Basha: Çfarë pret Edi Rama?! Sot është dita që të arrestohet Saimir...

Basha: Çfarë pret Edi Rama?! Sot është dita që të arrestohet Saimir Tahiri!

260
0
Shares

Kryetari i PD-së Lulzim Basha i ka bërë thirrje Kryeministrit Edi Rama për arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, si kapiten i drogës, me rol të fuqishëm në trafikun e drogës ndërmjet Shqipërisë – Itali.
“Sot është dita që të arrestohet Saimir Tahiri”, u shpreh Basha, mëngjesin e sotëm.
Para mediave, Basha deklaroi sot se erdhi ora e vendimeve të mëdha që Tahiri të arrestohet dhe procesi të nisë pa vonesë, duke iu referuar arrestimit të Moisi Habilajt, personit të denoncuar 4 vjet me radhë nga PD-ja si njeriu kyç që e lidh ish-ministrin e Brendshëm me trafikun ndërkombëtar të drogës.
“Moisi Habilaj njihet si kushëriri i Saimir Tahirit, ish-ministër i Brendshëm i Shqipërisë për 4 vjet. Për 4 vjet, PD-ja ka denoncuar lidhjet e Habilajt me Tahirin. Mbi 1400 herë, Rama e ka marrë në mbrojtje, Saimir Tahirin dhe ka refuzuar të marrë hapat ligjorë ndaj tij edhe pas denoncimit të Dritan Zaganit, ish-shefit të Antidrogës në Fier, që tha se banda përdorte ‘Audin’ personal të Tahirit për trafik.
Por Rama hesht prej 24 orësh që kur Moisi Habilajt është në pranga.
Partnerët strategjikë prej vitesh dhe prej muajsh i kanë vënë Ramës në dispozicion, materiale të padiskutueshme ndaj Tahirit, rolin e tij si ministër në trafikun e drogës Shqipëri – Itali.
Rama ka refuzuar të ndërmarrë hetim, por e ka mbrojtur dhe në mandatin e tij të ri e ka emëruar si koordinator të PS me qytetarët. Ne e dimë se është çështje orësh që informacionet e vëna në dispozicion nga partnerët e huaj për lidhjet e Ramës me Ramës do të bëhen publike dhe janë në dispozicion të Ramës.
Çfarë pret Edi Rama?! T’i vërë prangat dhe ta ekstradojë, si një nga kapitenët e drogës?! Nuk pres përgjigje nga Rama. Rama e ka mbrojtur edhe pse e di që ai është mbrojtës dhe përfitues direkt i Habilajve. Erdhi ora e vendimeve të mëdha që Tahiri të arrestohet dhe procesi të nisë pa vonesë”, deklaroi Basha.

Deklarata e plotë e kryetarit të PD, Lulzim Basha

Provat e lidhjes së Ramës me narkomafian janë para syve të çdo shqiptari, po vjen ora e vendimeve të mëdha

Kam thirrur këtë konferencë për shtyp në orët e para të mëngjesit pasi Shqipëria ndodhet para shpërthimit të një skandali me përmasa historike, përsa i përket krimit të organizuar shqiptar dhe lidhjeve të këtij krimi me qeveritarët e sotëm.
Dje, pas muajsh dhe vite pune, policia italiane arrestoi Moisi Habilajn, kreun e një prej bandave më të rrezikshme dhe të fuqishme të trafikut të drogës midis Shqipërisë dhe Italisë.
Moisi Habilaj njihet po kështu si kushëriri i Saimir Tahirit, për 4 vite Ministri i Brendshëm i Shqipërisë.
4 vite me radhë, Partia Demokratike ka denoncuar mbi 1 mijë e 400 herë lidhjet e Saimir Tahirit me narkotrafikun përmes bandës së Habilajve. Mbi 1 mijë e 400 herë Edi Rama e ka marrë në mbrojtje Saimir Tahirin dhe ka refuzuar të ndërmarrë hapat politikë dhe ligjorë, edhe atëherë kur lidhja e Saimir Tahirit me bandën e Habilajve u provua, siç ishte rasti i dëshmisë së Dritan Zaganit, kreut të Antidrogës në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Fier, i cili denoncoi se banda e Habilajve përdorte mes të tjerave automjetin personal të Saimir Tahirit, audin e famshëm, taksinë e drogës me imunitet ministror.
Prej 24 orësh, Edi Rama hesht.
Prej 24 orësh, në emër të opozitës dhe besoj gjithë shqiptarëve të ndershëm i kam bërë pyetjen; çfarë do të thuash tani që Moisi Habilaj ndodhet në pranga dhe i akuzuar si kreu i një prej bandave kryesore të narkotrafikut.
Partnerët strategjikë prej vitesh e prej muajsh i kanë vënë Edi Ramës në dispozicion materiale të pakundërshtueshme që faktojnë jo vetëm lidhjen por rolin e Saimir Tahirit si Ministër i Brendshëm, në trafikun e drogës mes Shqipërisë dhe Italisë.
Edi Rama ka refuzuar të ndërmarrë çdo lloj veprimi. Përkundrazi, e ka mbrojtur Ministrin e tij të Brendshëm dhe, në qeverisjen e tij të dytë, e ka graduar koordinator kombëtar për bashkëqeverisje me qytetarët.
Ne e dimë se është çështje orësh apo ditësh, para se të bëhen publike, faktet e vëna në dispozicion autoriteteve shqiptare për lidhjen e Saimir Tahirit dhe për përgjegjësinë e tij direkte për mbrojtjen dhe promovimin e trafikut të drogës përmes bandës Habilaj. Ne e dimë se prej kohësh ato janë në dispozicion të Edi Ramës.
Pyetja që sot shtroj në emër të opozitës dhe në emër të çdo shqiptari të djathtë apo të majtë, është se çfarë pret Edi Rama ti vërë prangat, ta arrestojë e ta ekstradojë, në mos ta gjykojë këtu në Shqipëri, Saimir Tahirin, si një ndër kapitenët kryesorë të trafikut të drogës në 4 vitet e kaluara?
Natyrisht nuk pres përgjigje prej Edi Ramës.
Edi Rama e ka mbrojtur Saimir Tahirin këto 4 vite edhe pse e ka ditur se, ai, është protektor dhe përfitues i drejtpërdrejtë i trafikut të drogës, përmes bandës Habilaj dhe bandave të tjera të krimit të organizuar.
Edi Rama e ka bërë këtë me vetëdije të plotë, sepse paratë e drogës dhe muskuli kriminal i bandave, është përdorur nga Edi Rama bashkë me Saimir Tahirin gjatë zgjedhjeve të 2015-ës dhe në veçanti në zgjedhjet e 2017-ës.
Sot, jo vetëm Shqipëria, apo Italia por Europa dhe gjithë bota kanë përpara “corpus delicti”, faktet e pakundërshtueshëm të lidhjes së Edi Ramës dhe Saimir Tahirit me botën e errët dhe narkobandave shqiptare.
Jemi përpara vendimeve të rëndësishme.
Shqiptarët kanë dy rrugë;
Të ulin kokën e të pranojnë realitetin malinj që iu imponohet çdo ditë në rrugët e sheshet e qyteteve tona nga bandat që përdorin kallashët dhe tritolët për të larë hesapet me njëri-tjetrit, pavarësisht prej numrit të viktimave të pafajshme, dhe të fëmijëve që ndodhen në këto rruge, në këto sheshe të qyteteve dhe fshatrave tona, të pranojnë se ekonomia shqiptare e bashkë me ta edhe shqiptarët si krah pune të shndërrohen skllevër dhe burime përfitimi për bandat e narkotrafikut dhe qeveritarët e lidhur me ta, ose, së bashku të ngrihemi dhe të kërkojmë të drejtën tonë legjitime për të mos u qeverisur as nga bandat, as nga ministrat, as nga kryeministri i bërë njësh me ta.
Është ora e vendimeve të mëdha.
Por sot, është dita që Saimir Tahiri të arrestohet dhe procesi gjyqësor ndaj tij të nisë pa vonesë.
Faktet janë publike, provat janë në tavolinën e Edi Ramës dhe me siguri do të bëhen publike në orët apo ditët në vijim.

 

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY