GENC POLLO/ Raporti i auditorëve europianë si një apologji për demokracinë liberale

GENC POLLO/ Raporti i auditorëve europianë si një apologji për demokracinë liberale

62
0
Shares
genc pollo

Nga Genc Pollo

Javën e shkuar u bë publik raporti 55-faqësh i Gjykatës së Llogarive të Bashkimit Europian (anglisht European Court of Auditors ) me seli në Luksemburg, mbi efektivitetin e politikës së zgjerimit të BE-së në vendet e Ballkanit Perëndimor gjatë viteve 2014-2020. Ky organ, i cili tek ne korespondon me Kontrollin e Lartë të Shtetit, konkludoi se impakti i BE në reformat e gjyqësorit dhe konsolidimin e shtetit ligjor kishte qenë minimal. Kjo kryesisht sepse mungon vullneti politik i qeverive ballkanase. Këtë të fundit ne duhet t’a mbajmë mirë parasysh pasi, në përputhje me parimin e përgjegjësisë individuale e kolektive, nuk duhet të qahemi për të huajt, ofiqarët e Brukselit në këtë rast, për problemet që i hapim vetes. Por raporti gjithashtu konkludon se mjetet e metodat e Komisionit Europian kishin qenë të pasuksesshme;  kjo sepse Brukseli nuk kishte zbatuar kondicionalitetin (kishte vijuar financimin edhe kur institucionet në Ballkan nuk kishin dashur të përmbushin kushtet e vëna), rezultatet e projekteve nuk ishin verifikuar me rigorozitet, ishin marrë të mirëqena të dhënat zyrtare, nuk ishin konsultuar mjaftueshëm aktorët e pavarur e shoqëria civile (me ndonjë përjashtim pozitiv) e të tjera si këto. Problemet haseshin njëlloj si në shtetet që nuk kishin çelur negociatat e anëtarësimit (Shqipëri, Maqedoni e Veriut, Kosovë, Bosnje-Hercegovinë) ashtu edhe në ato që negociojnë prej një dekade (Mali i Zi, Serbia). Në Shqipëri raporti konstaton për shembull se reforma në drejtësi po ecën mirë (sipas Komisionit Europian) por publiku po humbet besimin tek ajo dhe se problemet e shkaktuara janë akute sipas vëzhguesve të pavarur (f. 39-40). Gjithashtu numri i tenderave pa garë është ulur në vitet e fundit (sipas qeverisë) ndërsa sipas biznesit dhe ekspertëve është zhytur në korrupsion (f. 37) e të tjera si këto.

 

Auditorët europianë  konfirmojnë kështu se kritikat e ketyre viteve në Tiranë, Beograd e gjetkë në rajon për “raporte të sheqerosura të Komisionit Europian” nuk ishin pa bazë; në rastin e Shqipërisë konkluzionet nga Luksemburgu u japin të drejtë atyre shteteve anëtarë që vunë kushte

specifike si dhe eurodeputetëve të cilët me realizëm insistonin se disa kushte nuk ishin përmbushur. Sa më lart uroj të nxisë reflektime mbi raportin thelb/fasadë tek ata që bubullinin për çeljen e negociatave, mbi dobinë e impaktin e këtij proçesi si dhe për rishikimin e tij.

Qëllimi i këtij shënimi nuk është shpjegimi i plotë i raportit të Gjykatës së Llogarive. Për këtë nevojiten më shumë analiza të detajuara.

Ky raport publik i një institucioni të rëndësishëm të Bashkimit Europian me përmbajtjen kritike të tij do të diskutohet në Komisionin e Parlamentin Europian si dhe mes shteteve anëtare (le të shpresojmë se ky proces do të pëmirësojë politikat e zgjerimit dhe mbi të gjitha impaktin pozitiv të tyre ndaj shtetit ligjor në viset tona).

Por përtej temës tonë ky shembull dëften se në një sistem politik të hapur e demokratik problemet nuk mund të fshihen gjatë,  gabimet herët a vonë zbulohen dhe përmes një procesi institucional korrigjimi është i mundshëm.

Le të marrim dy shembuj nga ShBA: Mossuksesi në Afganistan pas 20 vitesh prezence ushtarake nuk duhet të vinte si surprize. Kush do të kishte lexuar raportet e Inspektorit të Posacëm për Afganistanin (SIGAR) i mandatuar nga Kongresi, do të kishte kuptuar me kohë se punët po shkonin keq e do të përfundonin edhe më keq. Miliarda dollarë të  dhënë pa kriter do frynin pamasë korrupsionin e qeverisë afgane, do e diskreditonin atë, e do të rrisnin përkrahjen për talibanët asketikë. Se si përfundoi kjo tashmë është histori. Por demokracia e hapur e sistemi checks and ballance të jep mundësinë të njohësh problemet e të tentoshzgjidhjen e tyre. Por nuk përjashtohet gabimi përmes mosveprimeve apo edhe veprimeve të paduhura.

Në shënime të mëparshme unë kam qortuar mbrojtjen publike të Sajmir Tahirit nga ambasadori amerikan në kulmin e operacionit megakanabist në 2016, pranimin e Tahirit në Shtëpinë e Bardhë si anëtar i një delegacioni qeveritar me Ramën në krye në prill të po këtij viti dhe sulmin e këtij ambasadori ndaj gjyqësorit kur më në fund, në vjeshtë 2017, guxuan të fillojnë procedimin penal kundër ish ministrit. Ajo që duhet shtuar këtu është në të tëra seancat e procesit gjyqësor Tahiri ishte i pranishëm një zyrtar i ambasadës amerikane. Shenjë e njohur kjo e interesimit për një drejtësi që nuk epet para banditëve. Pas dënimit të butë të ish ministrit ambasada shprehu zhgënjim përmes një deklarate për shtyp. Edhe në këtë rast, megjithëse nuk kemi raporte publike që nxitën ripozicionimin e diplomacisë amerikane, shohim se korrigjimi i gabimit ndodhi.

Në rrethanat e përhapjes së populizmit e të fanatizmit gjithëfarë llojësh në ato pak shoqëri të lira në glob, por edhe të forcimit të modelit autokratik duke filluar me Kinën e Rusinë, është me vend të kujtojmë avantazhet, ose më mirë superioritetin, e demokracisë liberale. Shembujt e mësipërm dëshmojnë konkretisht se liria e mendimit dhe e shprehjes, ndarja e pushteteve dhe pavarësia institucionale, që të gjitha elemente qendrorë të demokracisë liberale, mundësojnë identifikimin e problemeve e gabimeve, debatin e hapur për to si dhe hapin rrugët zyrtare të korrigjimit e rikalibrimit.

Prandaj është e drejtë që t’i shohim këto shembuj edhe si apologji për demokracinë liberale. Pa harruar se duhet t’a mbrojmë atë së pari në atdheun tonë ku ajo është në rrezik akut.

Genc Pollo, Ish ministër e deputet

 

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY