“Hidhen në kosh” 600 mijë eurot për palmat, autostrada Tiranë-Durrës do...

“Hidhen në kosh” 600 mijë eurot për palmat, autostrada Tiranë-Durrës do të zgjerohet

135
0
Shares

Autoriteti Rrugor ka nisur projektin për zgjerimin e autostradës Tiranë – Durrës me tre korsi, ku parashikohet shtim i trafikut të makinave dhe lejim i shpejtësisë deri në 140 km në orë.
Ky projekt, i nisur që në vitin 2015, nuk parashikon palma apo bimë të tjera dekoruese në këtë aks, duke hedhur në kosh një investim prej rreth 600 mijë eurosh.

Për mbjelljen e palmave dhe gjelbërimin e këtij aksi u shpenzuan 600 mijë euro në një kohë që institucionet që morën pjesë në këtë projekt e dinin se autostrada do të zgjerohej dhe se projekti i gjelbërimit ishte i përkohshëm.
Autoriteti Rrugor Shqiptar pranon zyrtarisht se ka një projekt që ka nisur që në vitin 2015 për zgjerimin e superstradës Tiranë-Durrës mbi gjurmën ekzistuese. ARRSH sqaron se kjo autostradë do të jetë në standardet evropiane dhe palmat nuk janë pjesë e projektit të zgjerimit.
“Duke qenë se autostrada e ardhshme Tiranë-Durrës do të zgjerohet mbi gjurmën ekzistuese dhe do të përshtatet sipas standardit europian, nuk është parashikuar që në hapësirën e infrastrukturës së re autostradale, ku shpejtësia e projektimit është 140 km/h, të ketë bimësi apo objekte të tjera dekorative për arsye të  sigurisë rrugore”, sqaron për “Fiks Fare” ARRSH.
FSHZH: Palmat kushtuan 150 mijë euro
Tre vjet më parë, në fillim të qershorit 2014 nisi realizimi i projektit të gjelbërimit për aksin Tiranë-Kashar-Rinas. Ky projekt u financua nga Ministria e Mjedisit dhe kishte vlerën 60 milionë lekë të reja. Punimet përfunduan në dhjetor 2014.
Pjesë e këtij projekti gjelbërimi u bë edhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit, sipas të cilit nga Ministria e Mjedisit u kërkua vendosja e palmave si pjesë dekorative e segmentit Tiranë-Kashar. FSHZH tha për “Fiks Fare” se kostoja e çdo palme ishte 375 euro.
Në njërin aks janë vendosur 400 palma, të cilat sipas kostos që thotë FSHZH, kanë kushtuar 150 mijë euro. Ermir Omari, specialist pranë Fondit Shqiptar të Zhvillimit sqaron se i gjithë projekti i rehabilitimit të këtij segmenti ka kushtuar rreth 266 milionë euro. Projekt që është bërë në bashkëpunim të tre institucioneve: Ministrisë së Mjedisit, Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe Autoritetit Rrugor Shqiptar.
Cili institucion kërkoi vendosjen e palmave në autostradën Tiranë-Durrës?
Sipas specialistit të FSHZH, për vendosjen e palmave si bimë dekorative është bërë një kërkesë nga Ministria e Mjedisit. Për këtë u çel një fond nga FSHZH dhe vetëm vendosja e palmave ka kushtuar rreth 150 mijë euro.
FSHZH mohon të ketë patur dijeni për një projekt zgjerimi të kësaj autostrade me një korsi më shumë. Nëse do të miratohet një projekt për zgjerimin e kësaj autostrade, FSHZH deklaron se palmat janë lehtësisht të zhvendosshme. Në deklaratën e saj, FSHZH thekson se në projektin e gjelbërimi të segmentit Tiranë-Kashar është marrë edhe miratimi nga ARRSH.
Ministria e Mjedisit: Ne nuk kemi kërkuar vendosjen e palmave
Pavarësisht se FSHZH pretendon se kërkesa ka ardhur nga Ministria e Mjedisit, kjo e fundit në një përgjigje për “Fiks Fare” ka deklaruar se kërkesa nuk ka ardhur prej saj as zyrtarisht dhe as si kërkesë formale.
Në përgjigjen zyrtare me shkrim, zyra e shtypit pranë këtij dikasteri thekson se në “projektin e Ministrisë së Mjedisit nuk ka asnjë palmë të parashikuar dhe/ose prokuruar nga ky institucion”.
Gjithashtu, Ministria e Mjedisit thekson se si institucion nuk mund të urdhërojë Fondin Shqiptar të Zhvillimit, pasi ai nuk është institucion në vartësi të saj.
Nga përgjigjja zyrtare e Mjedisit kuptohet se, kjo ministri është shprehur zyrtarisht në parim, por ky mendim në asnjë rast nuk ka tagër detyrues për institucionin Fondi Shqiptar i Zhvillimit.
“Vendosja e palmave është bërë në një territor jashtë atij që menaxhon Ministria e Mjedisit”, theksohet në përgjigjen zyrtare të këtij institucioni.
ARRSH: Projekti i zgjerimit të autostradës filloi në 2015, palmat do hiqen
Fondi Shqiptar i Zhvillimit tha se ky projekt ka marrë miratimin nga Autoriteti Rrugor Shqiptar. Për kamerën e “Fiks Fare”, drejtori i këtij institucioni nuk pranoi ta ketë miratuar këtë projekt, duke e shmangur përgjigjen dhe duke pohuar se ky nuk është një projekt i Autoritetit.
Ndërkohë që për gjelbërimin e segmentit Tiranë-Kashar janë investuar në total rreth 600 mijë euro, Autoriteti Rrugor Shqiptar ishte duke zhvilluar një tjetër projekt, pikërisht për të njëjtin segment rrugor. Ai i superstradës Tiranë- Durrës.
Por Dashamir Xhika, drejtor i ARRSH-së, në një përgjigje zyrtare të dhënë për emisionin “Fiks Fare” thotë se: “ARRSH, sipas planit buxhetor të miratuar për vitin 2015 e në vazhdim ka planifikuar realizimin e shërbimit të konsulencës me objekt: ‘Studim – Projektim Zgjerimin e Superstradës Tiranë-Durrës’”.
Madje, ky institucion ka lidhur edhe një kontratë me shoqërinë konsulente të huaj “SPEA Ingegneria Europea S.P.A” për hartimin e projektit të plotë të zbatimit. ARRSH sqaron se projekti i plotë i zbatimit të dorëzohet për miratimin përfundimtar në këtë institucion në fund të prillit 2017.
“Ju informojmë se palmat apo çdo bimësi dekorative që përvijohet gjatë akseve kombëtare nuk janë pjesë e infrastrukturës rrugore, e cila në kuptimin standard të fjales parashikon pjesën kaluese primare dhe sekondare, veprat e artit dhe ato hidraulike, bankinat, skarpatat, sistemin e drenazhimit, të ndriçimit, si dhe aksesorët e sigurisë dhe sinjalistikës rrugore. Duke qenë se autostrada e ardhshme Tiranë-Durrës do të zgjerohet mbi gjurmën ekzistuese dhe do të përshtatet sipas standardit europian, nuk është parashikuar që në hapësirën e infrastukturës së re autostradale, ku shpejtësia e projektimit është 140 km/h, të ketë bimësi apo objekte të tjera dekorative për arsye të sigurisë rrugore”, sqaron kreu i ARRSH në përgjigjen zyrtare për “Fiks Fare”.
E thënë ndryshe, rreth 600 mijë euro janë hedhur dëm, pa marrë parasysh projektin  që do ta ndryshojë rrënjësisht këtë segment. Projekt, që mesa duket ka qenë edhe shkaku i përplasjes së këtyre institucioneve, të paktën për sa i takon kërkesës për vendosjen e palmave./ Top Channel /

 

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY