishte shpallja e ndarjes së partisë. Ishte cështje kohë largimi nga partia I të gjithë personave jo pse kishin qëndrime të ndryshme por se nuk ishin pjesë e skenarit të tij. Ai cështjen e qëndrimeve nuk e ka verifikuar ndonjëherë tek strukturat drejtuese dhe as ka memorizuar në kohë. Pranë Bashës ose fanatikë të skenarit të tij, janë edhe kritikët më të rreptë të Bashës deri vitin e fundit, bile edhe berishtistë ‘të pakompromis’. Kjo do të thotë se skenari ka bashkuar përfituesit.
Kush përfiton nga ndarja:
Basha nuk është përfituesi më i madh nga ndarja por është përfitues mjaftueshëm për të qëndruar në politikë të paktën edhe për një mandat tjetër ndërkohë që siguron Ramën për një qeverisje të qetë deri në fund të këtij mandate në vitin 2025. Basha mund t’ia bëjë të lehtë qeverisjen mazhorancës përmes votimit të ligjeve, kontratave apo marrëveshjeve në Parlament, të cilat lidhen me biznese dhe qarkullim në vlera të mëdha të parave të buxhetit të shtetit, votime këto që i bëjnë edhe imune ndaj hetimit nga prokuroria në cfarëdo kohe. Në këtë rast edhe Basha dhe grupi I tij i ngushtë përfiton në nga këto kontrata përmes zgjatimeve në biznes që kanë një pjesë e grupit apo edhe në forma të tjera. ‘Brain wash’ për demokratët, ndërkohë, financohet nga qeveria përmes mediave të blera apo të sponsorizuara prej saj përmes të njëjtit mekanizëm si ai i inceneratorëve, ose disa mekanizmave të tillë ku paraja publike shkon në biznese private të rrejshme apo afërisht të tilla dhe prej atje në media apo eksponentë të saj, sic doli edhe nga publikimi i pagave. Votuesit me kohë do të largohen edhe më shumë nga Basha por ai mendon se përmes propogandës do të mbajë mjaftueshëm sa për të tejkaluar problemet që mund ti lindin qeverisë.
Përfituesi I drejtëpërdrejtë nga ndarja është Rama dhe qeveria. PS e ka të sigurtë fitoren në zgjedhjet lokale për shkak të ligjit elektoral me një raund nëse PD ndahet. Ndarja e votës së demokratëve në cfarëdo raportesh e penalizon atë dhe favorizon kandidatët e PS-së. Qeveria e merr sërish pushtetin lokal pothuajse në të gjitha bashkitë. I njëjti efekt do të jetë edhe në zgjedhjet parlamentare, kur për shkak të ndryshimeve kushtetuese të Ramës kur Basha braktisi parlamentin, është i pamundur grumbullimi i votave përmes koalicioneve. Pra PS fiton edhe zgjedhjet parlamentare nëse ky skenar i gatuar nga Basha dhe mbështetur me propogandë dhe polici nga Rama do të mbetet i tillë deri në zgjedhjet parlamentare.
Po pse u hoq dorë nga promovimi i shkrirjes së PD, aq në modë në shtator?
Së pari, shkrirja e PD-së do të inkurajonte aktorë të rinj ndonjëherë të panjohur për oligarkinë aktuale politike, të pakompromis , ose të vështirë të kompromentohen me pushtetin, ose kompromentimi do ju merrte kohë.
Së dyti, teza për mbarimin e misionit të PD-së mund të sillte një reagim të kundërt nga PD apo demokratët pikërisht se kjo tezë afirmohej në publik nga zëra që kishin mbështetur gjithnjë qeverinë e majtë, ose zëra që ishin të majtë, ose zëra në të djathtë por që ia kanë pasë gjithnjë me hile të djathtës.
Ky është terreni në të cilin Rama ndryshoi drejtim dhe urdhëroi mediat të largoheshin nga tezat e përfunfimit të misionit të PD dhe të promovonin ndarjen e saj, një skenar që dukej më i natyrshëm, më i kontrolluar, më tinzar që mund të vinte në gjumë demokratët deri sa të ndodheshin para faktit të kryer. Ky skenar po realizohet pikë për pikë nga qeveria dhe Basha.
Me përfundimin e ndarjes së PD, pra me themelimin e një partie tjetër ‘PD’, Basha do të ofrohet edhe në qeveri. Ai ka boll vota të mbledhura nga PD e bashkuar për t’u tretur nga një ngastër e saj.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/