Nga Fatbardh Kadilli
Mjaftoi dorëheqja e Markut për të rikthyer edhe një herë debatin për PD, për problematikën e lidershipit, gjendjen e partisë, për të mbërritur deri tek thelbi i ekzistencës së saj, tek Misioni i PD-së.
Nuk është Bushati i pari dhe s’do të jetë as i fundit që do t’i rikthehet termave “mbyllje e ciklit”, apo “fund i misionit” të PD. Që gjendja e PD-së është shumë e rëndë kjo është e njohur. E dinë më mirë se Plasari dhe Bushati, vetë demokratët. Ata që kanë dhimbje për identitetin e tyre politik. Por, përtej ndjesisë që ngacmon përdorimi i termit të fortë “mbyllje cikli”, apo “fund i misionit”, sigurisht përtej dhe konstatimit të gjëndjes së rëndë ku ndodhet PD-ja sot, Bushati, Plasari dhe kushdo tjetër nxiton. Nxiton shumë kur konstaton fundin e PD-së.
Unë e refuzoj këtë ngut. Jo prej pasionit për PD-në. As nga shpresa e ligur e kumarxhiut që vazhdon të luaj dhe pse po thellon humbjen duke besuar se do t’i kthehet fati dhe do t’i rifitojë të gjitha. Por, nga bindja se barku i PD-së nuk është shterpë. E refuzoj sepse është një konstatim thjeshtëzues. Dhe duke thjeshtëzuar të vërtetën e PD-së, Bushati, Plasari dhe kushdo tjetër, këtë konstatim e kthejmëo në një bindje jo racionale por në një bindje psikologjike.
Unë vetë kam denoncuar i shqetësuar problemet e mëdha të PD. Por, njëherësh kam propozuar Manifestin Politik për Ringritjen e PD—së. I kam jetuar në vetë të parë dhe nga shumë afër papërgjegjësitë e lidershipit. Monopolizimin që i kanë bërë PD-së Berisha dhe Basha. E provova në garën për Kryetar të PD-së oportunizmin e kolegëve. E kam parë në vite degradimin e moralit në struktura. E kam njohur, sic edhe e kam refuzuar gjithnjë fanatizmin për Berishën, që tashmë i rizgjuar po asfikson PD-në. E kam parë me dhimbje se si lëngon PD-ja nga ata që rrinë në rreshtat e saj vetëm me pritshmëri korruptive. Dhe këta janë të shpërndarë në gjithë vertikalen e strukturës. Nga ata që rrinë për një rrogë, tek ata që shohin ëndrra me tendera dhe konçensione. E kam shprehur që jemi më keq se çdo herë tjetër. Por, këto janë probleme që burojnë nga mungesa e një projekti të qartë dhe të strukturuar sot.
Është e vërtetë që PD-ja është shmangur nga Misioni i saj i formuluar në agun e demokracisë. Por, ai mision nuk është përmbushur, jo më të jetë shteruar. Ndaj gabimi i parë i konstatimit është ngatërrimi i Misionit me projektin aktual. Misioni ynë si PD është ligjshmëria, është prona private, është konkurenca e lirë në ekonomi, por edhe në politikë dhe media e profesione. Është pajtimi kombëtar. Është integrimi euroatlantik. Cdo shmangie nga Misioni, cdo mungesë projekti për rrugën e suksesit është në vetvete një ulërimë për demokratët që t’i rikthehen dhe ta shkruajnë në gur Misionin.
Fakti që sistemi demokratik është korruptuar rëndë nga të dy klikat që dominojnë partitë nuk mund të jetë arsyetim për të supozuar fundin e Misionit. Vërtet “rilindistët” degraduan çdo element të brishtë të qeverisjes dhe e zëvendësuan me sundim të aleancës së politikës me krimin. Vërtet PD mendon se njerëzit nuk i dinë zullumet tona, thjeshtë se ne demokratët refuzojmë t’i shohim, refuzojmë t’i pranojmë dhe të kemi kurajo të ndahemi prej tyre. Pra, e gjithë kjo kalbje e sistemit edhe pse e vërtetë, përsëri nuk mjafton.
Bushati, Plasari dhe të tjerë e ngrenë arsyetimin e mbylljes së ciklit dhe fundin e Misionit duke thënë që nuk është vetëm cështje e lidershipit. Është e vërtetë që kriza nuk është vetëm çështje e këtyre individëve, por është e sistemit që është korruptuar. Por, ata që tek çdo demokrat shohin cenet e Berishës dhe Bashës gabojnë. Në qoftë se ka një cikël që është mbyllur apo ka një mision që ka përfunduar është ai i Berishës dhe i modelit të tij politik. E njëjta gjë vlen edhe për Bashën edhe pse ai nuk ka një cikël dhe as një mision të vetin sepse nuk diti ose nuk deshi ta ketë. Gabojnë kur fundin e ciklit të lidershipit e barazojnë me fundin e Misionit.
Dukshëm logjika e tyre edhe pse nuk do të kufizohet tek lidershipi, nguron të shikojë mundësitë e Misionit jashtë dhe pavarësisht këtij lidershipi. Janë hipnotizuar aq shumë nga mbiprezenca e lidershipit dhe nga bashkëjetesa me ata, sa nuk provojnë të shohin diçka përtej atyre. Përtej Bashës, Berishës me kompani.
Demokratët kanë një projekt, kanë Manifestin Politik për Ringritjen e PD-së. Sot atë e mbështesin gjithnjë e më shumë demokratë që nuk janë PD-istë . E mbështesin hapur gjithnjë e më shumë PD-istë. Ide të reja gëlojnë. Demokratët brenda apo jashtë PD-së, qytetarë të angazhuar kanë pranuar sot faktin që opozita nuk është ekskluzivitet i forumeve të Bashës dhe as i Facebook-ut të Berishës. Përkundrazi. Marku në Lezhë, dhe Andrea në Korcë treguan se demokratët nuk janë dorëzuar. Energjitë politike janë. Nevoja, në mos e shoqërisë, të paktën e demokratëve për tu përfaqësuar është. PD është votuar nga gjashtëqind mijë shqiptarë. Ka njëqind mijë anëtarë. Mes tyre ka njerëz me zotësi, me moral, me ide politike që e kapërcejnë çdo ngërç.
Po, PD ka nevojë të riformulojë vetveten. Ka nevojë të riformulojë Misionin. PD-ja ka nevojë të ringrihet. Këto përgjigje, në mos tjetër kund, i jep Manifesti Politik. Për ata që nuk e dinë Manifesti propozon kulturë krejt të re politike. Një PD më të madhe se kryetari, një PD më të madhe se vetvetja. Një PD konkuruese – të vërtetë dhe të pastër. Propozon riformulimin e Misionit të PD. Propozon struktura fleksibël që i mundësojnë çdo demokrati të jetë vetvëprues. Siguron konkurencën brenda në parti si modelim i asaj si do të jetë konkurenca në qeverisjen e PD-së. Këto nuk mund t’i pengojë askush. As Basha, as Berisha. As fatalizmi i Bushatit, Plasarit dhe ndokujt tjetër.
Kjo PD që ringrihet është përgjigjja për ata që pyesin, si mundet Rama. Për ata që presin Van Damin ta thyej në mes Ramën. Është përgjigje për ata që pyesin, si i mbron votat. Votën e mbron vlera e shpresës që jep kjo PD e ringritur.
Prandaj, deri sa të ketë demokratë që besojnë, që janë aktiv dhe të vendosur për Misionin e papërmbushur të PD—së, askush nuk duhet të nxitojë t’i shkruaj PD-së epitafin. Përkundrazi, mund të ndihmojnë t’i shkruajnë të ardhmen.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/