Rita Gjeka, aktorja e njohur dhe sot drejtoreshë e teatrit “Migjeni”, i kundërpërgjigjet në një intervistë kreut të qeverisë, pas deklaratës së tij në Parlament.
Rama përmendi emrin e Gjekës, si asistente e Jozefina Topallit, ndërsa tregonte për investimet në teatrin e Shkodrës. Por për artisten Rita Gjeka, kryeministri nuk mund të tallet me askënd, jo më me të gjithë shoqërinë shqiptare.
E ndoqët fjalën e kryeministrit?
Nuk e kam parë drejtpërdrejt, por ma kanë thënë të tjerët. Nipi nga Holanda më nisi videon ku është folur për mua, sepse kam qenë në punë. Sot, nesër dhe pasnesër ne kemi rihapjen e teatrit me dramën “Nënë Tereza kur ishte Gonxhe” dhe gjej rastin të ftoj spektatorët që të kënaqen vërtet. Më thanë se çfarë dhe njëherë më mori gazi se mendova këta duan të na marrin edhe zanatin tonë, se bëjnë batuta dhe nuk mbërrita ta kuptoj fillimisht se për çfarë është fjala. Më pas pashë videon dhe kuptova se përse më kishte përmendur kryeministri, edhe replikën e zonjës Topalli, që nuk i heq asnjë presje asnjërit dhe as tjetrit. Unë jam mike e kryeministrit, sepse kemi mbaruar shkollën bashkë, kemi qenë shokë dhe në kohën kur ka qenë shok me mua, ka qenë krejt tjetër gjë. E pranoj si shok, por s’mund ta pranoj si kryeministër, sepse nuk mund të tallet as me mua në Parlament e aq më pak me Jozefinën, është utopi.
Si e cilësoni atë çfarë tha kryeministri për ju?
Si një tallje, se tani flet me kunja. Unë jam aktore edhe po kam zor ta them ty fjalën kunj. Deri aty nuk duhet të mbërrijë një kryeministër ose të paktën kryeministri që mendoj unë se duhet të jetë. Nuk është fjalë që duhet të përdoret në Parlament. Të na lënë në zanatin tonë, e bëjmë më mirë të qeshë popullin.
Sipas jush, kryeministri ka shkelur mbi shoqërinë tuaj shumëvjeçare?
Ai po shkel mbi shumë gjëra e jo më mbi shoqërinë që ka me mua tash 30 vjet. Sigurisht që shkel, ai nuk e ka fare problem këtë punë. I kam bërë ftesë disa herë Edi Ramës që të vijë në teatrin e Shkodrës, se thotë që kam dhënë për teatrin, por ka dhënë Fondi i Zhvillimit dhe jo Qeveria. Është shumë e vogël kjo shumë për të cilën kanë kontribuar për teatrin e Shkodrës, por është punuar shumë mirë për aq sa është dhënë dhe është bërë për emergjencë.
Cila ka qenë përgjigjja e kryeministrit për ftesën tuaj?
Ka qenë në Vermosh dhe prisja që të vinte, por tha se “jam në Vermosh dhe veç në fluturofsha se s’kam si me ardh”. Unë kam dashur që ai të vinte sepse thjesht kam pasur qejf ta ul te radha 2 dhe e jap kokën dhe e hedh se ai nuk mund të futet në radhën 2, sepse është shumë i gjatë. Unë kam kunatin aq të gjatë dhe i pres gjithmonë biletën për në teatrin e Shkodrës në një qoshe për të nxjerrë këmbët pak jashtë, sepse nuk rrihet. Me këtë nuk do të thotë se nuk ka komoditet shfaqja sonte, sepse spektatori na mirëkupton me gjithë defektet që mund të jenë.
E dinte se do të ulej në radhën 2, kur e ftuat?
Jo, jo, unë e kam thirrur veç ta ulja në radhën 2, nuk kisha hall tjetër, se nuk ke çfarë t’i kërkosh atij. Ka nxjerrë një status në “Facebook” edhe ka thënë ristrukturimi i plotë i teatrit “Migjeni”.
Nuk është i plotë ristrukturimi i teatrit “Migjeni”?
Është shumë pak, si të thuash 10% e asaj që duhet të jepet për ristrukturimin e plotë të teatrit “Migjeni”. Mos të futeshin punonjësit e Bashkisë Shkodër dhe gjej rastin t’i falënderoj sepse më kanë qëndruar afër.
Cili ishte raporti juaj me Ramën, kur ishit në shkollë?
Ishim shokë shkolle, flisnim budallallëqe, na kanë çuar edhe në polici, bënim zhurmë e kështu si të rinj që ishim, si fëmijë të mirë, si unë, si ai, nuk rrinim në një vend.
Ka qenë rebel?
Po, ka qenë rebel atëherë dhe është edhe sot edhe ai, edhe unë, por me kahe të ndryshme politike.
Kur jeni takuar më mbrapa pas viteve të shkollës me Ramën?
Ka qenë 5 vjet pasi kam mbaruar shkollën. Ka qenë viti 1990, me 11 nëntor, kur ai ka ardhur për herën e parë për meshën e parë te varrezat katolike të Rrmajit dhe jo me 4, siç ka thënë, po me 11 ka ardhur. E kam takuar unë në rrugicën time krejt rastësisht dhe jemi nisur të dy me të njëjtin qëllim në atë kohë për të shkuar në meshë.
Rasti i 2009-s, që Rama e përmendi në Parlament kur ju u takuat në Shkodër, si ka qenë?
Rasti i 2009-s ka qenë pak më flagrant, sepse unë sapo isha kthyer nga Italia dhe kisha një pasion politik të paparë në atë periudhë. Punoja në televizionin lokal “Rozafa” në atë kohë dhe gazetari Simon Shkreli që ishte aty në atë kohë e kishte thirrur për intervistë. Unë i dola përpara dhe më njohu: “U Rita Gjeka!”, tha dhe u rrokëm e u përqafuam prapë pas shumë vitesh. Më tha: “Ça bën këtu ti?”, “Punoj”, i thashë unë. Më tha: “Akoma për Jozefinën voton ti?”. Aty unë nuk pashë më asgjë, sepse nuk jam shumë e qetë kur më ngacmojnë si natyrë. Iu vërsula me gjithë litanitë që mundem me qenë duke i bërë me dije se ai as nuk mundet me e përmend Jozefinën, se është shumë larg Jozefinës, në daç konceptualisht, në daç me gjithçka. I thashë është babai jot që ka shkelur me këmbë familjen e Jozefinës për me mbet aty ku mbeti në ato vite të komunizmit deri kur nuk ke mundur ta lësh më kështu që ti nuk ke të krahasuar me Jozefinën, sepse i ke të gjitha gati prej babait gjithmonë.
Dhe cila ishte përgjigjja e tij?
T’fala Sandrit si me thënë, një përgjigje e tillë alla Edi Rama.
Pastaj, çfarë ndodhi aty?
Po në momentin që u përgjigja ashtu dhe ashtu do përgjigjem çdo herë kur t’më bëhet një gjë e tillë, erdhën ata rojet që kishte, menduan se po e qëlloj (qesh), por ai i largoi dhe i tha se është shoqe e imja dhe më vuri dorën në qafë dhe u futëm në zyrën e televizionit.
Pse ju cilësoi si zëdhënësja e Topallit?
Sepse siç duket në atë moment e ka ndjerë se unë po ia thosha shumë hapur mendimin tim për Jozefinën dhe nuk është mësuar ai t’ia thonë gjërat hapur. Mirëpo unë, duke mos pasur asnjë problem, sepse s’ma ka dhënë diplomën as Jozefina e as Edi Rama, dhe nuk kam kështu probleme, e më falni për modestinë, por një Rita Gjekë ata nuk kanë ku ta marrin. Ata janë një herë në 4 vjet në politikë, ndërsa unë kam 30 vite në teatër, vlerësohem aq sa vlerësohem, jam aktore aq sa jam aktore dhe çdo artist shqiptar është shumë më i madh se gjithë politikanët shqiptarë, çfarëdo qofshin, çfarëdo lloj krahi politik të jenë sepse ne jemi gjithmonë, ata janë të përkohshëm, dhe nuk kisha asnjë lloj frike, aq më shumë me një person si Edi Rama, që kisha edhe konfidencë.
Keni një batutë për kryeministrin për t’ia kthyer, meqë preferon batutat?
T’fala Zahos.
Kaq?
Hajde në teatër, se po të uli te radha 2, këtë kam për t’i thënë kryeministrit që të ndërrojë ato karrige, se s’po kam hall tjetër.
Rama: Rita, asistente e Jozefinës
Kryeministri Edi Rama foli të enjten në Kuvend, duke reaguar ndaj opozitës për akuzat e saj për mungesën e investimeve për Shkodrën. Pjesë e fjalës së tij ishte dhe investimi për stadiumin, muzeun “Marubi” dhe teatrin “Migjeni”.
“Edhe teatri ‘Migjeni’ është pjesë e kësaj. E nuk e kuptoj as Saliun se si nuk ka bërë gjë për të – sepse dikur i recitonte përmendësh poezitë e Migjenit – që ishte rrezik për jetën për gjithë trupën e aktorëve me miken time Rita në krye, që e ke pasur dhe asistente Jozefinë, në ato punët e propagandës kundër meje. Kështu që mos flisni për këto punë, ju lutem. Se çfarë kemi lënë ne pa bërë e do t’i bëjmë mandatin e ardhshëm e dimë më mirë se ju”, u shpreh Rama. /Panorama/
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/