ILIR NIKOLLA/ Një hap përpara…, drejt përplasjes

ILIR NIKOLLA/ Një hap përpara…, drejt përplasjes

314
0
Shares
Ilir Nikolla

Edhe sot u përsërit e njëjta formulë, këtë herë fatkeqësisht nga një njohës i shkëlqyer i çështjeve shqiptare, europarlamentari Eduard Kukan, se zgjedhjet e Shqipërisë ishin një hap përpara. Si stacion referimi u caktua çelja e negociatave të anëtarësimit në BE dhe europarlamentari tha se parimisht burokratët e Brukselit e Strasburgut ishin në favor të këtij hapi. Arritja më e madhe e 25 qershorit ngjan se ishte mungesa e gjakderdhjes dhe ecuria e fasadës së numërimit të votave, pasi në mes të procesit, numërimi i parregullsive është i rëndë dhe i padëgjuar gjatë periudhës 2001 – 2015. Shitblerja e votave, intimidimi i zgjedhësve, dalja e fletëvotimeve në një shkallë masive në një numër më të lartë sesa numri i votuesve dhe bojkotimi masiv i ditës së votimeve, për shkaqe që kanë lidhje mirëfilli me administrimin e procesit prej autoriteteve, janë një listë e frikshme shkeljesh që u numëruan dje fiks pas shpalljes së “hapit përpara…”.
“Hapi përpara” këtë herë është më qesharak se asnjëherë tjetër. Është një hap drejt shpalljes së një kabineti minoritar qeveritar, i cili është prodhuar nga oborri i militantëve bolshevikë, pasi u krye operacioni i përzënies së 200 mijë të pakënaqurve në 4 vjet, pasi u ble një numër tjetër industrial votuesish prej fondit “kanabis” dhe pasi u la në shtëpi një numër prej 300 mijë votuesish të tjerë të pakënaqur, me sa duket si produkt i jermit propagandistik 3-mujor të kryeministrit “gjithë tuta e batuta”.
Me gjithë sinusoidën e “Republikës së Re” si dhe marrëveshjen e vështirë për pjesëmarrjen në zgjedhje që e pasoi atë aksion politik, rreth 500 mijë votues iu bashkuan kursit anti-Rama, i kapërcyen kurthet që ngriti propaganda e narko-nomenklaturës, dhe tani janë në një kurbë përplasëse me “timonierin”. Shmangia e përplasjes mund të ndodhë veç nëse “timonieri” do kuptojë se s’mund të udhëtohet në tym dhe të lexojë të gjitha sinjalet që do lëshojë kjo trupë elektorësh e egërsuar dhe e lënduar. Trupa ka votuar mirëfilli për një ndryshim kursi në qeverim dhe në kushtet e një bojkoti thuajse masiv të gjysmës së shqiptarëve, konsiderimi i kërkesave të saj është vendimi më i arsyeshëm që mund të marrë “timonieri”. Në këto kushte, lidershipi “fitues” është në kushtet e lojës “me detyrim e përcaktim”. S’mund të lëvizet prej aksiomës së shkëputjes së vendit nga narko-klanet.
Njëfarë filmi të kësaj situate e pamë pas 2015-s, kur Edi Rama i nxori në prapaskenë të gjithë narko-deputetët, për shkak të njollës që po përhapnin. Tani ka ardhur koha për fazën e dytë dhe me hir a me pahir, Edi Rama është i detyruar ta ndjekë këtë kurs. Nëse pengmarrja është në shkallë finale, rezistenca për t’u ndarë nga kanceri i kanabisit dhe nga vesi komunist i grabitjes së vullnetit të qytetarëve, do ta çojë “timonierin” drejt përplasjes së shpejtë.
Opozita e re e LSI-së është një autostradë ndihmëse drejt këtij kursi dhe e vetmja mënyrë për ta ndalur përplasjen, është që “timonieri” të rrijë urtë dhe të lexojë “stop”-et që i vijnë nga pakica ekstremiste që ka prodhuar në Shqipëri.
Le të lexohen zgjedhjet si një “hap përpara…”, ai ngjan shumë me “hovin…” e Maos, një “sukses” plot sakrilegje dhe i destinuar të çojë në përplasje.
Qëndrimi i dy ditëve të para postzgjedhore s’mund të lexohet si modesti e “timonierit”.
Është shumë shpejt.
Duke parë e duke bërë do të shihet se sa do dijë të lexojë kryeministri dhe a ia vlejti gjithë poshtërsia që ai investoi për të mbërritur tek 71-i, thuajse i padobishëm për narko-klanet.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY