TE ARDITI/ Elisonja gjen nënën e saj bilogjike: Po më duket shumë...

TE ARDITI/ Elisonja gjen nënën e saj bilogjike: Po më duket shumë e çuditshme!

225
0
Shares

Historia e sotme në “Ka një mesazh për ty” tek e ‘e diela shqiptare’ ne tv klan, solli historinë e veçantë të Elisonjës. Vetëm para pak muajsh, ajo është bërë nënë e një djali. Por, teksa ishte duke përjetuar këtë lumturi dhe gëzim, ajo merr vesh se prindërit që e kishin rritur, nuk ishin prindërit e saj biologjikë, transmeton tv klan ne emisionin e Ardit Gjebrese.

E shokuar nga kjo e vërtetë, Elisonja do të dijë gjithçka, kush është ajo, cila është historia e jetës së saj dhe kush është nëna e saj biologjike. Ajo dëshiron të njihet dhe të takojë për herë të parë nënën që e solli në jetë, prandaj i është drejtuar edhe emisionit për të kërkuar ndihmën e tyre.

Elisonja: Jam rritur në një familje të përbërë nga dy prindërit, mami dhe babi. Kam pasur një fëmijëri shumë të lumtur, përpos familjes isha dhe në fis e përkëdhelura e tyre sepse isha më e vogla. Domethënë kushëriri më i vogël ishte 15 vite më i madh se unë, pra e gjithë qendra e vëmendjes ishte e gjitha tek unë. Raportet kanë qenë të mrekullueshme me të dy prindërit. Në gjimnaz filloj dëgjoj thashetheme të tipit që isha fëmijë i adoptuar. Asokohe nuk ia vë veshin sepse isha shumë e plotësuar në familje dhe nëse ishte gjë e tillë nuk më interesonte, por gjithmonë e mbajta tek koka ime këtë që më thanë. Shpeshherë e mendoja, e rimendoja dhe mundohesha të gjeja pjesë, të cilat më tregonin që isha apo jo fëmijë e adoptuar. Nuk kisha kurajo t’i pyesja prindërit, për të vetmin fakt se kisha hall se lëndoheshin. Domethënë nuk doja të prishja harmoninë e familjes, ishim shumë ok ashtu siç ishim. Rrodhën vitet, unë erdha në shkollë të lartë, e ke parasysh u krijua ajo distanca, se ata jetonin në qytetin e Kuçovës. Asnjëherë nuk u diskutua pjesa e të qënit prindërit biologjikë apo jo, deri në momentin kur u bëra vetë nënë. Kur u bëra vetë nëna më kaloi ideja nëse isha apo jo e adoptuar dhe kur pashë tim bir, thashë pjesa kryesore nuk ishte ajo 9 muaj që unë e kisha në bark, por qenka mbas lindjes dhe tutje. Dhe nëqoftëse jam e adoptuar është diçka shumë normale, nuk isha as e para, as e fundit që më ndodhte kjo gjë.

Ardit Gjebrea: Ti ndërkohë e ndjeje apo kishe procese të tjera që të kthenin atë dyshimin herë pas here, që ti ishe një vajzë e adoptuar?

Elisonja: E ndjeja dhe kisha dyshimet e mia se për shembull unë nuk kisha asnjë foto kur isha bebe. Foto e mia fillonin nga 1 vjeç e gjysmë, e lartë. Ndërkohë që shoqet e mia kishin të gjitha. Dija që prindërit e mi ishin martuar në vitin 1994, ndërkohë që unë kam lindur në 1995. Foto shtatzënë të nënës sime nuk kishte. Kur i shikoj ata me një fëmijë gati 2 vjeç në dorë… Kur ndodhi pjesa e shtatzënisë dhe kur linda unë? Ishin dyshime që… Plus nëna ime ka hequr mitrën, këtë ma kishin treguar, por nuk më kishin treguar kurrë pjesën ku më kishin lënë mua, kush më mbajti në atë kohë sepse ime më kaloi në vdekje klinike. Të gjitha këto më çonin të dyshoja. Shkoj një ditë dhe e pyes mamin…

Ardit Gjebrea: Kur?

Elisonja: Mbas lindjes së djalit, në Shtator të këtij viti.. Mami i them jam fëmijë i adoptuar? Në fillim mbeti se nuk e priste dhe më thotë: Pse më pyet? Që kur tha kështu unë e kuptova përgjigjen. M’u errën sytë. Nuk e dhashë vete ngaqë mos e bëja atë të ndihej keq. U ula që të dëgjoja historinë time. Më thotë që kam lindur në Tiranë në 13 Prill të 1995. Mbas 11 ditësh të lindjes time, nëna ime më braktis në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”. Prej aty, nëna ime kishte një të njohur që i thotë që kanë lënë një vajzë 11 ditëshe e kanë braktisur… Nëna ime fillon të interesohet edhe pasi më çuan në shtëpinë e foshnjes. Krijuan dhe një farë afeksioni me mua dhe kur i thanë cilën do zgjedhësh, e dinin. Në atë kohë bëhej dhe përshtatja fizike dhe për këtë arsye, unë nuk dyshoja që isha e adoptuar se ngjaj shumë me tim atë. Jam gati kopje e tij dhe ndaj thoja prandaj nuk është e vërtetë, kjo që mendoj unë.

Ardit Gjebrea: Me këtë emër ke qenë që kur ke lindur?

Elisonja: Jo! Emri im ka qenë Lina Deshaj. Në fakt kur më tha mami që je quajtur Lina, diçka që ishte fshehur në memorien time më erdhi. Thashë kjo jam unë, kjo është historia ime. Mua në fakt më vjen keq për Linën që ka qenë atje, por mua nuk më kujtohet dhe jam shumë me fat si Elisonja, që kam sot emrin që ma kanë vendosur prindërit.

Ardit Gjebrea: Çfarë thotë babi?

Elisonja: I thashë që dua ta kërkoj nënën biologjike..

Ardit Gjebrea: Si reaguan në momentin e parë?

Elisonja: Edhe ata e kishin kërkuar më parë, 3 herë gjatë jetës sime, për të njëjtat arsye që e kërkoj edhe unë. Pra më shumë, se unë kërkoj dashuri apo një nënë tjetër, kërkoj informacion që ndoshta i takon çdo njeriu që do ta dijë për veten e vet. Dhe reaguan pak, e ke parasysh, pjesa e televizionit, kamerave, mentalitetit i stepte pak.

Ardit Gjebrea: Se ti ju the atyre që do vije, do adresoheshe tek ne dhe do e kërkoje këtu?

Elisonja: Kisha dëgjuar shumë raste që iu ishin drejtuar institucioneve të ndryshme, por pa rezultat. Mendova që ardhja tek ju ishte e duhura, domethënë nëse ishte dikush që mund të ma gjente nënën time biologjike, ishit ju.

Ardit Gjebrea: Çfarë të thanë në shtëpi?

Elisonja: Më thanë jemi me ty. Ata e dinë shumë mirë dashurinë e madhe që unë kam për ta, që janë të pazvendësueshëm për mua.

Ardit Gjebrea: Ke patur dokumente apo jo?

Elisonja: Dokumente kam patur, tani e mora vesh që kisha edhe dokumente. Ka qenë një dosje jeshile në shtëpinë time. Unë kam qenë fëmijë shumë trazavaç dhe për çudi ajo dosje jeshile ka qenë gjithmonë para syve të mi, por unë se kisha marrë kurrë guximin ta hapja, diçka më thoshte mos e prek atë dosje.

Ardit Gjebrea: Dhe çfarë kishte aty brenda?

Elisonja: Ishte certifikata ime e lindjes, proceduarat që bëhen për birësim.

Ardit Gjebrea: Ishte emri i nënës aty?

Elisonja: Po ishte.

Ardit Gjebrea: Si është?

Elisonja: Emri i nënës ishte Liri, emri i babit ishte Leka edhe mbiemri Deshaj.

Ardit Gjebrea: Ti sot ke ftuar këtu.

Elisonja: Unë produksionit ju luta që të më gjenin nënën biologjike, por ftova nënën që më ka rritur, që si në çdo moment të jetës sime, të mirë apo të keq ka qenë përkrah meje, të ishte dhe sot me mua.

Ardit Gjebrea i thotë se ata e kanë gjetur nënën e tyre, por ajo nuk ka mundur të vinte dot në studio, sepse nuk jeton në Shqipëri.

Ardit Gjebrea: Na ka dhënë numrin e telefonit, kemi dhe foton e saj, i kemi futur në një zarf. Je gati ta marrësh atë zarf dhe për herë të parë të shohësh në foton nënën tënde?

Elisonja: Gati, gati!

Elisonja përlotet teksa merr zarfin dhe shikon foton e nënës së saj.

Isha kurioze ta shihja si portret, edhe të dija në më ngjante apo jo. Shumë pak gjëra të pëbashkëta kemi me sa shoh në foto. Po më duket shumë e çuditshme që kjo është femra që mua më ka sjellë në jetë.

Por ftesës për të ardhur në studio, si një kërkesë nga ana e Elisonjës, i është përgjigjur nëna që atë e ka rritur, Fotinia.

Emocionet ishin të mëdha dhe nëna e saj nuk i mban dot lotët kur e shikon vajzën e saj, në anën tjetër të ekranit.

Elisonja: Pa ardhur ti në studio, Arditi më dorëzoi një zarf tek i cili ndodhej një foto e nënës time biologjike dhe emri i saj. Ajo nuk jeton këtu, por unë gjithsesi si çdo moment tjetër të jetës sime, doja që dhe këtë moment ta ndanim së bashku.

Fotinia: Dakord! I jam mirënjohëse që të ka lindur, kështu që s’do ta prishja ty kurrë dëshirën.

Elisonja ka përcjellë gjithashtu edhe një mesazh në studio.

Elisonja: Siç e shikoni dhe fëmijët e adoptuar mund të kenë një jetë shumë të lumtur dhe mund të kenë prindër të këtillë, që kështu unë ju kërkoj me gjithë zemër prindërve që nuk mund të kenë fëmijë vetë, të shkojnë të marrin një engjëll, në shtëpinë e fëmijës sepse do mund t’i ndryshojnë jetën dhe do mund ta bëjnë të lumtur. /tvklan.al

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY