KOMENT/ Nga 18 mijë të vdekurit, te 880 USD ndihmë për familjet,...

KOMENT/ Nga 18 mijë të vdekurit, te 880 USD ndihmë për familjet, e vërteta e shifrave të qeverisë

157
0
Shares

Nga Redi Gjuzi

Gjatë fjalës së tij, të gjatë e të mbushur me retorika e sulme ndaj opozitës në Kuvend e jashtë saj, Edi Rama përmend tre shifra. Si shifra të thëna nga Kryeministri i vendit, në një kohë krize, në Kuvendin e mbledhur duke respektuar distancat, ato kanë rëndësinë maksimale për të gjithë qytetarët që i dëgjojnë.

Shifra e parë e thënë nga Kryeministri ishte ajo e 18 mijë të vdekurve, që do të kishte Shqipëria në rast se nuk do të merreshin masat ekstreme të karantinës. Shifra, sipas Ramës, ka dalë nga ekspertë të pavarur. Sot, pas përhapjes së koronavirusit në gjithë botë, për shkak të natyrës demokratike që kanë shumica e vendeve, edhe masat e karantinës apo distancimit social, kanë qenë të ndryshme. Nga karantinat diktatoriale si e Kinës, të cilën po kopjon Shqipëria, te vende si Suedia që nuk kanë marrë masa. Të gjitha vendet e raportojnë numrin e të sëmurëve dhe numrin e të vdekurve me COVID-19.

Kështu, Suedia, vendi pa masa karantinimi, ka sot 119 të vdekur me koronavirus për 1 milion banorë. Kjo shifër është më e lartë se vendet fqinje të saj, por është shumë larg nga shifra që i kanë thënë Ramës ekspertët e vet. Nëse Shqipëria, pa masa, ashtu siç po bën Suedia, do të kishte 18 mijë të vdekur, atëherë do të numëronte 6254 vdekje për 1 milion banorë. Pra, 52 herë më shumë se Suedia. Kuptohet qartë që shifra e thënë dje nga Rama nuk ka asnjë lloj afërsie me realitetin e mundshëm.

Shifra e dytë kishte lidhje serish me “piedestalin e shpëtimtarit”. Rama tha se në rast se nuk do të ishin marrë masat ekstreme nga qeveria e tij, por do ishin marrë masa më të lehta, atëherë do të ishim 2800 të vdekur. Sërish shifra është jashtë çdo krahasimi. Në rast se Shqipëria do kishte 2800 raste fatale, atëherë do të llogariteshin, për efekt krahasimi me vende e tjera, 973 vdekje për 1 milion banorë. Spanja dhe Italia, dy vende që u kritikuan për ndërhyrjen e vonë dhe për masa jo të forta, kanë mesatarisht nga 400 vdekje për 1 milion banorë nga koronavirusi. Pra, mbi 2 herë më pak se shifrat e specialistëve të Ramës. Kjo ishte vetëm pjesa e parë e shifrave që dha Rama. Ishte pjesa ku duhej të bëje diferencën mes masave të tij (që bëhen unike e qesharake në fundjavë kur ndalohet e gjithë jeta e vendit, a thua se virusi pushon gjatë javës dhe sulmon në fundjavë), dhe atyre të qeverive të BE-së, apo të rajonit.

Pjesa e dytë, pasi qeveria na ka shpëtuar nga 2800 apo 18 mijë të vdekur, është pjesa e dhembshurisë. Në fjalën e tij, nuk dihet pse përfshiu Francën si vend për t’u krahasuar, Rama theksoi se qeveria e tij ka miratuar një plan ndihme ekonomike prej 4 për qind të GDP. GDP e Shqipërisë, sipas buxhetit 2019, është 17 miliardë USD, me konvertimin qeveritar. Kjo do të thotë se paketa e ndihmës për qytetarët e prekur nga koronavirusi është 680 milionë USD. Të dyja paketa e ndihmës, si ajo e para që përfshinte biznesin e vogël dhe ndihmën ekonomike, si dhe paketa e dytë që përfshinte biznesin e madh dhe pjesën e dytë të biznesit të vogël, parashikonin ndihmë vetëm për qytetarët.

Pra, ndihma ishte në formën e rrogës, çekut, për t’i kompensuar çdo qytetari (dhe jo për llogaritë e biznesit) efektet e shkaktuara nga papunësia apo ulja e të ardhurave të punës. Duke u bërë pjesë e retorikës së Kryeministrit, çdo qytetar shqiptar duhet të marrë rreth 240 dollarë në llogarinë e tij. Sipas studimit të fundit të INSTAT, familja shqiptare përbëhet mesatarisht nga 3,7 persona.

Kjo do të thotë, sërish sipas logjikës që Rama po i ndihmon të gjithë, që çdo familje ka marrë 880 USD nga qeveria. Nëse nuk i keni marrë, me siguri ka marrë më shumë familja e komshiut apo kushëririt. Nëse nuk i ka marrë as ai, atëherë ka shumë mundësi që ju që po dyshoni të jeni aleat i armikut të padukshëm. Ndaj duhet ndryshuar edhe Kodi Penal, sa më shpejt…

Në të vërtetë, shifrat e ndihmës ekonomike, ku përfshihen edhe garancitë e papërdorura nga biznesit, falja e kamatëvonesave të energjisë së papaguar para janarit 2020 që përbëjnë gati gjysmën e paketës, më shumë shërbejnë për të fryrë shifrat sesa si ndihmë për familjet e prekura nga pasojat e karantinës. Sikundër, shifrat me mijëra të vdekur e qindra mijëra të plagosur, në botën e sotme, ku gjithçka krahasohet brenda pak minutash, janë thjesht retorikë në kohë virusi. Që nga nisja e pandemisë, të gjithë mjekët, virologët, sociologët, politikanët edhe psikiatrit, japinë vetëm një këshillë për të përballuar “luftën”. Kjo recetë është aq e thjeshtë, TRANSPARENCË.

*Sa për specialistët e pavarur që i shpjegojnë Kryeministrit shifrat, mjafton një fakt i thjeshtë. Sot, konferenca e përditshme informuese e grupit të ekspertëve që raportojnë për përhapjen e virusit nuk u mbajt në orën 11:00, siç ka ndodhur përditë. Ajo u shty, rreth orës 12 e 30, pas fjalës së Kryeministrit në Kuvend. Çështje prioritetesh dhe pavarësie…

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY