KOMENT/ Dhe decoupling po na ndodh! Shkupi i pari e Tirana mbas...

KOMENT/ Dhe decoupling po na ndodh! Shkupi i pari e Tirana mbas tij, diku larg

97
0
Shares

Nga Genc Pollo

Ne 16 tetor 2015, një ditë pas refuzimit të Këshillit Europian për të çelur negociatat e pranimit me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut, kancelarja gjermane Angela Merkel, po pyetej vazhdimisht nga gazetarë insistues se pse liderët europianë nuk celën negociatat vetëm me Shkupin. Insistimi i gazetarëve reflektonte një frymë të përgjithshme në favor të maqedonasve të cilët lipseshin të shpërbleheshin për dy traktatet e vështira që ata kishin konkluduar me fqinjin jugor e atë lindor. “Nuk pati konsensus në Këshill për decoupling, për shkëputjen e Shkupit nga Tirana” tha Merkel. Kur merr vendime të tilla analizon avantazhet e disavantazhet; dhe duke parë pakicën shqiptare në Maqedoni e shtetet shqiptarë përqark pasojat negative mund të ishin më të rënda se ato pozitive sqaroi më tej kancelarja gjermane. Në fakt në mbledhjen e Këshillit jo pak shefa qeverish e shtetesh kishin propozuar që të niste procesi fillimisht me Maqedoninë e Veriut për të cilën nuk kishte asnjë rezervë. Më pas, kur të krijoheshin rrethanat, do të vijonin me Shqipërinë ku sipas deklaratës së kryeministrit hollandez Rutte kishte probleme të rënda me shtetin ligjor e me ndarjen e pushteteve. Por veçanërisht kancelarja gjermane e presidenti francez kishin insistuar në çiftimin e Shkupit me Tiranën. Konsiderata që lidhen me stabilitetin e gjeopolitikën dhe jo aq shumë me Kriteret e Kopenhagenit.

Në atë kohë kam shkruar për frustrimin e ndjerë nga qeveria e Shkupit të cilëve po u mohohej torta megjithë qershi për shkak se mbas qerres së tyre ishte lidhur gjylja e Edi Ramës. Por më e sikletshme ishte pozita e shqiptarëve matanë Qafthanës të cilët indirekt bëheshin përgjegjës për bllokimin e shtetit të tyre në udhën drejt Bashkimit Europian.

Nëntë muaj më vonë duket se kemi një ndryshim të paradigmës. Po nga goja e kancelares Merkel Parlamenti Europian dëgjoi dje se gjatë gjashtëmujorit të presidencës gjermane do të synohej thirrja e Konferencës Ndërqeveritare të parë me Maqedoninë e Veriut. “Eventualisht mund t’a bëjmë edhe me Shqipërinë” shtoi ajo

Nuk ka nevojë për dëshmi të tjera që të kuptosh se “decoupling” ndodhi. Në fillim të vitit, pa plasur ende pandemia, dashamirësit optimistë të Shqipërisë parashikonin se kjo Konferencë me Tiranën mund të thirrej në dhjetor 2020. Ndërkohë kemi 15 kushte për qeverinë të përcaktuara nga Këshilli Europian (mars 2020) si dhe të konfirmuara me konsensus të gjerë nga Parlamenti Europian (qeshor 2020). Midis këtyre muajve e në vijim mungon dukshëm një përpjekje serioze nga qeveria për të filluar përmbushjen e qoftë edhe një kushti. Bie fjala të më të kollajshmit syresh. Por ajo që po çudit dynjanë është këmbëngulja stoike e Edi Ramës për të mohuar ekzistencën e 15 kushteve.

Askush nuk duhet të habitet që në këto rrethana zonja Merkel e thotë pothuajse hapur se Maqedonia e Veriut nuk mund të mbahet më peng.

Ajo që rezulton për ne është se me gjasë BE do e shtyjë konferencën ndërqeveritare të parë me Shqipërinë mbas zgjedhjeve parlamentare të pranverës. Pra nuk duket se ka mbetur fije besimi se qeveria aktuale mund të përmbushë atë që i kërkohet

15 kushtet e Europës në tërësi nuk lidhen me kërkesat rutinë qe shtetet kandidate duhet të përmbushin për t’u antarësuar në BE. 15 kushtet e Europës në tërësi janë një udhërrëfyes për restaurimin e normalitetit demokratiko-kushtetues në Shqipëri. Është mbase e tepërt të kujtojmë këtu se “denormalizuesi” gjatë gjashtë viteve të fundit ishte qeveria Rama me tentakulat e madje edhe metastazat e veta. Normalizimi nuk ka se si të vijë prej saj; ai do të mundësohet nga ndryshimi politik përfshi edhe rotacionin politik. Kjo, edhe pse me pak vonesë, po shndërrohet në bindje në kryeqytetet europiane. Cfarë mbetet është detyrë shtëpie për shqiptarët: nga sot deri në pranverën e ardhëshme.

*Ish ministër e deputet

 

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY